Politikat standarde të qeverisë dhe xhaketat e vjetra

503
Sigal

Politikat standarde  janë e keqja më e madhe e shqiptarëve. Për më shumë se 23 vjet politika dhe e qeverisja kanë qenë  vetëm për shtresat e paprivilegjuara. Shtresat e ulëta kanë përfituar vetëm përbuzjen, pensionet e rroga të vogla, rrugë të prishura,etj.. Këto politika diskreditive, që nuk përfaqësojnë shtresat e popullsisë, që nuk i përgjigjen kërkesave, nevojave dhe objektivave të tyre, e kanë futur  vendin në një rreth vicioz. Gjithkush nga ne, pret të rriten rrogat e pensionet, të shtohet ndihma ekonomike për familjet në nevojë. Banorët e fshatrave presin të bëhet një rrugë  e re  dhe jo me çakëll deri në fshatin e humbur. Kjo mënyrë jetese dhe mendimi nuk bën gjë tjetër vetëm se diferencon shtresat shoqërore dhe lejon qeverisjen kaotike pa objektiva zhvillimi e strategji. Kjo mënyrë e zhvillimit politik e qeverisjes, nuk lejon të krijohet një shtresë e mesme, që është shtresa që vë në lëvizje  shoqërinë dhe vendin. Aktualisht, sot në Shqipëri ka një diferencim shumë të madh midis atyre që janë shumë të varfër me ata që janë të pasur. Pavarësisht nga kjo situatë, askush nuk ka një ide të qartë për  prioritetin e shtresave të varfra, të mesme, por kujdesi fokusohet tek shtresa e pasur. Po të shikosh deklaratat e partive politike si gjatë edhe pas fushatave përmendin rritjen e pensioneve, zhvillimin e fshatit, rritjen e pagave dhe të nivelit të ndihmës ekonomike e objektiva të tjera. Rezultati mbetet konstant, asnjë politikë, asnjë objektiv asgjë nuk ndryshon. Në një vend si Shqipëria që ka nisur rrugën e zhvillimit, natyrisht që politika dhe objektivat e saj të jenë të pranishme në programet e tyre, por ato shpesh e kalojnë  masën dhe  bëhen prioritare në propagandë, duke harruar objektivat e zhvillimit, shtresat varfra dhe të  mesme përmirësimin cilësor të qeverisjes. Kjo lloj politike e këtyre viteve nuk bën gjë tjetër veçse lejon që të kryhen investime thelbësore ose të përqendrohen burime të shumta njerëzore, natyrore dhe financiare në zona, fusha e sektorë që nuk janë prioritarë dhe të kryhen investime joprioritare ose të mos kryhen fare investime dhe të mos ketë fokusim në burime njerëzore. Është shumë interesant fakti që fushatat  politike fokusohen, me objektiva të specifikuara. Kjo dukuri është larg modeleve europiane të fushatave elektorale. Cilësia e  fushatave dhe aftësitë e politikanëve  janë vendimtare në qeverisje. Duke patur parasysh paaftësinë e qeveritarëve të çdo niveli të qeverisjes, shpesh bumerangu kthehet tek lideri, që sado aftësi, cilësi dhe largpamësi të ketë, nuk është në gjendje të shmangë faturën. Situatat politike nuk përmirësohen me afrimin e “xhaketave të vjetra”, por me njerëz cilësorë që kanë treguar se kanë mbështetje  me individë që kanë pikëpamje dhe ide që duhet të na shmangin nga politikat standarde. Në 23 vitet e fundit konstaton se, shpesh e Majta dhe e Djathta gjatë fushatave kanë patur  slogane, por kanë patur edhe  mungesë informacioni, shifrash,  që të mund të tërheqin qytetarët drejt forcave  politike. Shkëmbimet e emrave, nga njëra forcë politike tek tjetra, e kanë dëmtuar të Majtën në përgjithësi dhe nuk i kanë dhënë asaj shanse të riorganizohet. Është fakt se, në të tilla situata e Majta europiane që nga fillimi i shekullit të kaluar, e ka gjetur zgjidhjen tek përvoja e “xhaketave të vjetra”, në gjirin e saj. Rinovimi i të Majtës europiane ka ndodhur dhe shpesh, por në më të shumtën e rasteve, kur kanë qenë në qeverisje, ose shumë të sigurt në fitoren e pushtetit. Edhe qeverisja e së majtës në Shqipëri gjatë viteve 1998 – 2000, në një periudhë pothuajse 2- vjeçare kishte rinovimin e saj kur Nano ndërroi  66 ministra, zëvendësministra e drejtorë drejtorish në dikasteret e administratës, duke sjellë në qeverisje fytyra të reja. Kjo bëri që  qeverisja e së Majtës,  mund të vinte deri në zgjedhjet e vitit 2005, me vështirësitë të shumta  deri në përfundim të mandatit. Por ndryshimet u bënë kur e Majta ishte në pushtet e jo kur ishte në opozitë, duke shmangur humbjen e militantëve. Në këto kushte dhe në këtë situatë e keqja nuk na vjen thjesht nga “xhaketat”, nga politika standarde.