Petrit Vasili: Skavica si një problem kombëtar e jo lokal

473
Motivimi për të shkruar këto radhë ishte mjaft i fortë, pasi u njoha me shqetësimet e specialistëve të energjetikës për problemin, që lidhet me domosdoshmërinë strategjike të ndërtimit të HEC Skavicës shumë më parë se sa ndërtimi i HEC Katundi i Ri, që do të dëmtonte sipas mendimit të tyre në mënyrë të pakthyeshme të gjithë zhvillimin afatgjatë të kaskadës mbi lumin Drin.  Në Shqipëri shpesh herë, për fat të keq qëndrimet ndaj zgjidhjeve afatgjata kanë qenë sipërfaqësore, të motivuara nga vlerësime të çastit dhe jo të perspektivës dhe për pasojë vendi është ndeshur më pas me pasojat e tyre negative e të pakthyeshme.

Çështja e qëndrimit ndaj sistemit energjetik shqiptar dhe kaskadës së Drinit në veçanti është prova direkte e një qëndrimi të tillë. Pyetja shtrohet: A do trajtohet kaskada e Drinit si një çështje kombëtare apo si një problem i vogël lokal? Shqipëria ka fituar edhe me marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara me palën jugosllave në atë kohë të drejtën e shfrytëzimit të burimeve energjetike të Drinit të Zi deri në kuotën 485 metër mbi nivelin e detit dhe dihet që marrëveshje të tilla janë mundësi jashtëzakonisht të rëndësishme zhvillimi dhe të drejta të tilla janë të pamundura të fitohen përsëri, pasi ato krijojnë mundësi reale për një shfrytëzim maksimal të potencialeve energjetike të vendit. 

Fakti që HEC-et e lumit Drin prodhojnë rreth 90% të energjisë së vendit imponon një qëndrim strategjik, kombëtar dhe afatgjatë dhe detyrimisht edhe projektet energjetike në kaskadën e lumit Drin duhet të jenë të tilla. Konkretisht fjala është për ndërtimin e HEC-Skavicës i cili është argumentuar gjerësisht sipas studimeve shumë të thelluara të viteve më parë, por edhe të atyre më të fundit se është një zgjidhje kyç për të gjithë kaskadën mbi lumin Drin.
Argumentet e specialistëve 
Argumentet e specialistëve janë shumë të qarta dhe lehtësojnë dhe vendimmarrjen:
Së pari realizimi i një projekti të tillë do bënte rregullimin shumëvjeçar të liqenit të Fierzës pasi aktualisht ai ka një rregullim vjetor dhe për këtë shkak aktualisht luhatjet në liqenin e Fierzës janë shumë të mëdha dhe këtë e konstaton edhe një qytetar i thjeshtë, pra arrin në nivele minimale në muajt e verës dhe arrin në nivele maksimale në disa muaj të tjerë të vitit duke u shoqëruar me shkarkime shumë të mëdha uji, që nuk prodhojnë energji si dhe që shkaktojnë përmbytje masive dhe me pasoja të rënda me të cilat banorët e zonave të gjera janë ndeshur shpesh.

Së dyti, realizimi i një projekti të tillë strategjik do të bënte pra një rregullim shumëvjeçar të kaskadës së Drinit dhe do të optimizonte prodhimin e energjisë në të gjithë kaskadën, pra do të sillte një eficiencë ekonomike shumë më të lartë dhe do të evitonte edhe një plagë tepër të rëndë si atë të përmbytjeve.

Argumentet shteruese të specialistëve kërkojnë një reflektim të thellë dhe një konsultim të gjerë, që do të mundësonte vendimmarrje afatgjata dhe në dobi të ekonomisë së vendit, por edhe të shfrytëzimit maksimal dhe efektiv të risurseve energjetike të vendit, pasi propozimi i ndërtimit te psh.i HEC Katundi i ri me kuota maksimale mjaft më të ulëta deri në 400 metër, do të bënte të pamundur ndërtimin e Kompleksit Hidroenergjetik Skavicë me kuota shfrytëzimi 445 metër dhe kuotë maksimale 485 metër, duke sjellë për pasojë humbje të mëdha në kapacitetet e shfrytëzimit si dhe pamundësinë e rregullimit shumëvjeçar të liqenit të Fierzës me të gjithë pasojat e rënda ekonomiko-sociale që ajo sjell. Vendime te tilla kaq të rëndësishme dhe me pasoja kaq të mëdha për ekonominë dhe energjetikën si dhe me humbje mundësish të paçmuara kërkojnë vizion, transparencë, debat dhe trajtim si problem realisht kombëtar dhe aspak si një problem lokal, pavarësisht nga çdo qëllim i mirë i momentit. Vendi ka ende për fat të mirë ekspertë nga më të mirët në Europë, që duhet të përfshihen në këtë debat dhe të dëgjohen nga ne të gjithë.
Sigal