“Po ndodh ajo që paralajmëroi Basha”, PD: Hetim ndaj Cakajt, ka rrezikuar sigurinë kombëtare dhe të NATO-s

550
Sigal

Partia Demokrati përmes një deklarate për mediat është shprehur se kreu i kësaj Partie Lulzim Basha e ka paralajmëruar më parë hetimin nga DSIK për zv.Ministrin e Jashtëm.

Sipas kësaj deklarate, Basha ka konfirmuar vullnetin e opozitës për të hetuar paligjshmërinë me DSIK, në rastin e zv.Ministrit në një emision televiziv mbrëmjen e shkuar ku është shprehur se rasti i Cakajt është një shkelje flagrante e ligjit si dhe e sigurisë kombëtare dhe të sigurisë së NATO-s.

Sipas kreut të  PD-së, opozita ka nisur punën për të hetuar në të gjitha format e mënyrat duke përfshirë edhe hetimin parlamentar, përgjegjësitë e DSIK-së, zv.ministrit Cakaj, ministrit Bushati, Kryeministrit Rama dhe Shërbimit Informativ të Shtetit në dhunimin e ligjit për informacionin e klasifikuar sekret në Republikën e Shqipërisë dhe pasojat që kjo ka për sigurinë kombëtare dhe sigurinë e NATO-s.

Deklarata e plotë:

Po ndodh ajo që paralajmëroi Basha: Hetim nga DSIK tek Rama për cënimin e sigurisë kombëtare dhe të NATO-s.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, konfirmoi vullnetin e opozitës për të hetuar paligjshmërinë me DSIK, në rastin e zëvendësministrit të Jashtëm, Genti Cakaj.  Basha e paralajmëroi një lëvizje të tillë në emisionin Opinion mbreme. Më poshtë gjeni të zbardhur intervistën e sotme dhe deklaratën e mbrëmshme, të shoqëruar me videot përkatëse. 

Pyetje: Presidenti Meta ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor ndaj DSIK-së për rastin Caka, ju do t’i bashkoni votat me LSI-në për ngritjen e këtij komisioni?

Basha: Nuk jam në dijeni të kerkesës së presidentit, por që prej publikimit dje të dekretit të Presidentit, ashtu siç bëra publike dhe në emisionin “Opinion” mbrëmë, kemi nisur punën për të hetuar në të gjitha format e mënyrat duke përfshirë dhe hetimin parlamentar, përgjegjësitë e DSIK-së, zv.ministrit Caka, ministrit Bushati, kryeministrit Rama dhe Shërbimit Informativ të Shtetit në dhunimin e ligjit për informacionin e klasifikuar sekret në Republikën e Shqipërisë dhe pasojat që kjo ka për sigurinë kombëtare dhe sigurinë e NATO-s

Pyetje: Pra do të kërkoni ju një komision hetimor Zoti Basha?

Basha: Këtë që sapo ju thashë. Besoj isha i qartë?

Faleminderit

PJESA NGA EMISIONI I MBRËMSHËM

Dhe pikërisht në këtë kohë, një nga hallkat, natyrisht jo më të forta të Aleancës, një vend i cili është përfolur për problematikë në mbrojtjen e sekretit shtetëror, propozon për ministër të jashtëm, ministri më kryesor i NATO-s, sepse të mos harrojmë, NATO është një aleancë politiko-ushtarake, jo ushtarako-politike, një person i cili ka neglizhuar për të paktën 6-7 muaj çertifikatën e sigurisë. Ka qenë ky person këto kohë më informacion të klasifikuar? Këto janë pyetje që duhet të jenë subjekt i një inspektimi zyrtar, shtetëror, nga institucionet përkatëse. Po ju them një gjë fare qartë: Këtu kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të ligjit, si dhe të sigurisë kombëtare dhe të sigurisë së NATO-s.