Plani i PD: Mocion për shkarkimin e Ruçit

494
Partia Demokratike pritet të kërkojë largimin e kreut të Kuvendit, pasi një grup pune i posaçëm do të rendisë shkeljet e rregullores
Partia Demokratike pritet të kërkojë shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Burime pranë opozitës i thanë “Telegraf”-it, se një grup pune është ngarkuar nga mbledhja e fundit e grupit parlamentar për të renditur të gjithë shkeljet e rregullores së Kuvendit nga kryeparlamentari socialist. Me përfundimin e këtij procesi dhe ndjekjen e seancave të ardhshme të punimeve të Kuvendit, deputetët demokratë pritet të firmosin edhe zyrtarisht kërkesën e tyre për një mocion për shkarkimin e Gramoz Ruçit. Demokratët kanë kundërshtuar zgjedhjen e Ruçit në krye të Kuvendit, por tensioni mes politikanit socialist dhe selisë blu u rrit gjatë seancës së fundit. Kreu i Kuvendit vendosi përjashtimin nga seanca të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, por më pas u tërhoq nga vendimi i tij për nxjerrjen me forcë jashtë sallës së kreut të opozitës. Partia Demokratike pretendon se kryeparlamentari ka shkelur rregulloren duke moslejuar zhvillimin e debatit për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Megjithatë, dosja “Ruçi” pritet të pasurohet në zyrat e Partisë Demokratike edhe me elementë të tjerë për të cilat po punon prej së enjtes një grup i posaçëm.

Burime nga Partia Demokratike bënë të ditur se një votim i mundshëm për shkarkimin e Gramoz Ruçit nga posti numër 2 i shtetit pritet të shërbejë edhe si një lëvizje politike për të testuar shumicën parlamentare. Në të njëjtën kohë, demokratët do të testojnë edhe deputetët e tyre e të partive aleate pas rrjedhjes së votave në seancën e zgjedhjes së Gramoz Ruçit si kryetar i Kuvendit. Gjithashtu, kërkesa për të shkarkuar Ruçin pritet të shërbejë edhe si një test për marrëdhëniet mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. 

Me 74 mandatet e fituara në zgjedhjet e 25 qershorit, socialistët ndihen të qetë për të mbështetur Ruçin në krye të Kuvendit, ndërsa demokratët e kanë sulmuar atë edhe për të shkuarën dhe veçanërisht postet politike që ka mbajtur para viteve ’90 dhe deri në vitin 1991. 

Akuzat e Bashës
Në përfundim të seancës së djeshme parlamentare, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se ajo që ndodhi është aplikim i diktaturës komuniste për t’i mbyllur gojën opozitës. Në këto kushte, Basha tha se opozitës nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’u bëjë thirrje shqiptarëve të marrin në dorë Parlamentin. “Javën e kaluar, Edi Rama i preu zërin dhe figurën Parlamentit. Sot urdhëroi ministrin e Sigurimit të Shtetit të aplikonte format e diktaturës komuniste për t’i mbyllur gojën opozitës. Parlamenti është vendi ku opozita ushtron të drejtën e saj të patjetërsueshme për debat dhe fjalën e lirë. Nëse kjo e drejtë shkelet, nëse Rregullorja e Parlamentit shkelet, sepse Edi Rama dhe Gramoz Ruçi kanë frikë të përballen me të vërtetën e Shqipërisë nën thundrën e krimit, të bërë njësh me Edi Ramën dhe Gramoz Ruçin, atëherë ora e këtij Parlamenti merr fund shumë shpejt. Me fjalë të tjera, nëse në këtë Parlament vendoset të rikthehet edhe njëherë regjimi diktatorial që për 50 vite ndaloi mendimin ndryshe dhe ekzekutoi në të gjitha format dhe mënyrat opozitën dhe mendimin kundër, atëherë ka ardhur koha të themi të vërtetën troç, paqja sociale është e rrezikuar, bashkekzistenca demokratike është e rrezikuar dhe opozitës i lind, jo vetëm e drejta, por detyrimi, t’i bëjë thirrje shqiptarëve të marrin Parlamentin në duart e tyre”, tha Basha. 
Rrjedhja e votave
Gjatë zgjedhjes së Gramoz Ruçit si kryetar i Kuvendit dy deputetë të Partisë Demokratike votuan kundër vendimit të grupit parlamentar. Partia Demokratike dhe ish-kryeministri Berisha e dënuan këtë akt. “Votimi i Ruçit është e pafalshëm, duhet analizuar kjo çështje, s’mund të ndodhë. Të vendosim rregulla, kam dalë me kokën ulur nga parlamenti. Kam bindjen që aty është tradhti. Kush del në emër të grupit, merr miratimin e grupit, nuk del vetë. Kush na futi thikën mbrapa, nuk duhet ta falim atë. Ata që e benë duhet ta dinë që ne e dënojmë, na duhen prova për të qenë seriozë. Të kërkojmë prova nga komisioni, se nuk na shërben të mbajmë qëndrim fals. Populli na gjykon, nuk mund të gjejmë pretekst që t’i hedhim hi syve. Asnjë nga ju pa mbledhje grupi nuk mund të prononcoheni. Grupi është grup, të pranoj unë se je ti i bindur për gabim, s’e pranoj”, u shpreh Berisha në një mbledhje të grupit parlamentar. 
Sigal