Presidenti Ilir Meta dekoron Pier Ferdinando Casinin: Avokat i Shqipërisë për anëtarësimin në NATO

491
Pier Ferdinando Casini, Avokat i vazhdueshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i akordon Dekoratën “Nënë Tereza” senatorit Italian 
Presidenti i Republikës, Meta i akordoi në një ceremoni të veçantë senatorit italian, z. Pier Ferdinando Casini, Dekoratën “Nënë Tereza”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, ish-Kryetari i Kuvendit, z. Servet Pëllumbi, ish-Kryeministri, z. Sali Berisha, deputetë, përfaqësues të trupi diplomatik dhe të institucioneve të tjera. Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Presidenti Meta vlerësoi personalitetin e spikatur të z. Casini, si politikan, që mishëron vlerat më të larta të parlamentarizmit, dialogut dhe demokracisë. “Senatori Casini ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por edhe për mbështetjen e iniciativave të ndryshme parlamentare italiane në dobi të forcimit të marrëdhënieve midis Italisë dhe Shqipërisë. Po kështu ai ka qenë një avokat i vazhdueshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe rajonin tonë”, – tha Presidenti i Republikës. Më tej, Presidenti Meta theksoi se Senatori Casini është një prej personaliteteve më të shquara të politikës italiane, që ka ndikuar dukshëm në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. “Si President i Dhomës së Deputetëve, por edhe si Kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit italian, Senatori Casini ka ndihmuar për forcimin e marrëdhënieve ndër-parlamentare dhe krijimin e një atmosfere të shkëlqyer bashkëpunimi mes dy parlamenteve. Një kontribut tjetër i vyer ka qenë mbështetja që zoti Casini i ka dhënë ndërtimit të Qendrës Spitalore Universitare dhe Universitetit Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë”, që sot është ndër më të vlerësuarat në vendin tonë dhe ku studiojnë shumë studentë italianë”, – shtoi Presidenti Meta. Duke u ndalur te Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut, Presidenti Meta theksoi se intensifikimi i kontakteve dhe ngjarjeve politike, historike dhe kulturore me Italinë është i veçantë, sepse të veçanta dhe jetike ishin për Skënderbeun aleancat e tij përtej Adriatikut në periudhën më të lavdishme të popullit dhe kombit tonë. “Këto lidhje kaq të forta vazhduan edhe më pas përmes arbëreshëve tanë, të cilët përtej Adriatikut gjetën mikpritjen dhe bujarinë e jashtëzakonshme, jo vetëm për të jetuar të lirë, por mbi të gjitha për të ruajtur traditat e tyre, gjuhën dhe kulturën e tyre, ritet e tyre fetare dhe figurën e lavdishme të Skënderbeut për disa shekuj dhe për ta risjellë në Shqipëri në prag të Rilindjes kombëtare, e cila do të sillte pavarësinë e Shqipërisë. Po kështu, pas viteve 90’ Italia mirëpriti dhjetëra mijëra emigrantë të dëshpëruar, ndërsa sot atje janë të mirë-integruar mbi 500 mijë shqiptarë, të cilët japin një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve tona”, – u shpreh Presidenti Meta, teksa shtoi se shqiptarët kanë treguar aftësitë dhe talentin e tyre kudo në punë, sipërmarrje, sport e kulturë. “Mjafton të përmendim edhe fituesin e fundit të “Sanremos”, Ermal Metën, për të kuptuar se sa të forta, të ndërlidhura, të pandashme e të natyrshme janë marrëdhëniet shqiptaro-italiane sot”, – tha Presidenti i Republikës.
Sigal