Presidenti Begaj telefonon komandantin e KFOR për tensionet në Veri të Kosovës: Jemi në mbështetje tuaj, askush të mos cënoj sovranitetin

120
Sigal

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me komandantin e KFOR, Angelo Michele Ristuçia, lidhur me tensionet në Veri të Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e KFOR-it, përmes një postimi në Twitter, ku thuhet se KFOR-i ka marrë mbështetje të plotë nga Shqipëria për zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës.“Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuçia, zhvilloi një bisedë me Bajram Begaj. Presidenti i Republikës së Shqipërisë shprehu mbështetjen e plotë për misionin e KFOR-it dhe aktivitetet e tij, si dhe u uroi shërim të shpejtë ushtarëve të lënduar në demonstrata”,- thuhet në reagimin e KFOR-it në “Twitter”.

Më herët Begaj u shpreh: “Dënoj ashpër keqpërdorimin e popullsisë serbe të Veriut të Kosovës dhe dhunën e papranueshme ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR në Kosovë. Asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, që tregon rrugën e duhur të zgjidhjes së problemeve të hapura dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, si dhe të drejtën e saj për të ndërtuar e konsoliduar institucionet demokratike dhe multietnike”, ka shkruar Begaj.