“Prej javësh në ngërç”- Presidenti Meta thirrje qeverisë: T’i rikthehet frymëmarrja futbollit shqiptar

264
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas kërkesave të Ligës së Futbollit, për kushte më të mira ekonomike.Me një shënim në facebook, Presidenti Meta thotë se futbolli shqiptar, prej disa javësh ndodhet tashmë në ngërç.

Ai i bën thirrje qeverisë që të marri masa për t’i dhënë “frymëmarrje futbollit shqiptar”.

Postimi i plotë:

Kriza e thellë kushtetuese, institucionale dhe përfaqësuese po përshkallëzohet në përmasa shqetësuese në të gjithë sektorët.

Futbolli shqiptar, krenaria jonë kombëtare, prej javësh ndodhet në një ngërç, për shkak të vendimit për shtyrjen e datës së fillimit të kampionatit të Kategorisë Superiore, sezoni 2020 / 2021, që duket se do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar në mungesë të vullnetit për gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme.

I njohur me kërkesat e drejta të Ligës Profesioniste të Futbollit, i bëj thirrje qeverisë që përmes dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të angazhohet për t’i rikthyer frymëmarrjen futbollit shqiptar, që ka kohë që ndodhet në vështirësi dhe sot kërkon vëmendje e mbështetje nëpërmjet një baze të sigurt ligjore.