Presidenca reagon për Komisionin Hetimor Parlamentar: Çdo kandidat që ka përfituar mandat me krime zgjedhore, s’ka të drejtë të ulet në Kuvend

282
Sigal

Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale thotë se procesi zgjedhor i 25 prillit, ende nuk ka përfunduar. Sipas Blushit, organizatat prestigjioze ndërkombëtare që merren me standardet e zgjedhjeve, po reagojnë sipas tij, për manipulimet e ndodhura. Ai rendit të gjitha shkaqet që kanë dërguar në manipulimin e votës. Blushi nxiti institucionet e drejtësisë që të hetojnë rastet e të mos lejojnë të ulen në Kuvend, personat që sipas tij, e kanë fituar mandatin në mënyrë jo të ndershme.

Reagimi  i Tedi Blushit:

Procesi zgjedhor i 25 prillit akoma nuk ka përfunduar. Organizatat prestigjioze ndërkombëtare, që merren me standardet e zgjedhjeve, përditë po reagojnë qartë për të vërtetën reale të këtyre zgjedhjeve. Të gjithë jemi dëshmitarë se:

– Blerja e votës ka qenë një fenomen masiv;

– Qeveria përdori asetet dhe fondet publike në interes të saj politik në fushatë;

– Procesi i vaksinimit të popullatës u shfrytëzua në funksion të fushatës së partisë në pushtet;

– Të dhënat personale të qytetarëve u keqpërdorën në mënyrë kriminale;

– Emigrantëve nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut ju mohua padrejtësisht e drejta për të votuar;

– Lejet e legalizimit dhe shpërblime të tjera të kësaj natyre u dhanë për të siguruar votën e zgjedhësve;

– Kontratat e Koncesionit vërshuan lumë gjatë procesit zgjedhor;

– Fondet e rimbursimit për tërmetin u bllokuan për muaj me radhë, që të keqpërdoreshin dy ditë para zgjedhjeve.

Të gjitha krimet zgjedhore duhet të zbardhen, pa vonesë dhe të gjithë ata zyrtarë, të çdo niveli, të cilët kanë konsumuar vepra penale për cenimin e standardeve të procesit të 25 prillit duhet të përgjigjen përpara ligjit. Të gjithë duhet ta ndihmojmë drejtësinë me fakte e të dhëna, që zbardhin të vërtetat e këtij procesi. Cilido, që ka kryer krime zgjedhore duhet të ndëshkohet dhe nuk e meriton mandatin për në Kuvendin e Shqipërisë. Çdo kandidat, që ka përfituar mandat me krime zgjedhore nuk ka të drejtë të ulet në Kuvend dhe të përfaqësojë popullin shqiptar. Është tepër e rëndësishme, që çdo votë të numërohet dhe rinumërohet me transparencë deri në fund, sipas Kodit Zgjedhor. Çdo proces ankimor dhe kushtetues të shqyrtohet me objektivitet dhe paanësi. Drejtësia duhet të funksionojë tani! Kjo është e rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit dhe asnjë “shashkë”, që synon të shpërqëndrojë fokusin nuk meriton asnjë sekondë vëmendje.