Petrit Vasili: Rilindja ka ndërmarrë një grusht shteti kundër Reformës në Drejtësi

132

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili.

Të nderuar qytetarë dhe qytetare!
Shqipëria ndodhet sot në një nga momentet më kritike të saj, në lidhje me funksionimin e shtetit ligjor, atij shteti që garanton ligje dhe Kushtetutë të barabartë për të gjithë.
Rilindja ka ndërmarrë një grusht të vërtetë shteti kundër Reformës në Drejtësi. Ka ndërmarrë një grusht të vërtetë shteti, kundër shtetit ligjor. Ka ndërmarrë një grusht të vërtetë shteti ndaj çdo të drejte dhe çdo integriteti ligjor minimal të shtetit shqiptar. Ajo po zhbën Reformën në Drejtësi dhe pikërisht me këtë mentalitet puçist, ka dërguar edhe dy ligje të tjera, nga 7 ligje të paketës së Reformës në Drejtësi, të miratuar me konsensus, të miratuar me mbështetjen e Komisionit të Venecias dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, pas përgatitjes së këtyre ligjeve nga grupet e ekspertëve të pavarur.
Këto ligje po shkatërrohen, po shqepen, po qepen sipas kostumit dhe vetë interesit të vetëm të Rilindjes që është kapja e institucioneve të drejtësisë dhe në mënyrë të veçantë e mbi të gjitha, e kapjes së Gjykatës Kushtetuese. Pasi dështoi të rrëmbente kompetencat e Presidentit, për të caktuar gjykatësit në Gjykatë Kushtetuese, sot po ndiqet logjika e bërjes së faktit të kryer të kapjes së Gjykatës Kushtetuese dhe për të hequr kërkesat për realizimin e kësaj kapje antikushtetuese, antiligjore dhe puçistë. Po propozohet që betimi i gjykatësve kushtetues të bëhet jo më nga buza e Lanës, siç u bë betimi i supozuar, imagjinar i një kandidate Arta Vorpsi, po të kthehemi tek betimi tek posta e lagjes. Pra me një letër të depozituar në postë, të nisur në postë. Gjykatësi Kushtetues fillon punë. Të nderuar qytetarë dhe qytetare, të gjithë shqiptarët nga i pari tek i fundit kanë qenë shumë të qartë, e kanë parë më së miri se çdo procedure betimi që lidhej me Presidentin e Republikës është kryer në mënyrë të menjëhershme ne kohën më të shkurtër dhe të gjithë shqiptarët kanë parë me sytë e tyre betimin e Gjykatësve Kushtetues, betimin e Prokurorëve të SPAK-ut e të tjerë të cilët janë kompetencë e Presidentit, të cilët janë kryer menjëherë pa asnjë vonesë në përputhje me Kushtetutën dhe në afatet minimale Kushtetuese. Pra i gjithë veprimi që po konsumohet është finalizimi i kapjes të drejtësisë, shkatërrimi përfundimtar i Reformës në Drejtësi, dhe shkatërrimi i ëndrrës së shqiptarëve për të patur një drejtësi të paanshme, të drejtë e të barabartë për të gjithë në mënyrë që të krijohen institucione të tilla të kapura siç është në radhë të parë e mbi të gjitha Gjykata Kushtetuese për të pamundësuar e për të mos lejuar hetimin, dërgimin para drejtësisë, gjykimin e çështjeve të mëdha qindra milionëshe. Duke filluar nga korrupsioni me Teatrin Kombëtar, duke filluar me ligjin e dividendit dhe me plotë çështje të tjera delikate të cilat kanë rënduar xhepat, financat publike, interesat e mëdha shtetërore dhe në mënyrë që këto mos të dënohen kurrë. Kjo është tentativa për të finalizuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Ndaj sot qëndrimi i opozitës shqiptare është i prerë dhe i pa ekuivok, është i pa pajtueshëm në asnjë moment dhe në asnjë pikë me këtë grusht shteti të vërtetë, i cili është një këmbanë shumë e madhe alarmi për të sotmen, për të ardhmen e Shqipërisë dhe për të ardhmen e çdo individi, për të ardhmen e pronës së tij, për të ardhmen e interesave të tij personale, për të ardhmen e të drejtave të tij bazike. Duke filluar nga ajo e shprehjes dhe deri tek liritë e tjera.
Sot këmbanat e alarmit po bien më fortë se kurrë dhe sot të gjithë duhet të jenë në këmbë, të papajtueshëm sepse këtu praktikisht shteti i së drejtës ka rënë përtokë dhe iluzioni i Reformës në Drejtësi shuhet këtu me deformimin, shkatërrimin, shpartallimin e ligjeve, ende pa filluar zbatimi i tyre.
Kjo është një ditë ku të gjithë duhet të mbajnë një qëndrim të prerë e të papajtueshëm, shumë të rreptë për të shpëtuar interesat e vendit pasi shteti ligjor nuk është ndodhur kurrë më parë në një udhëkryq kaq të rrezikshëm dhe me pasoja kaq fatale si deri më sot.
Opozita shqiptare do të jetë e papajtueshme, do të reagojë me të gjitha mjetet demokratike, me të gjitha mundësitë e saj demokratike dhe nuk do të reshtë me të gjitha format e shprehjes nga më të rreptat që do të ekzistojnë sepse këtu është në lojë fati i shtetit të së drejtës në Shqipëri, i cili është themeli i demokracisë në këtë vend.
Ju faleminderit të gjithëve!