Presidenti i Republikë Bujar Nishani, takim konsultues me përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambientalistët

460
Sigal

Gazeta Telegraf/ 


Sot, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi një takim konsultues me përfaqësues të Aleancës Kundër
Importit të Plehrave, ekspertë mjedisorë dhe qytetarë, të cilët ngritën
shqetësimin dhe parashtruan para Kreut të Shtetit kërkesën për mosdekretimin e
disa ndryshimeve në Ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve dhe
rikthimin  e tij për shqyrtim në Parlament.

 

Përfaqësuesit e Aleancës Kundër Importit të
Plehrave, aktivistët civilë, si dhe ekspertët ligjorë dhe mjedisorë, shprehën
mirënjohjen dhe vlerësimin ndaj Presidentit të Republikës si garant i
Kushtetutës për angazhimin e Tij personal dhe institucional në drejtim të
zgjidhjes së drejtë të çështjes, bënë një përshkrim të situatës aktuale si dhe
paraqitën argumentet e tyre për disa të meta thelbësore dhe mungesën e
standardeve, në hartimin e Ligjit për Importin e Mbetjeve, me pasoja negative
në jetën e qytetarëve.

 

Pasi renditën argumentet e tyre të shumta që
nisin nga ato mjedisorë, ligjorë, të shkeljes së të drejtave të njeriut, të së
drejtës për informim, e deri te ruajtja e shpresës dhe sigurimin e një jete sa
më të mirë për fëmijët dhe brezat e ardhshëm, aktivistët civilë dhe
pjesëmarrësit në takim çmuan “angazhimin e përgjegjshëm qytetar dhe
institucional të Presidentit si përfaqësues dhe garantues i të drejtave dhe
interesave të sovranit”.

 

Kreu i Shtetit shqiptar, duke e konsideruar
çështjen e Ligjit për Importin e Mbetjeve si të një rëndësie madhore, me një
ndjeshmëri të madhe në opinion publik e me ndikim të gjerë dhe afatgjatë në
jetën e qytetarëve shqiptarë, e çmoi së tepërmi takimin konsultues me
përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambientalistët si “shumë të vlefshëm në
procesin e shqyrtimit dhe dekretimit të tij me seriozitet dhe përgjegjësi
maksimale”.

 

“Çështjen dhe kauzën tuaj, për të cilën duhet
të vazhdoni të këmbëngulni, po e trajtoj me shumë seriozitet ligjor,
institucional dhe personal, jo vetëm në cilësinë e Kreut të Shtetit, por edhe
si një qytetar shqiptar dhe si prind. Ju garantoj se përsa kohë do të jem në këtë
Zyrë, nuk do ta zhgënjej asnjëherë interesin publik të qytetarëve!” – u shpreh
Presidenti Nishani.

 

Ky takim konsultues, i thirrur përpara se Presidenti i
Republikës të shprehet si interpretues i parë i Kushtetutës së Republikës,
është i rëndësishëm, jo vetëm në aspektin juridik dhe legjislativ, por edhe në
atë të interesit të qytetarëve për shkak të  ndjeshmërisë së madhe që
ka shkaktuar në opinion publik aprovimi i këtyre ndryshimeve ligjore në Kuvend.