Petro STOGOI/ Ekzaltimi i Ballës dhe Kokëdhizimi i Vlorës

514
Që kur ka lindur ky objektiv anëtarësimesh në Partinë Socialiste nuk e kam kuptuar asnjëherë se çfarë rëndësie ka të jenë 100.000, 150.000, apo 200.000, më shumë apo më pak anëtarë të saj. Nuk e di çfarë sjell në një parti që ka afro një milion votues, përcaktimi i numrit 150.00 anëtarësime? Po pse kaq e jo më shumë, apo më pak? Ka qenë një kohë, kur ka pasur rëndësi ky fakt, atëherë, kur vendin e udhëhiqte PPSH, sepse në fund të fundit, atëherë kishte një far filtrimi të pranimeve, nëpërmjet tre rekomandimeve dhe plotësimit të 10 cilësive. Dhe kjo bënte që ky anëtarësim të ishte ngjarje e veçantë dhe krenare në jetën e njerëzve. Por edhe pse ndodhte kështu, edhe në të hynë plot servilë, hipokritë, intrigantë, karrieristë, mashtrues, etj. të cilët e katandisën atë parti në degradim, të cilëve u “doli kallai”, kur u përmbys sistemi monist. Mora shkas të flas për këtë veprim të PS në këtë gazetë shumë të preferuar, kur lexova në një gazetë të përditshme ekzaltimin e deputetit Taulant Balla, drejtuesi politik i Rajonit Elbasan-Korçë, në ceremoninë e anëtarësimit të 400 të rinjve socialistë. Në një ditë (ndofta kushedi pas sa kohësh) 400 anëtarësime (!) Po pse jo 450, 500,600…? 
Loja kungulleshkave
Kur dëgjoj këto shifra, më kujtohet ajo loja e kungulleshkave (Pse kaq? Po sa?). Karrige do shtoheshin. Apo aq merrte salla? Taulanti, si gjithmonë euforik, edhe kur kritikon, edhe kur lavdëron, edhe kur flet në Kuvend, edhe kur jep intervista, edhe kur ka përpara 20 veta, edhe kur ka 2-3 veta, edhe kur përuron rikonstruksionin e një shkolle, edhe kur hapet një vijë uji, deklaronte plot gëzim: “Në 25 vjetorin e PS, arrijmë objektivin prej 150.000 anëtarësh!” Shprehej aq entuziast, sikur jepte sihariqe: “E realizuam objektivin e punësimit, (duke hapur në çdo qytet zyrat e punësimit, do thonim ne!)”, “E kthyem shëndetësinë falas (duke e dhënë me koncesion, do thoshim prapë ne!)”, “Kemi ulur taksat, (pavarësisht nga protestat!)”, “Kemi ulur shpenzimet e qeveritarëve, (duke udhëtuar me charter, na kujtohet ne!)”, “Kemi ulur çmimet e karburanteve, (duke qenë vetëm pas gjithë vendeve fqinjë!)”, “Kemi luftuar monopolet, (duke mos cenuar monopolet e mëparshme!)”, “Kemi luftuar korrupsionin e qeveritarëve, (duke mos filluar asnjë proces gjyqësor për akuzat gjatë jetës në opozitë, reagojmë të acaruar!)”, “Kemi shpërblyer kontributet në fitoren e PS, (duke mbushur administratën me miq e shokë, disa të importuar nga jashtë, që ndodh në fakt!)”, etj. etj. E me që këto nuk ishin temat e ditës, mbledhja u mbyll “me sukses”. Ngazëllimi qe i madh. Por,n ë fakt, çfarë shqetësimesh dëgjohen në jetën e Partisë Socialiste? Pse kaq rëndësi numrit të anëtarësimeve dhe jo vaktësisë së jetës e mosrespektimit të rregullave e normave të statutit?! 
Fryma komanduese
Nuk kam dash ta besoj, kur dëgjoj e lexojë për frymën komanduese e urdhëruese që po vihet re gjatë kësaj fushate të zgjedhjeve. Por… E di z. Koço Kokëdhima këtë? Tashmë, të gjithë e dinë në Vlorë e më tutje, se komandën e jetës partiake e ka marrë në dorë kryedeputeti Koço Kokëdhima (kështu e quajnë atë tani, kur këtu nuk duken më deputetët e tjerë Valentina Leskaj dhe Fatmir Toçi). Ai është i kudondodhur. Është ngulur këtu me zyrë, me shtëpi, me disa sekretare, i rrethuar e freskuar nga kandidatë për kryetar partie e mbi të gjitha me porositë e orientimet e tij. Duhet thënë se diçka ka lëvizur në këtë parti socialiste të shkoqur të Vlorës. Kjo duket sidomos në mobilizimin e moshave të reja. Por ajo që bie në sy gjatë kësaj fushate edhe në këtë qytet, është shqetësimi për respektimin e Statutit. Nga ngjarjet krijohen edhe opinionet. Dhe nga opinionet lindin ndonjëherë edhe keqkuptime. Ndofta në ngjarjen që do të tregojë, z. Koço Kokëdhima, si drejtues i rajonit të Jugut, nuk ka gisht e nuk ka dijeni. Prandaj edhe unë po e përmend emrin e tij që të dijë se ndodh edhe kështu. Këto ditë në organizatën ku është kryetare Laureta (për etikë nuk po ia përmend mbiemrin), për arsye skandaloze, mbledhja për zgjedhjen e kryetarit, dështon për të dytën herë. Si ka ndodhur? Herën e parë, si rrjedhojë e masave të mirëmarra, pjesëmarrja ishte e plotë. Që në fillim të mbledhjes, pa respektuar asnjë normë elementare, (as të mirësjelljes) në presidium u ngjitën katër djem e më pas edhe kryetarja e Këshillit të Bashkisë, pa e përfillur fare kryetaren e organizatës. Si të rinj, ndofta të paditur me rregullat e normat që jeton një organizatë partie, pa u prezantuar se cilët ishin e nga vinin, folën se kishin ardhur të zgjidhnin kryetaren e organizatës, që duhej të ishte deri 40 vjeç dhe që duhej të ishte një nga ato që kishin ata në listë! Porosia ishte kategorike dhe pa kompromis. Por, pas kësaj, menjëherë shpërtheu reagimi: E para, na thoni cilët jeni dhe nga vini? E dyta, ku i mbështetni këto rekomandime? E treta, kush ua ka dhënë këto udhëzime? E katërta, në ç’dokument të PS thuhet se anëtarët mbi 40 vjeç, kanë të drejtë të zgjedhin, por jo të zgjidhen? E pesta, kush po i propozon këto kandidatura, kur ne kemi të drejtë ta zgjedhim vet, se kush mund të na drejtojë? E gjashta, nga cili forum vijnë këto kritere? 
Atmosfera e sherrit në parti
Këto pyetje e të tjera krijuan pështjellim, atmosferë sherri e përplasje mes “të deleguarve” dhe organizatës, sa që u desh urtësia e kryetares së Këshillit të Bashkisë, znj. Vojsava Shkurtaj që mbledhja të anulohej dhe të lihej për të nesërmen. Të nesërmen u mblodh vetëm një e treta e organizatës dhe erdhën vetëm dy nga “të deleguarit”. Edhe pse me kaq mungesa, “të deleguarit”(nuk dihet nga kush) ngulën këmbë që mbledhja të zhvillohej dhe të zgjidhnin një nga dy kandidaturat që ata kishin në listë. Nga ana tjetër iu kërkua kryetares aktuale që të jepte dorëheqjen, se ishte mbi 40 vjeçe (40 vjeçe e ca muaj). Ajo e pranoi këmbënguljen e tyre dhe propozoi një nga anëtaret e organizatës që ishte rreth 30 vjeçe. Por edhe kjo ishte e pa pranueshme për “të deleguarit”. Përsëri plasi sherri dhe mbledhja përsëri dështoi. U la për një ditë tjetër. Ja kështu ndodhi. Ndofta z. Koço Kokëdhima nuk e di këtë. Por unë tani besoj atë shqetësim që kanë socialistët për shkeljet që po bëhen në këtë fushatë zgjedhjesh në Partinë Socialiste, për faktin se po punohet me lista të gatshme, të rekomanduara e të urdhëruara duke shkelur demokracinë e brendshme të partisë. Si duket në Degën e Partisë Socialiste të Vlorës nuk është problem numri i anëtarësimeve, por emrat e atyre që duhet të zgjidhen.
Sigal