Presidenti ‘bëhet pjesë’ e protestave kundër ligjit për importin e mbetjeve

366
Sigal

Zyra e Shtypit e Presidencës njofton për një takim të zhvilluar dje mes kreut të shtetit, Bujar Nishani dhe një përfaqësie të shoqërisë civile që është angazhuar për anullimin e ligjit për importin e mbetjeve. Njoftimi përcjell shqetësimin e ngritur nga shoqëria civile, duke theksuar se ligji “ka një rëndësi dhe ndjeshmëri të veçantë”. Presidenti ka siguruar se ndjeshmëria qytetare do të jetë faktor në shqyrtimin e ligjit, i cili ka shumë gjasa të mos dekretohet dhe të kthehet për rishqyrtim. Ka rëndësi një pasazh nga fjala e Nishanit, ku ai u bën thirrje dhe inkurajon qytetarët që të vazhdojnë angazhimin për kauzën e ndalimit të importit të mbetjeve. “Çështjen dhe kauzën tuaj, për të cilën duhet të vazhdoni të këmbëngulni, po e trajtoj me shumë seriozitet ligjor, institucional dhe personal, jo vetëm në cilësinë e Kreut të Shtetit, por edhe si një qytetar shqiptar dhe si prind. Ju garantoj se përsa kohë do të jem në këtë Zyrë, nuk do ta zhgënjej asnjëherë interesin publik të qytetarëve”, ka thënë Presidenti Nishani.