Presidenti Bujar Nishani, uron inaugurimin e Presidentit Trump: Shqiptarët Ju vlerësojnë si mbështetje

606
Presidenti Bujar Nishani ka uruar presidentin e 45-të të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump me rastin e marrjes së detyrës. në urimin e tij, Z. Nishani shprehet: “Shkëlqesia Juaj, inaugurimi dhe marrja e detyrës së Presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më jep edhe njëherë kënaqësinë e veçantë që në emrin tim dhe të popullit shqiptar t’Ju shpreh urimet më të mira e të sinqerta dhe t’Ju uroj shumë suksese në përmbushjen e angazhimeve presidenciale”. Kreu i shtetit shqiptar ka përfituar nga rasti për të shprehur “mirënjohjen e thellë” për gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në mbështetje të shqiptarëve për më shumë se një shekull, si dhe bindjen se partneriteti strategjik mes dy vendeve do të thellohet edhe më shumë gjatë presidencës së tij. “Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë për Shqipërinë dhe shqiptarët mikun dhe partnerin kryesor strategjik dhe ju siguroj se shqiptarët do të vijojnë të jenë krah jush në realizimin e agjendës suaj kundër ISIS dhe terrorizmit ndërkombëtar, por edhe për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të agjendës euroatlantike”, vijon Nishani. Duke shprehur dëshirën për një takim të shpejtë, Nishani i ka shprehur gjithashtu zotit Trump “konsideratën më të lartë”.
Sigal