Pollo: Rama konfrontim të hapur me Brukselin, shqiptarët të dalin në rrugë…

305
Sigal

Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë vendosi të rrëzojë dekretin e Metës, dhe të kalojë të enjten për miratim Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ish-deputeti i PD, Genc Pollo e sheh këtë xhest si refuzim të opinionit të komisionerit të Zgjerimit Várhelyi, i cili tha se duhej pritur opinioni i Komisionit të Venecias për rastin.

Sipas Pollos, Rama po konfrontohet hapur me Brukselin dhe po e largon më shumë integrimin. Në këto kushte ai tha se shqiptarët duhet të dalin në rrugë për ta larguar ose duke votuar në masë kundër tij më 25 prill.

Ja reagimi i plotë i Genc Pollos: 

Edi Rama refuzoi sot sërish Komisionerin e Zgjerimit Várhelyi i cili i kishte kërkuar vetëm që ligji elektoral të mos devijonte nga normat europiane dhe të priste e të respektonte Komisionin e Venecias. Kështu është vepruar gjimonë në Shqipëri në tridhjet vitet e fundit. Madje jo vetëm tek ne por në tërë Europën e më gjerë.
Edi Rama sinjalizoi jo vetëm me fjalë goje por edhe me kartonë të kuq se atij nuk i intereson Shqipëria në Bashkimin Europian dhe vlerat europiane në Shqipëri. Jo se nuk e ka bërë këtë më parë; por gjithësesi është orvatur të fshehë dorën mbasi ka hedhur gurin. Me kalimin e viteve në pushtet orvatjet e tij u bënë gjithnjë e më të pasuksesshme. Por sot Rama konfrontohet hapur me Brukselin. Sot edhe Brukseli ka folur açik për Ramën. Që t’a dëgjojnë edhe ata që nuk kanë patur sy për të shikuar e veshë për të dëgjuar.
Se nuk është faji i shqiptarëve që Maqedonia e Veriut do të hapë e para negociatat duke u shkëputur nga Shqipëria. Nuk është faji i tyre që mund të ngecim vite të gjata mbas maqedonasve e të tjerëve në Ballkan.
Por është përgjegjësi e tyre që me të gjitha mjetet demokratike të largojnë gërmadhën që bllokon rrugën; gërmadhën që quhet Edi Rama. Ta largojnë duke dalë në rrugë dhe në 25 prill duke votuar në masë.
Gjithësesi faleminderit Komisionerit, eurodeputetëve e të tjerëve që nuk u kursyen për të na ndihmuar; dhe folën qartë si kurrë më parë për të treguar edhe problemin edhe zgjidhjen. GP