POSTIERI GRABIT 15 MILIONË LEKË TË PENSIONISTËVE DHE IKËN NË DREJTIM TË PADITUR

584
Sigal

Drejtuesit rajonalë të Postës paditen nga bashkia, se kanë marrë paga të tepërta

“Kur shteti është në kaos, rrëmbe ç’të mundësh!” Është kjo një shprehje e vjetër, të cilën më mirë se kushdo e kanë kuptuar punonjësit e Postës Shqiptare, të degës rajonale të Korçës. Duhet pranuar fakti që Posta Shqiptare falë punës dhe vizionit të drejtuesve ndër vite, por edhe këtyre aktualë kanë bërë të mundura që ajo të jetë pjesë e rrjetit “Euro Med Postal”. Aktivitetin e saj ajo e kryen në mbështetje të Ligjit nr. 46/2015 “Për Shërbimet Postare në Republikën e Shqipërisë në të cilin janë të përcaktuara rregullat për ofrimin dhe sigurimin e shërbimeve postare dhe shërbimin universal postar, si dhe kushtet për akses në rrjetin postar në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, përcakton institucionet përgjegjëse për rregullimin e shërbimit postar, si dhe të drejtat dhe detyrimet e ofruesve dhe përdoruesve të shërbimeve postare në Republikën e Shqipërisë. Në mbështetje dhe zbatim të funksionit të ligjit kanë dalë edhe disa Vendime të Qeverisë nr. 1039, datë 16.12.2015 dhe nr.241, datë 31.03.2011 në të cilën përcaktohet se: Kryeministria, ministritë, institucionet e sektorit publik, veprimtaria e të cilave mbështetet në pronën publike, shtetërore, institucionet e qeverisjes vendore, si dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, si për llogari të tyre, ashtu edhe në shërbim të shtetasve e anasjellas, të realizojnë nëpërmjet “Posta shqiptare” sh.a, këto shërbime:

  1. a) shërbimet postare;
  2. b) shërbimet financiare, që nuk bien në kundërshtim me legjislacionin aktual;
  3. c) Shërbime, që janë në përputhje me veprimtarinë e “Posta Shqiptare” sh.a, të cilat ngarkohen me vendim të Këshillit të Ministrave ose ministrit që mbulon veprimtarinë e shërbimeve postare.

Pra Ligji, VKM , Urdhrat dhe Udhëzimet janë të plota.

Por sa zbatohen dhe sa korrekt janë drejtuesit qendrorë dhe sidomos ata të degëve të postës shqiptare në qarqe?

  • A e çojnë ata shërbimin tek qytetari?
  • A kontrollohen punonjësit për shërbimet nga drejtuesit e këtyre postave?
  • Mos vallë drejtorët dhe shefat e zyrave e shikojnë vendin e punës si një lopë që mund ta mjelin kur të duan dhe si të duan?

E bëmë këtë hyrje për të treguar një rast skandaloz të grabitjes së parave të shtetit por edhe shqetësimeve që krijohen tek pensionistët. Pikërisht në Degën e Shërbimit Postar të Korçës, shpërndarësi i parave të pensioneve ka ditë që është zhdukur në drejtim të paditur duke marrë me vete edhe rreth 15 milionë lekë, të destinuara nga qeveria për t’ua shpërndarë pensionistëve. Ndoshta hetimet e thelluara do të nxjerrin në pah se shuma mund të jetë edhe më e madhe. Por më saktësisht do të duhet të gjendet shpërndarësi i postës bashkë me paratë e tërhequra për llogari dhe në shërbim të pensionistëve të rrethinave të Pogradecit, e cila varet nga Dega Rajonale Korçë. Lind pyetja? A ka një përzgjedhje të këtyre punonjësve dhe pse Korça është ndoshta zona më problematike në këtë shërbim? Ka një rregull në bankë për punonjësit që punojnë me vlera monetare, rregullat e së cilës duhet të funksionojnë edhe në shërbimin postar, për personat që shpërndajnë paratë. Nuk po futemi në denoncimet e shumta që kanë ndodhur në shumë rrethe edhe më parë si në Korçë, Burrel, Vlorë etj., ku personat që zgjidhen për shpërndarjen e parave janë të lidhur me titullarin, pasi mijëra pensione për 100 lekë (1 $ ) që përfitojnë nga shërbimet, si në kohë, apo në banesë, dihet sa vete shuma në fund të muajit. E nëse këtë shumë që përmendëm më lart edhe sikur të përgjysmohet (jo 100 lekë, por 50 lekë) në fund të muajit për 5-6 mijë pensione shuma vete më e madhe se rroga e kreut të qeverisë apo të shtetit. Madje në Korçë ka edhe një çështje të hapur në prokurori për abuzime të kryera nëpërmjet zhdukjes së librave të shpërndarjes. Pra, thuhet se pensionistit iu dha shërbimi në banesë, pavarësisht se ai ka shkuar dhe e ka tërhequr në pikën postare. Në fund këtij numri i shtohet vlera (1 $) për shërbimin. Por le t’i kthehemi ngjarjes së turpshme, e cila po përpiqet të kalohet në heshtje nga drejtuesit e shërbimit postar rajonal të Korçës. Dhe kjo heshtje ka një arsye. E para, personi është i besuar i titullarëve lokalë të degës rajonale?! E dyta, dhe më kryesore, vetë drejtuesit kanë lejuar dhe urdhëruar abuzimin nëpërmjet dhënies së shumës mbi limitin e përcaktuar nga Udhëzimi i Postës Qendrore dhe VKM. Ky udhëzim nuk lejon që për zona të thella të tërhiqen më shumë se 350 mijë lekë të reja, dhe për qytetet deri në 500 mijë lekë. Kur postieri sjell kondra-fletën e shpërndarjes dhe të firmosur nga pensionisti i jepet pjesa tjetër e parave dhe kështu vazhdon cikli me radhë. Atëherë kush e ka lejuar punonjësin e postës të tërheqë 12 apo 15 milionë lekë në një dorë? Kjo është arsyeja që hetimi duhet të jetë i plotë dhe i thelluar. Por punonjësi e di mirë se, nëse ka përballë një drejtues korrekt dhe pasqyrë të së vërtetës, vështirë se e merr mundimin që të grabisë. E theksuam këtë fakt, pasi drejtuesit lokalë të drejtorisë rajonale të Korçës janë në procese gjyqësore, të paditur nga Bashkia e Maliqit për marrje në mënyrë të paligjshme të pagave dhe shpërblimeve dhe moskthimin e tyre. Po mirë këshilltarët që janë larguar, nuk i kthejnë paratë e shtetit po këta zotërinj dhe zonja që janë në punë shteti a kanë pak moral? Po si mund t’i dalë përpara stafit dhe nëpunësve deri tek ai postieri, kur vetë ka marrë paratë e shtetit dhe nuk i kthen?! Drejtuesit e Postës Shqiptare nuk duhet të lejojnë të nëpërkëmbet puna, përkushtimi dhe imazhi i tyre në sy të qytetarëve dhe pensionistëve nga disa drejtues lokal të korruptuar, edhe pse dikush prej tyre pretendon se ka mbështetje të shefave të sektorëve në Drejtorinë e Përgjithshme dhe shtrohet me ta nëpër lokale me mish të pjekur.