Populli në luftë, qeveria “orgji” me tendera!

106

“Jemi në luftë”-thotë kryeministri ynë, çka sipas tij që të gjithë duhet të sakrifikojnë shumë për të shpëtuar jetë. Ai ka vënë në zbatim atë që di të bëjë më mirë: “masa shtrënguese”. Gjoba të rënda, madje edhe burg për këdo që shkel rregullat e vendosura në izolimin total të vendit dhe kushdo individ (jo zyrtar), që bredh rrugëve me mjet apo në këmbë e pret një gjobë e majme.

Po i kërkohet kryesisht biznesit të vogël dhe të mesëm që të saktrifikojnë. Ata sërish duhet të tresin atë pak ekonomi që kanë vënë, e cila nuk shkon më shumë se pak muaj mbijetesë, të tyren por edhe të qytetarëve të kanë punësuar. Mbi ta do bjerë shpata e madhe në emër të pandemisë së coronavirusit, ndërsa pjesa tjetër e biznesit, ai grusht i vogël oligarkësh po bën edhe më shumë para në kohë krizash.

Dhjetëra tendera dhe koncesione vijojnë edhe pas shpërthimit të frikshëm të coronavorusit në Shqipëri, ndërsa kryeministri vijon të bëjë eksperimentin më të rëndë social, duke luajtur fort edhe me “urinë kolektive”. Sa mban një popull i mbyllur në karantinë shtëpiake? Sa duron një i prekur me coronavirus pa iu kryer analizat dhe ofruar shërbim spitalor? Sa mban mendja e tyre nëse bombardohet çdo ditë me propagandë?

Që të gjitha këta eksperimente kolektive sot po sjellin efektet e para të cilat analizohen në zyrën e kryeministrit, bashkë me stafin e tij të ngushtë. Deri tani eksperimenti i tyre po jep rezultatet që prisnin. Populli është i frikësuar dhe sa herë kërkon ndonjë të drejtë, kryesisht shërbimet shtetërore dhe përkrahje, i kujtohet se jemi në kohë të jashtëzakonshme dhe nga fjalori kryeministror dalin tre fjalët “magjike”:Luftë…, bombardime, vdekje!

Njerëzit sërish heshtin, i zbusin kërkesat dhe kanë nisur të besojnë edhe fjalët e kreut të qeverisë që vijon e vijon me eksperimente edhe më të rënda. Një prej tyre është abuzimi me ato pak fonde publike dhe qëllimi që pasi të kalojë kjo pandemi, i pasuri të dalë edhe më i pasuruar dhe i varfëri më i gjymtuar, fizikisht dhe mendërisht, por të ketë aftësi vetëm për të votuar, sigurisht për Rilindjen…!

Një grup i vogël oligarkësh po vijonë të fryjnë llogaritë e tyre bankare nga tenderat publik, koncesionet dhe ofrimin e shërbimeve të tjera që po e shesin shumë shtrenjt. Asnjë koncesion që i ka zënë frymën vendit jo vetëm nuk po pezullohet, por përkundrazi në ditët e coronavorusit po përshpejtohen pagesat e majme për ta.

Të prekurit me virusin “COVID-19” as mos e ëndërrojnë se do hospitalizohen. Ata duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe vetëm nëse janë në gjendje tepër të rëndë mund tu sigurohet një shtrat nëpër spitale. Kjo masë nuk është vetëm pjesë e “ekspetrimentit social”, por edhe si nevojë, pasi vetë kryeministri është mëse koshient për sistemin shëndetësor që ngriti me duart e tij, i cili ka gllabëruar qindra milionë euro, por shërbimet sërish janë katastrofë.
Kur vendin e ka pllakosur heshtja dhe frika, po gëlojnë tenderat dhe pagesat për koncesione, duke u përhapur edhe më shpejt se coronavirusi. Kush ngre krye nga qytetarët i kujtohet lufta, bombardimi, vdekja!/Nga BoldNews.al