Prefektët “vishen” me uniformë

521
Emërimi i 12 Prefektëve, ja çfarë mendojnë analistët dhe ish-ushtarakët 
Vendimi i kryeministrit Rama për të larguar në bllok 12 prefektët dhe zëvendësuar ata me ushtarakë, është komentuar në mënyra të ndryshme
Mesditën e djeshme kryeministri Edi Rama shkarkoi në bllok 12 Prefektët në të gjithë vendin dhe i zëvendësoi ata me 12 ish-ushtarakë në rezervë. Është hera e parë që një kryeministër të bëjë një lëvizje të tillë. Ndonëse Prefektët nuk kanë rol kryesor në qeverisjen lokale, ata kanë të drejtë gjithsesi të firmosin çdo urdhër të kryeministrit. Vendimi i Ramës është konsideruar i drejtë nga një pjesë e analistëve dhe ish-ushtarakëve. Të tjerë e kanë konsideruar një veprim që bëhet prej tij për të larguar vëmendjen nga gjendja e krijuar në vend. Për gazetën “Telegraf” kanë dhënë mendimin e tyre, gazetari Basir Çollaku, kreu i INFOCIP Gerti Shella, Presidenti i Shoqatës së ushtarakëve në rezervë, Thoma Konduri, ish-kolonel Pëllumb Zaimi dhe Pedagogu i ekonomikut, Ilir Kaduku. 

Gerti Shella: Drejtor INFOCIP
Emërimi i 12 prefektëve të rinj është një lëvizje normale në kuadër të aktivizimit në të gjitha nivelet e drejtimit të mandatit të dytë qeverisës që Rama mori në 25 Qershor 2017. Prefektët janë pikat ndërlidhëse të pushtetit qendror dhe atij vendor dhe funksioni i tyre ligji është legjitimimi i vendimmarrjes bashkiake. Kjo e fundit, për hir të së vërtetës, ka manifestuar shpesh herë defekte serioze dhe, për fat të keq, një pjesë e prefektëve, nga ata që u larguan sot prej kryeministrit Rama nuk e kanë kryer këtë funksion ligjor. INFOCIP ka të evidentuara raste flagrante kur prefektë të caktuar kanë autorizuar vendimmarrje anti-ligjore të këshillave bashkiakë dhe një pjesë e tyre, madje kanë rrëshqitur në kufijtë e shpërdorimit të detyrës. Koha do ta tregojë, se ku dhe si kanë gabuar disa nga prefektët që sot janë larguar nga postet e tyre për t’u zëvendësuar me të tjerë. Kryeministri Rama, në ushtrim të pushtetit të tij, që është realisht i madh në këtë mandat të tij të dytë, po kërkon të rifreskojë levat kontrolluese në nivel vendor. Sa kohë, që ligjshmërie respektohet, unë nuk shoh asgjë të keqe në këtë drejtim. Sa kohë, që ish-prefektët kanë mbyllur sytë dhe kanë konsumuar në disa raste paligjshmëri, mendoj se veprimi i sotëm është në funksion të nevojës së madhe, që sot shqiptarët kanë për mirëqeverisje dhe respekt të ligjshmërisë. Koha do ta provojë sinqeritetin e kësaj lëvizjeje, por mund të them, se situata e prefektëve sot është ndër më të këqijat në vite. Në këtë kuptim, lëvizja e sotme është vetëm për t’u përshëndetur. Nga ana tjetër, pas një vitit Shqipëria do të hapë kapitullin e zgjedhjeve vendore të radhës dhe roli i prefektëve është gjithsesi për të mos u neglizhuar në këtë drejtim. Mendoj që kryeministri Rama po nivelon terrenin qysh sot në këtë drejtim.

Basir Çollaku: Gazetar
Rama është në hall për lajme, të cilat marrin vëmendje periferike që të shpëtojë nga kaosi në qendër. E provoi me shembje të ndërtesave në Himarë, por nuk i shkrepi. Tani sajon një lajm ushtarak që të kujton kohën e Enverit “I gjithë populli ushtar”. Sikleti ka një emër. Të shmanget vëmendja nga çështja “Tahiri”. Sepse ajo është një ngjarje e rëndë brenda së cilës Rama ka implikime të tëra të ekipit të tij. Kjo dosje është hapja e telasheve që mund ta bëjë Ramën ish-kryeministër. Tahiri dhe Kodheli, kjo e dyta për radarët, janë emrat e dy ministrave të tij në një hall, jo të vogël me drejtësinë. Mediat kanë përfolur dhe ministrin Gjiknuri në shoqërinë e Habilajve. Ndaj pagjumësia e kryeministrit lidhet me dosjen “Habilaj –Tahiri”

Ai e ka larguar ish – ministrin nga partia e nga çdo funksion, duke e dënuar në një farë mënyre politikisht, duke e asgjësuar në çdo funksion partiak. Tani na dalin prefektët ushatarakë. A jemi në gjendje të jashtëzakonshme që duhet të prodhojmë profile pilicore dhe ushtarake në sa më shumë detyra?! Ata janë funksionarë të emëruar nga Kryeministri dhe kjo e gjitha është më tepër teatër. Asnjëri prej tyre dhe më përpara nuk është se ka pasur gjë në dorë. Thjesht prefekti sot është një roje godine dhe noterizon urdhër-porositë e vendimet e KM. Të tjerat…, të presim mos na emërojë dhe katër gjeneralë drejtorë të drejtorive arsimore. Në kohë lufte, siç i duket gjendja Ramës, ai e sheh veten të rrethuar nga ushtarakë, sepse mbase i japin siguri teorike.
Thoma Konduri, President i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë
Shoqata kombëtare e ushtarakëve ne rezervë të Shqipërisë, sot pasi u informua përmes medias me vendim e qeverisë të republikës së Shqipërisë, për emërimin e 12 prefektëve të rinj të vendit shpreh gëzimin dhe kënaqësinë e madhe për këtë vendim. Emërimi në detyrën prefektit të 12 ushtarakëve të lartë në rezervë është një vlerësim i madh dhe i merituar në bllok, që kjo qeveri i bënë figurës së ushtarakut.

Kolegët tanë që u emëruan sot, por edhe qindra të tjerë, të cilët kanë ndërprerë karrierën aktive, janë pasuri e madhe e vendit, sepse ata janë kapacitete intelektuale, njerëz me përvojë organizuese dhe drejtuese, të përkushtuar ndaj detyrës, figura të pastra moralisht të sakrificës dhe të edukuar me disiplinën e punës. Aktivizimi nga qeveria e këtyre kapaciteteve do të rritë nivelin e shërbimit ndaj popullit. Administrata do të marrë rrugën e kërkuar nga populli. Është hera e parë që ushtarakët vlerësohen në këtë mënyrë dhe nivel. Presim dhe shpresojmë që ky fillim të jetë në programin e çdo qeverie, sikurse ndodh në vendet demokratike për të vënë në eficencë kapacitetet që përgatit ushtria deri në limitet ligjore në interes të vendit si dhe duke ndërprerë papunësinë e intelektualëve. Çmojmë dhe falënderojmë shumë qeverinë për këtë akt të lartë vlerësimi ndaj ushtarakëve të vendit tonë.
Pëllumb Zaimi, ish-Kolonel 
Janë të gjithë ushtarakë pa emër të lidhur si mishi me thuan me rilindjen edviniste. 
95 për qind e këtyre ushtarakëve të emëruar nga Rama janë agjenturë e Rilindjes dhe të panjohur nga shumica e ushtarakëve. Unë njoh vetëm Maksim Malajn.
Le t’ju thotë Rama gradat që kanë pasur. Asnjë me gradë madhore dhe shumica të graduar nga ministrat e Sali Berishës. Nga 25000 ushtarakë të liruar Edvini shpërbleu vetëm 12 ushtarakë të lidhur me bandën rilindëse dhe lau duart. Thoma Konduri dhe Zyhdi Kroi janë rrogëtarë që paguhen nga toka e nëndheshme e pushtetit ushtarak rilindës, gjoja në emër të financimit të shoqatës. Por nën këtë maskë paguhen rrogëtarët e saj të diversionit në radhët ushtarake. Konduri është agjenturë politike, prandaj ne jemi ndarë njëherë e përgjithmonë me atë agjenturë. Thoma Konduri është minoritar grek nga Gjirokastra dhe është turp që një grek të jetë kryetar i një shoqate ku shumica e ushtarakëve janë shqiptarë e jo minoritare. Konduri është Janullatosi i kishës në radhët e ushtarakëve. Nuk ka më turp për ushtarakët shqiptarë t’iu prijë Janullatosi ushtarak pas atij kishtar. 

Gjithçka në emërimin e ca ushtarakëve të panjohur si prefektë bëhet me qëllimin e ndyrë diversionist të amortizimit të zemërimit të ushtarakëve për shkak të mos mbajtjes së premtimeve dhe për shkak të vazhdimit të trajtimit të tyre me ligjet e Sali Berishës.
Sigal