Policia ishte në pistë në momentin e grabitjes

461
Grabitja spektakolare në Aeroportin e Rinasit “Nënë Tereza” e ndodhur më 30 qershor, që është kthyer në kryefjalën e ditëve të fundit në media, por dhe në debatet mes palëve politike, ende nuk ka një autorë për këtë ngjarje. Të vetmet që janë gjetur pas kësaj ngjarjeje janë vetëm makina e djegur dhe parukia e përdorur gjatë grabitjes. Bëhet e ditur se rreth 1 milion euro janë grabitur brenda në Rinas. Rreth dy muaj më parë është publikuar një raport, i cili ka realizuar tre teste sigurie në aeroportin e vetëm shqiptar, duke dal në konkluzion se siguria është e ulët. 
AAC: Dështuat me masat.

“AAC në bazë të kodit ajror dhe ligjit për autoritetin e aviacionit civil, është institucioni që rregullon dhe mbikëqyrë gjithë veprimtarinë në fushën e transportit ajror civil në Republikën e Shqipërisë. Duke ushtruar funksionet mbikëqyrëse dhe detyrat e përcaktuara në ligj, sqarojmë opinionin publik: Në datë 20 Prill 2016, AAC në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka kryer një testim të fshehtë të sigurisë në aeroport, në ushtrim të funksioneve të tij rregullatore/mbikëqyrëse dhe jo operacionale. Në raportin e dërguar në dt. 13/05/2016 janë evidentuar dështimet në zbatimin e 3 masave të sigurisë nga Operatori TIA. Në të njëjtin raport, AAC ka rekomanduar veprimet detyruese për korrigjimin e gjetjeve. Në dt. 07/06/2016, Operatori TIA dërgoi Planin e Veprimeve Korrigjuese për mangësitë e identifikuara nga raporti i datës 20 Prill. Pas shqyrtimit të masave të propozuara, AAC më dt. 08/06/2016 kërkoi rivlerësimin e masave të propozuara, dhe është në pritje të Planit të rishikuar nga ana e TIA-s. AAC do të presë rezultatin e hetimit nga organet kompetente, rezultati i të cilit, bashkë me rekomandimet e AAC do t’i dorëzohet edhe Organit Shtetëror të Autorizuar, përkatësisht MTI dhe MZHETTS, për ta vlerësuar atë kundrejt edhe detyrimeve të kontratës konçesionare, për pjesën që lidhet me zbatimin e masave të sigurisë së Aviacionit Civil të parashikuar në këtë kontratë. AAC po ndjek dinamikën e kësaj ngjarjeje dhe theksojmë se është detyrim ligjor për të respektuar konfidencialitetin sipas ligjit. AAC në përmbushje të detyrimeve ligjore do të vazhdojë aktivitetin mbikëqyrës ndaj operatorit të Aeroportit, për mbrojtjen e aviacionit civil nga aktet e ndërhyrjes së paligjshme dhe për të garantuar standardin më të lartë të sigurisë në këtë aeroport.
Deputetët: Policia e Shtetit të bëjë detyrën, prokuroria të zbardhë ngjarjen dhe të bëhet hetim i thellë. Ky është rast i përsëritur 
Autoritetet e “Tirana International Airport” thyejnë heshtjen dhe sjellin versionin e tyre për ngjarjen e ndodhur në Rinas, ku një Bankë e nivelit të dytë është grabitur teksa po transportonte lekët. Në një deklaratë për mediat, drejtoresha për marrëdhëniet me publikun e “Tirana International Airport”, Arlinda Çausholli, ka folur në lidhje me ngjarjen. Sipas Çaushollit, “TIA ka njoftuar në kohë Policinë e Shtetit për grabitjen, ndërkaq thekson se punonjësit e policisë ishin në pistë në momentin që ndodhi grabitja”. Çausholli akuzoi policinë se raporti për grabitjen është i pasaktë, ndërsa vendi ku hynë autorët e grabitjes ruhet nga Policia e Shtetit. “TIA ka zbatuar me përpikmëri njoftimin në kohë të policisë. Njoftimi i TIA për policinë është bërë në kohën kur makina bashkë me autorët e krimit ishte ende në vendngjarje”. Ajo bën me dije se autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë se ky njoftim është kryer nga menaxheri i operimit në detyrë i TIA-s, kundrejt sallës operative të policisë në Rinas. Ndërkaq Çausholli thekson se: “Punonjësit e policisë kanë qenë prezentë në pistë vetëm pak metra nga ku ndodhi grabitja. Këtë e vlerësojmë si saktësi të domosdoshme informacioni”. Çausholli u shpreh se kompania ICTS është përgjegjëse vetëm për shërbimin e sigurisë aeroportuale. “Kompania ICTS është përgjegjëse vetëm për shërbimin e sigurisë aeroportuale shërbim që nuk e zëvendëson dhe as e zvogëlon detyrën dhe përgjegjësinë e policisë së shtetit. ICTS nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë fizikisht, ICTS vepron e paarmatosur, e vetmja forcë e armatosur është policia e shtetit. Sa i takon ruajtjes së rendit jashtë gardhit të aeroportit nga ku ka hyrë makina, kjo është përgjegjësi e plotë dhe e vetme e Policisë së Shtetit”. Në vijim të fjalës së saj drejtoresha për marrëdhëniet me publikun theksoi se: “Sipas ligjit, Policia e Shtetit duhet të sigurojë patrulla në të gjitha zonat e aeroportit duke parandaluar çdo aktivitet të paligjshëm. TIA është në dispozicion të autoriteteve që po hetojnë ngjarjen e gatshme për të zbardhur ngjarjen dhe zbulimin e fajtorëve”, deklaroi Çausholli pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në aeroportin e Rinasit më 30 qershor ku ende nuk ka asnjë gjurmë nga grabitësit. 

Deklaratat e Policisë: Kemi rezerva për koncensionarin. E kemi lajmëruar TIA-n 

Një ditë pas grabitjes, Policia e Tiranës bëri përgjegjës koncesionarin për sigurinë e aeroportit, për të cilën, policia ka pasur rezervat e saj dhe ka lajmëruar edhe TIA. Sipas policisë, reagimi ka qenë i menjëhershëm pas njoftimit të dhënë, “megjithëse sipas regjistrave, është njoftuar rreth 10 minuta pas hyrjes së makinës dhe 5 minuta pasi autorët janë larguar nga rrethimi i aeroportit”. Kryepolici i Tiranës deklaroi se: “Dua të bëj me dije se në sallën e monitorëve të mbikëqyrjes me kamera, nuk ka asnjë prezencë të policisë dhe njoftimi për ngjarje që ndodhin në aeroport bëhet nga punonjësit e ODM. Gjithashtu, në bazë të Marrëveshjes Koncesionare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Koncesionare Tirana International Airport, siguria e perimetrit të jashtëm të aeroportit, portat hyrëse të tij, vendqëndrimin e Avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe sallën e kamerave CCTV, e bën në mënyrë ekskluzive shoqëria koncesionare nëpërmjet kompanive private të sigurisë. Madje vetë policia, mbi bazën e kësaj marrëveshje, e ka rreptësisht të ndaluar të patrullojë në aeroport. Ndërkohë që bazuar në ligjin për Policinë e Shtetit dhe në Ligji Nr. 9861 datë 24.01.2008 “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufiri t shtetëror”, Policia e Shtetit mban përgjegjësi për sigurinë e udhëtarëve në Aeroportin Nënë Tereza, dhe veçanërisht në Pikën e Kalimit Kufitar Ajror, që është territori nga kabina e kontrollit, salla e tranzitit deri në vendqëndrimin e avionit. Gjithashtu, Policia e Shtetit, bazuar edhe në masat e shtuara të sigurisë, të marra në kuadër të luftës kundër terrorizmit, kryen shërbim me patrulla të shtuara në kabinat e kontrollit të pasagjerëve në hyrje-dalje, në ambientet e brendshme dhe para terminalit të pasagjerëve, në ambientet e intervistimit të shtetasve të kthyer dhe për sigurimin e personave të shoqëruar në ambientet e Komisariatit.

 Sa më sipër, theksojmë se perimetri i jashtëm i aeroportit, patrullimi nga brenda i perimetrit të aeroportit, portat hyrëse të tij, vendpushimi i avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe salla e kamerave CCTV, janë përgjegjësi direkte e kompanisë ICTS, e cila është kontraktuar nga TIA (Tirana International Airport). Pikërisht për shkak të konstatimit të shpeshtë të mungesës së disa elementëve të sigurisë, Policia e Shtetit me shkresë nr 457 datë 21.04.2014 i ka komunikuar autoritetit Aeroportual TIA, në lidhje me mangësitë të konstatuara në drejtim të parametrave të sigurisë, veçanërisht për sistemin e kamerave, pasi kamerat nuk mbulonin me monitorim të gjitha pikat nervlagjike të aeroportit. Me shkresë ref. RCV/IA, datë 24.04.2014, protokoll 273/1, nga Autoriteti Aeroportual TIA, i është kthyer përgjigje Komisariatit të Policisë Rinas se: Shqetësimet e ngritura lidhur me sigurinë dhe kamerat e sigurisë, nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit. Në vazhdimësi të korrespodencës për riparimin e mangësive të konstatuara, me shkresë nr 496 protokoll 25 .04.2014 Komisariati i Policisë Kufitare Rinas i është drejtuar Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), me kërkesë për ndërhyre për marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e problematikave të konstatuara lidhur me sigurinë në Aeroport, duke i kërkuar Koncesionarit që të zgjidhe menjëherë problemet e sigurisë në përputhje me standardet ndërkombëtare për sigurinë në Aeroporte. Nga Autoriteti i Aviacionit Civil akoma deri ditën e sotme nuk është kthyer asnjë përgjigje. Po në vijim të korrespodencës me shkresë nr 534/protokoll datë 24.03.2016, Komisariati i Policisë Kufitare Rinas, i kërkon autoritetit Aeroportual TIA, marrjen e masave për lëvizjen e mjeteve të shërbimeve të linjave ajrore brenda në pistë si dhe rishikimin e sistemit të kamerave. Në mbledhjen e këshillit të sigurisë së aeroportit datë 30.03.2016 mbajtur me protokoll nr 145 Ref : RCV-GM/STO nga ana e Policisë së Shtetit është kërkuar rishikim i masave të sigurisë përfshirë dhe sistemin e kamerave si dhe shkëmbim i menjëhershëm i informacionit në rast të ngjarjeve të mundshme kriminale. 

Rinas/Në sistemin e kamerave ka patur probleme. Policia, shkresë TIA-s që në prill 2014

Sistemi i kamerave në Aeroportin e Rinasit duket se ka pasur probleme. Ministria e Brendshme dhe Policia e Rinasit kanë dorëzuar një kërkesë drejtuar TIA-s që më 21 prill 2014 në lidhje me problemet e kamerave. Në këtë shkresë mësohet se theksohen problematikat në sistemin e kamerave, pasi disa kamera të rëndësishme për sigurinë nuk funksiononin, ndërsa disa kamera në zonë me rëndësi janë të dëmtuara. Në shkresë, kërkohej që të vendoseshin kamera edhe në portën nga ky u krye grabitje. Por një javë më pas, TIA i ktheu përgjigje Policisë, duke u shprehur se “siguria e aeroportit nuk është kompetencë e policisë”. “Sipas marrëveshjes siguria ruhet nga qarku i mbyllur viziv”, thuhej në përgjigjen nga TIA.
Sigal