Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dhënë masën arrest me burg për shtetasin Edison Arrazi, i cili u arrestua si një prej të dyshuarve për vrasjen e Endri Mustafës, në cilësinë e personit që kishte dijeni për ngjarjen.
Por burimet bëjnë me dije se Arrazi nuk është pyetur fare nga gjykata për vrasjen e Endri Mustafës por vetëm për sasinë e drogës prej 280 gram cannabis sativa që u gjet në një magazinë që dyshohet se i përkiste atij.
Në procesverbalin e arrestimit të policisë shtetasi Edison Arrazi është i arrestuar vetëm për sasinë e drogës dhe jo lidhur me vrasjen e Endri Mustafës.
Ndërkohë që i vëllai i të pandehurit, pretendon se ai nuk ka lidhje as me drogën dhe as me vrasjen, dhe në ditën kur ka ndodhur ngjarja ai ka qenë duke fjetur në banesë.
“Droga është kapur në një banesë larg shtëpisë, vëllai im nuk ka asnjë lidhje me vrasjen”, pretendon ai.
Tashmë për vrasjen e Mustafës qëndron pas hekurave vetëm një 15-vjeçar, i cili pretendon se nuk ka dijeni mbi personat që ekzekutuan të riun, ndërkohë që në kërkim është shpallur Ibrahim Lici.
Për këtë të fundit bashkëshortja e viktimës tha se nuk kishte asnjë dyshim se ishte autor, pasi kishte një marëdhënie shumë të mirë me Endri Mustafën.
Pas këtyre lëvizjeve, hetimet për ngjarjen janë kthyer pothuajse në pikën zero, pasi qoftë Arrizi dhe qoftë i mituri që mbahet i arrestuar thonë se nuk kanë dijeni për porositësit apo ekzekutorët, ndërkohë që familja Lici mohon kategorikisht përfshirjen.




















