Presidenti Bajram Begaj- deputetëve: Lufta ndaj korrupsionit për Shqipërinë! Kuvendi të garantojë balancën e pushteteve dhe të mbrojë interesat e popullit

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka ndarë një mesazh për Kuvendin, me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Ai theksoi në mesazhin e tij se Kuvendi duhet të përqendrojë përpjekjet në objektivin kryesor kombëtar, anëtarësimin në BE dhe për të arritur këtë objektiv, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është parësore.

 Pjesë nga mesazhi  i Presidentit Begaj: “Sesioni i ri parlamentar hapet në një kohë që do ta cilësoja shpresash e pritshmërish. Ne shqiptarët kemi treguar se dimë të arrijmë rezultate kur duam dhe kur bëhemi bashkë. Plotësimi i kuadrit ligjor për mundësimin e votës së Diasporës në zgjedhjet e ardhshme është një gur kilometrik dhe dëshmi e vullnetit dhe e përgjegjësisë sonë të përbashkët. Duhet këtu, në këtë Kuvend, të ngjizet e të lulëzojë si pasqyrë e rritjes sonë të përbashkët dialogu qytetar e demokratik mes forcave politike, mendimeve e qëndrimeve të ndryshme. Të nderuar deputetë, Më lejoni të theksoj se nismat legjislative duhet të bazohen në shqetësimet reale të qytetarëve tanë dhe në sektorë të ndryshëm, si: ekonomia, shëndetësia, drejtësia, arsimi, mjedisi dhe drejtësia sociale midis të tjerave. Të nderuar deputetë,

Sigal

Një çështje që ka të bëjë sa me integrimin evropian, aq edhe me zhvillimin e vendit, është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, një element që fatkeqësisht po kthehet në refrenin e gjithhershëm të çdo fjalimi. Parlamenti duhet të mbështesë plotësisht reformën në drejtësi, institucionet tona të drejtësisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, duke forcuar kapacitetet e tyre financiare, njerëzore dhe infrastrukturore.Inkurajoj Kuvendin të promovojë politikën e antikrimit dhe antikorrupsionit si një përballje reale me një të keqe që duhet ta luftojmë në çdo nivel e çdo fushë të këtij fenomeni gërryes për ekonominë dhe kërcënues për demokracinë. Të nderuar deputetë:- Ne shqiptarët jemi prezentë në mbarë globin duke shkëlqyer në fusha të ndryshme, nga teknologjia, tek arti. Kombi ynë përfaqësohet çdo ditë e më shumë prej individëve, puna, përpjekja dhe arritja e të cilëve rrezatojnë ndërkombëtarisht dhe na bëjnë krenar.
Shqipëria është një vend që triumfon, pavarësisht vështirësive, një vend i bekuar për nga natyra dhe me natyrë njerëzore rrezatuese të vlerave me të mira mesdhetare e evropiane.

Në këto kohë kur sakrificat e brezave po kthehen në mbështetje të gjeneratave të reja, duke i kthyer sfidat e ndryshme globale e rajonale në mundësi për vendin tonë, është e domosdoshme që parlamenti të bëhet aleati kryesor i përparimit të vendit tonë.”