Petro Koçi/“Berisha ra. Le të ngrihet Republika!”

423
Sigal

Në Shqipëri nuk ka shtet, por ka vetëm parti politike. Këtë përmbysje duhet të bëjë Edi Rama

 Petro Koçi, në intervistën për “Telegraf” thotë se, mesazhi që dhanë votat e 23 Qershorit është: “Berisha ra. Le të ngrihet Republika!”. Pikësëpari, sipas zotit Koçi, duhet një Kushtetutë e re.

 – Zoti Koçi, vota “kundër” tregoi çfarë nuk do populli në qeverisjen e vet. E Majta, që do të ketë qeverisjen, çfarë mësime duhet të ketë parasysh?

– Na duhet një qeverisje me ndërgjegje shtetërore dhe kombëtare. Përgjigje e thjeshtë. Por në praktikë ka vështirësi. “Në Shqipëri nuk ka shtet, por ka vetëm parti politike” ka qenë konfirmimi im gjatë fushatës elektorale. Që do të thotë se deri tani kanë sunduar interesat partiake mbi ato shtetërore dhe kombëtare. Këtë përmbysje duhet të bëjë Edi Rama. Të verë interesat kombëtare e shtetërore mbi ato partiake. Megjithatë, vota kundër në këto zgjedhje do parë si një ndëshkim për simbolin e tranzicionit, për politikën në përgjithësi. Uroj që këtej e tutje të hapet një faqe e re politike për vendin. Të fillojë normaliteti në marrëdhëniet politike. Qeverisja e re duhet të bëjë kujdes me servilët dhe shushunjat. Fillimi i mbarë, gjysma e punës.

 – Si duhet të bëhet krijimi i hapësirave të lirisë, duke mos e bërë zëvendësimin mekanik të pushtetit?

– Ligji është zgjidhja. E majta ka pasqyruar gjithmonë shumë më tepër aftësi për krijimin e hapësirave të lirisë. Kjo nuk bëhet duke e parcelizuar shtetin me përqindje partiake, si në kohën e PD-së, por duke zbatuar kriterin profesional e ligjor në trajtimin e administratës shtetërore. Nga ana tjetër, ndëshkimi i padrejtësive krijon lirinë për drejtësinë dhe barazinë e shtetasve në marrëdhëniet me shtetin e administratën e tij.

 – A duhet të jenë  në strategjinë e maxhorancës së re, ndryshimet kushtetuese, për të cilat ju i opozituat shumë fort, sepse LSI-ja është shprehur “pro”, ndërsa PS-ja, hesht?

– Unë besoj se kemi nevojë për një Republikë të re. Që do të thotë patjetër Kushtetutë e Re. Sidoqoftë, reformat kushtetuese kanë nevojë për konsensus pozitë opozitë. Pra duhet që lidershipi i ri i PD ta trajtojë ndryshe nga Berisha formatin aktual të Kushtetutës. Nga ana tjetër futja e disa trafikantëve në Parlament dëshmon se, duhet ndryshuar Kodi Elektoral. Politika ka nevojë të pastrohet.

 – Ngjela deklaron se, është ministri i ri i Drejtësisë. Nëse bëhet, PS-ja a mund të akuzohet se ndjek politikën e dy standardeve me aleatët?

Nuk e di a do bëhet Ngjela ministër. Duhet pritur shtatori. Unë besoj se aleatët nuk do shpërfillen në qeverisjen e re. Jam kundër ndarjes matematikore të pushtetit. Edhe aleatët duhet të jenë realistë në pretendimet e tyre. Rëndësi ka që qeverisja e majtë të jetë e pastër, efikase, profesionale dhe sociale.

 – Si e shpjegoni që LSI, PR dhe PDIU, si parti të maxhorancës që u rrëzua me votë, kanë rritje në përqindjeve në zgjedhjet e 23 Qershorit? Përgjegjësia e keqqeverisjes bie vetëm mbi PD-në?

– Vota ndëshkoi simbolin e tranzicionit dhe të politikës shqiptare të 20 viteve të fundit. Rritja e votës për disa aleatë të PD-së do parë si votë proteste dhe ndryshe brenda së djathtës. Natyrisht, që në disa raste rezultati ka lidhje edhe me shitblerjen e votës. Që do të thotë se kemi të bëjmë me rritje të përkohshme të mbështetjes për këta aleatë.

 – Nisur nga ky fakt, atëherë,  kjo a mund të ndodhë edhe me maxhorancën e re? Që keqqeverisja do të rëndojë vetëm mbi PS-në dhe përfituesit do të jenë partitë e tjera që janë në bashkëqeverisje.

– Jemi herët për të folur për dështime. Qeveria e re fillon punën në shtator. Çdo mësim nga e kaluara vlen. Edhe çdo pësim vlen.

 – Sokol Olldashi, nisur nga rezultatet konkrete të 23 Qershorit,  ka pranuar këto ditë që bashkëqeverisja e PD-së me LSI-në pati kosto politike vetëm për PD-në. Ka të drejtë?

– Olldashi kërkon të shesë përgjegjësitë qeverisëse. PaLSI-në  ata nuk do ishin fare në pushtet. NëseLSI-ja ishte kosto pse u kujtuan ata ta identifikonin, pasiLSI-ja braktisi qeverinë? Nuk më duket e ndershme, si manovër.

 – Atëherë, përse duhet që Edi Rama, si Kryeministri i PS-së, t’u japë hapësira bashkëqeverisjeje edhe aleatëve,  kur mund të paguajë vetëm ai koston e keqqeverisjes?

Qeverisja nuk duhet paragjykuar. Të presim të formatohet e të ushtrojë aftësitë e saj. Aleatët nuk do kenë aq përfshirje sa të mund të cenojnë moralin qeverisës. PS-LSI kanë numra të mjaftueshëm për të ndërmarrë reformat e nevojshme, që parashikon programi  i qeverisë “Rama”. Kush komprometon qeverisjen, nuk ka vend për më tej.

 – Cili duhet të jetë mekanizmi mbi të cilat duhen ndërtuar raportet e bashkëqeverisjes PS- me aleatët, në mënyrë që gjithkush të mbajë përgjegjësinë e vet? Dhe jo të ndodhë që të mirat e pushtetit i gëzon secili, ndërsa  faturën e paguan vetëm Një?

– Nuk jemi në kushtet kur mund të flasim për fatura. Përgjegjësitë e aleatëve nuk besoj se do jenë në atë nivel sa të pengojnë suksesin e qeverisë. Duhet të jemi bashkëpunues me PS-në,  ashtu siç ishim në opozitë. Pavarësisht se çfarë hapësirash do ketë bashkëqeverisja për aleatët. Le të shohim si do ndërtohet skema e qeverisjes. Uroj të kemi filluar një epokë të re politike.  Te ndryshme nga ajo e 20 viteve të fundit. Berisha ra. Le të ngrihet Republika!

Ekipi qeverisës të ketë imunitet ndaj oligarkisë, që po sundon vendin

 – Cilat do të jetë sfidat, me të cilat do të duhet të përballet qeverisja e re e së Majtës?

– Sfida e parë është drejtësia në qeverisje, angazhimi për barazi, solidaritet dhe liri të sipërmarrjes. Duhet aftësi për të hartuar e aprovuar ligje, që përkulin korrupsionin dhe garantojnë transparencë të detyruar për aktet qeverisëse. Ekipi qeverisës të ketë imunitet ndaj oligarkisë, që po sundon vendin dhe vendimmarrjen. Qytetarët presin zhdërvjelltësi në praktikën e ushtrimit të pushtetit. Të mos harrojmë gjithashtu se ekonomia është në krizë. Besoj se ka nevojë jo vetëm për qeverisje me dorë të pastër, por për bashkëpunim intensive e të sinqertë me organizatat financiare botërore apo europiane. Kemi nevojë për ndihma emergjente. Berisha ka lënë pas një gropë të thellë financiare. Në fushat kryesore qeverisëse si arsim shëndetësi etj., ka nevojë për reforma të thella dhe largpamëse.

 – Qeverisja e re, larg atyre premtimeve elektorale,  a duhet të ketë  program për krijimin e lirive politike dhe ekonomike, si edhe ndarjen e pushteteve?

Maxhoranca jonë besoj se do shkëpusë vendin nga situata e kapjes së shtetit në reformat e shtetit ligjor, me institucione të pavarura dhe funksionale kushtetuese. Do jetë një proces i vështirë. PD ka kapur shumicën e strukturave kushtetuese të vendit. Që nga Presidenti e deri te gjykatat. Por shembulli i parë ka qenë shumë përparues. Ndarja e ekzekutivit nga legjislativi mund të konsiderohet një hap ‘revolucionar’ në kulturën shtetformuese shqiptare. Ky mentalitet duhet të këmbëngulë të gjejë zbatim në të gjithë marrëdhëniet ndërshtetërore e ndërinstitucionale. Lufta ekonomike e klasave e aplikuar nga PD-ja duhet të zëvendësohet me ligjin dhe barazinë para tij.

– Faleminderit!