Ping-pongu me krimet zgjedhore, SPAK-u do hetojë dosjen 184?

275
Sigal

“Ping-Pongu” me krimet zgjedhore

Ndryshimet e fundit kushtetuese,  prekin edhe krimet zgjedhore , duke ia deleguar prokurorisë speciale  SPAK  të drejtën e hetimit,  si e vetmja prokurori që do t’i trajtojë këto raste. Kushtetuta e re duket se do të ndryshojë  edhe situatën me dy dosjet e fundit  “339” dhe “184”, të cilat janë transferuar  për kompetencë  hetimi në Durrës dhe në Dibër,  por që pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese,  mund të rikthehen sërish në Prokurorinë e Posaçme. Ndryshimet e fundit  kushtetuese  të miratuara  një ditë më parë në kuvend,  kanë prekur edhe krimet zgjedhore. Tashmë kompetenca për t’i hetuar të gjitha veprat penale në lidhje me zgjedhjet do të jetë Prokuroria e Posaçme pavarësisht vendit se ku kanë ndodhur. Me hyrjen ne fuqi të kushtetutës së re, pritet që dosjet të cilat janë transferuar nga  SPAK-u,  në drejtim të prokurorive të rretheve si “184” në Dibër,  dhe fashikulli me i fundit “339” në prokurorinë  e Durrësit mund  të rikthehen sërish në Prokurorinë  e Posaçme. Një ditë  më parë, gjykata e posaçme vendosi t’ia kalojë për kompetencë prokurorisë së Durrësit hetimin e një fashikulli të dosjes,  pasi sipas gjykatës, komisonerët për të cilët u ngritën akuzat nuk kanë vepruar si grup i strukturuar  kriminal. Mes personave  për të cilët ishte vendosur  masa, ishin edhe dy ish-komisionerë  të cilët kishin ndërruar jetë dhe  për ta hetimi pushoi pasi në seancën e vlerësimit të masës, familjarët paraqiten certifikatat e ndarjes nga jeta. Ndërkohë, dosja e famshme  nr. “184” , e cila po heton krimet zgjedhore të dyshuara si të ndodhura në zgjedhjet e vitit 2016 në Dibër, është ende  e hapur. Hetimi ndodhet në fazën e zbardhjes së përgjimeve telefonike. Dosja “184” u regjistrua fillimisht nga Prokuroria për Krimet e Rënda pas një kallëzimi të Partisë Demokratike, për dyshime mbi shitblerje të votës në zgjedhjet e Dibrës. Në vitin 2019,  gazeta gjermane “Bild”,  publikoi disa nga përgjimet e saj, duke shkaktuar reagime të forta për shkak se protagonistë në to ishin ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.