Presidenti i Republikës Ilir Meta/ Një pakicë jo legjitime ka marrë peng demokracinë e Shqipërisë. Zgjidhja nuk është tërheqja apo justifikimet, por përballja me të keqen dhe ligësinë. Shqiptarë, nuk është koha për largim, por për Zgjim, Bashkim, Ndryshim. O sot, o kurrë!

438
Sigal

President ILIR META: “Shqiptarë, nuk është koha për largim, por për ZGJIM, BASHKIM, NDRYSHIM!”

Një pakicë jolegjitime ka marrë peng demokracinë e Shqipërisë

Presidenti i Republikës Ilir Meta, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë dje ka dhënë një mesazh shqiptarëve, ku u bën apel shqiptarëve që, o sot, o kurrë, për një Zgjim, Bashkim, Ndryshim, prandaj nuk është koha që të largohen e të shkojnë në emigrim. Mesazhi i Presidentit të Republikës Ilir Meta

Të dashur miq, sot (dje) është Dita Ndërkombëtare e Demokracisë.

Në themel të demokracisë qëndron vota, e drejta e çdo qytetari për t’u zgjedhur e për të zgjedhur, pluralizmi politik. Demokraci do të thotë që çdo qytetar të vendosë për të ardhmen e vet. Që çdo qytetar të ketë besim te roli i vet në demokraci. Që çdo qytetar të ketë mundësi për të ndikuar mbi vendimmarrjen. Për ta detyruar atë të jetë transparente, nëpërmjet llogaridhënies në çdo nivel vendor dhe kombëtar. Demokraci do të thotë që çdo qytetar të jetë i barabartë para ligjit. Fatkeqësisht shumë nga këto parime e vlera që janë kolonat dhe zemra e botës demokratike, janë përçudnuar në vendin tonë. Zhgënjimi është i madh. Jo ndaj demokracisë që sollëm në dhjetor ’90, por ndaj formës së shëmtuar që ajo mori në 30 vite. Shpopullimi dramatik i Shqipërisë dhe humbja e shpresës, veçanërisht tek brezi i ri, është treguesi më i dhimbshëm dhe fatkeq. Shikoni ku jemi sot: të fundit në rajon para dyerve të BE-së. Dhe ende askush nuk mban përgjegjësi, përkundrazi. Ka edhe më shumë thellim në paligjshmëri. Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe agjendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë evropiane dhe perëndimore. Ndaj ne sot kemi një mision të përbashkët historik: Të shpëtojmë demokracinë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jolegjitime!

Koha nuk pret!

Kjo është beteja jonë! E njerëzve të lirë, të ndershëm dhe punëtorë, e rinisë sonë të mrekullueshme! E të gjithëve ne që e duam me shpirt dhe zemër Shqipërinë! Dhe unë jam më i vendosur se kurrë!

Për një Shqipëri demokratike, si gjithë Evropa!

Sepse liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë të pa negociueshme! Mbrojtja e demokracisë sot është një detyrë patriotike për t’i rikthyer besimin çdo qytetari dhe çdo të riu se e ardhmja më e mirë është vetëm këtu dhe kjo kërkon kontributin e secilit për ndryshim.

Zgjidhja nuk është largimi, por zgjimi dhe ndryshimi!

Largimi u intereson atyre që duan të zbrazin Shqipërinë nga shqiptarët, ndaj prej kohësh kanë planifikuar vrasjen e ngadaltë të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. T’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve dhe vetëm atyre! Sepse të rinjtë tanë mund të gjejnë çdo gjë jashtë që u mungon sot këtu, por kurrë nuk do të gjejnë Atdhe! Regjimi i bllokmenëve ishte shumë herë më i vështirë se regjimi i oligarkëve për t’u përmbysur! Zgjidhja nuk është tërheqja dhe justifikimet foshnjore, por përballja me të keqen dhe ligësinë!

O SOT, O KURRË!