PPE thirrje shqiptarëve: Është koha të mbroni demokracinë

238
Sigal

Zëdhënësi i Partive Popullore Europianë, grupit më të madh në PE Michael Gahler: Unë i konsideroj me shumë keqardhje qëllimet e vërteta të qeverisë Rama, e cila theu konsensusin e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët. Ajo që bëri Edi Rama dëmton  edhe Shqipërinë. “La Rrepublika”: Kryeministri synon të bëhet i gjithpushtetshëm. Doris Pack: Rama luan lojë të rrezikshme, vendet e BE të zgjohen

PPE-ja  po i bën thirrje popullit shqiptar: Ka ardhur koha të mbroni demokracinë

Brukseli ka qenë i qartë: Edi Rama po dëmton nisjen e negociatave. Gjermania ka qenë akoma më e prerë. Kurse PPE-ja, grupimi më i madh politik në Europë, ka folur me një gjuhë të ashpër. Ata kanë kërkuar për Reformën Zgjedhore, në mënyrë që të plotësohet një kusht për nisjen e negociatave. Këtë herë, pasi Edi Rama miratoi në mënyrë të njëanshme ndryshimet kushtetuese, PPE-ja  është e drejtpërdrejtë: “Populli shqiptar duhet të mbrojë demokracinë. Ajo që po bën Edi Rama nuk është një gjë që dëmton vetëm opozitën politike, por Shqipërinë dhe fatin e saj”. Deklarata e fortë u bë nga zëdhënësi i PPE-së në Parlamentin Europian, Michael Gahler, i cili shkruan: “Për miqtë e mi në Facebook që kanë një interes të drejtperdrejt mbi Shqipërinë: Unë i konsideroj me shumë keqardhje dhe të diskutueshme qëllimet e vërteta të partisë qeverisëse së Shqipërisë, e cila theu konsensusin e arritur  me ndërmjetësim ndërkombëtar me opozitën dhe dje ndryshoi në mënyrë të njëanshme kushtetutën. Nuk mund të jetë e pranueshme për askënd që qeveria Rama, e cila synon hapjen e negociatave të pranimit me BE-në të iniciojë në mënyrë arbitrare  ndryshimet e rregullave  të garës elektorale. Nëse kjo qeveri dëshiron realisht hapjen e negociatave e pranimit me BE-në, si mund të mos pranojë këshillat e Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe shteteve anëtare respektove, për një çështje kaq të ndjeshme dhe themelore për demokracinë? Grupi i PPE-së do të vëzhgojë me kujdes veprimet e ardhshme në lidhje me kodin zgjedhor dhe do të nxisë me forcë që të arrihet konsensusi me opozitën brenda Këshillit Politik. Varet nga partitë dhe shqiptarët, nëse do ta mbrojnë demokracinë dhe perspektivën e tyre europiane.”

Doris Pack: Rama po luan një lojë të rrezikshme, vendet e BE-së të zgjohen!

Doris Pack, kryetarja e Forumit të Gruas së Partive Popullore Europiane (PPE), ka reaguar ashpër për votimin e njënashëm të ndryshimeve Kushtetuese nga Parlamenti i Shqipërisë, ditën e djeshme. Në një mesazh në rrjetet sociale, Pack shprehet se kryeministri Edi Rama po luan një lojë të keqe dhe të rrezikshme për Shqipërinë. Pack shprehet se, “janë shumë për të ardhur keq dhe të diskutueshme, qëllimet e vërteta të socialistëve në pushtet, që thyen konsensusin e arritur me opozitën, bashkë me ndërkombëtarët. Pardje u ndryshua në mënyrë të njëanshme Kushtetuta”. Ish-eurodeputetja e njohur u bën thirrje vendeve dhe institucioneve të BE-së që të zgjohen dhe të reagojnë. Mesazhi i Pack  vjen pas disa deklaratave  kontradiktore të deputetëve të PE-së, ku votimi i djeshëm vlerësohet si pozitiv. Në fakt, një pjesë e tyre ose nuk kanë informacion për ndryshimet kushtetuese, ose janë pjesë e lobimeve të PS-së”.

“La Repubblica” “fshikullon” kryeministrin: Edi Rama pas 18 -viteve në pushtet synon të jetë i gjithëpushtetshëm

Një prej gazetave më të mëdha në Itali “La Repubblica”, i ka kushtuar një artikull qeverisjes së Edi Ramës në Shqipëri, ku ka pyetur edhe zëra brenda vendit tonë për çështjet më të nxehta të kohëve të fundit.

Në një speciale për Edi Ramën, media prestigjioze shkruan se si kryeministri shqiptar tashmë është bërë (një artist) i gjithëpushtetshëm. Në artikull nënvizohen disa nga rekordet negative të Ramës, ndryshe,  siç thotë gazetari italian, nga sa portretizohej ai në një intervistë të dy viteve më parë për të njëjtën gazetë.

“Kryeministri shqiptar i ka mbyllur gojën medies. (ka shkatërruar Teatrin Kombëtar). Por nga ne dhe në Europë, mbeten ende përshtypjet e shkëlqyeshme. Përse?”, -pyet gazetari italian  Raffaele Oriani.

“Kanë kaluar muaj të karantinës së lodhshme, që i dhanë mundësinë Shqipërisë të mbajë nën kontroll numrat nga pandemia, pavarësisht emigracionit të vazhdueshëm të mjekëve dhe infermierëve. Në 17 maj, para se të kthehet në normalitet, ka edhe një gjë të fundit për të bërë. Në orën 4 të mëngjesit, një ruspë, në heshtjen e 70 netëve karantinë, shkatërron Teatrin në qendër të Tiranës.

Skandali është gjigant, dëmi është i madh për imazhin e Edi Ramës, artisti që pas 11 -viteve në Bashki dhe 7- viteve në qeveri, ende lufton për të qenë një politikan, ndoshta i pariparueshëm”, -vijon më tej artikulli i “La Repubblica”. “Por a nuk ishte ai lideri model i nisur drejt zhvillimit ekonomik dhe Bashkimit Europian? Në Shqipëri, le të themi , se mandati i parë i qeverisjes iu dedikua punës. I dyti, pushtetit”, -shprehet për gazetën italiane analisti Afrim Krasniqi. “Rama nuk bën përjashtim, dhe që prej rizgjedhjes në 2017-ën , ai ka humbur vrullin reformator”. Më tej, në artikull përmenden disa raste të censurës në medie, si dhe tentativa e qeverisë së kryeministrit Edi Rama për të kaluar ligjin “anti-shpifje”,  të kundërshtuar fort edhe nga institucionet ndërkombëtare.

“Ky ligj antishpifje tentoi të eleminojë edhe ata pak zëra të mbetur”, – shprehet gazetari investigativ, Besar Likmeta. “Klima për gazetarët është shumë e rëndë. Për të mos u sulmuar, duhet të kufizohen në opinione, sepse sapo të prekin faktet, janë nën shënjestër”.

Në artikullin e medies së njohur trajtohen edhe problemet e të rinjve, që për shkak të papunësisë në vend zgjedhin emigracionin, shpesh në rrugë të paligjshme.