Petrit Vasili: Reforma në Drejtësi, propaganda përballë fakteve

169
Sigal

Reforma në drejtësi, propaganda përballë fakteve reale!

Petrit Vasili, ish ministër i Drejtësisë

Sa herë që shqiptohet fjala reforma në drejtësi nga qeveria dhe disa ndërkombëtarë shpërthen një logore propagandistike e padëgjuar. Asnjë qytetar në Shqipëri nuk ka nevojë për propagandë të shpifur, por për fakte të vërteta. Ja faktet asgjesuese, që tregojnë qartë arkitekturen antifunksionale dhe totalisht të manget të sistemit të drejtësisë në të gjitha nivelet, pas plot 5 vjetësh të reformës së miratuar në 21-22 korrik 2016.

  1. Gjykata e Posaçme Apelit Kundër Krimit Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar aktualisht ka 4 anëtar nga 11 anëtar, që duhet të ketë.
  2. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Krimit Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar aktualisht ka 6 anëtar nga 16 anëtar, që duhet të ketë.
  3. Gjykata Kushtetuese ka vetëm 6 anëtarë të zgjedhur nga 9, që duhet të kishte.
  4. Gjykata e Lartë sot ka 7 gjyqtarë nga 19 që duhet të kishte. Sot në këtë gjykatë çështjet e mbartura vijojnë të jenë mbi 30 000 mijë dhe që datojnë prej vitit 2016.
  5. Gjykata e Apelit Admimistrativ sot ka 8 gjyqtarë, nga 13 që duhet të kishte sipas organikës. Sot në këtë Gjykatë shqyrtohen çështje të vitit 2016. Sipas ligjit, shqyrtimi në Gjykatën Administrative duhet të përfundojë 30 ditë pas administrimit të ankimit.
  6. Gjykata e Apelit Tiranë sot ka vetëm 9 gjyqtarë, nga 31 që duhet të kishte sipas organikës. Edhe në këtë Gjykatë shqyrtohen çështje me vite vonesë (2016) dhe ka shumë probleme me formimin e trupave gjyqësore. Ka 14 000 dosje që presin gjykimin.
  7. Gjykatat e Apeleve në Rrethe funksionojnë me numër gjyqtarësh më shumë se të përgjysmuar.
  8. Ka Gjykata që nuk formojnë as një trup gjyqësore me 3 anëtarë, ndërkohë që në Gjykatat e Rretheve përditë reduktohet numri i gjyqtarëve për shkak të procesit vetting.
  9. Edhe në Gjykatat e rretheve ka vonesa masive, me vite, në shqyrtimin e çështjeve.
  10. Praktikisht të gjitha Gjykatat në vend, nuk kanë numrin e gjyqtarëve që përcakton ligji. Asnjë analize objektive nuk ka për këtë situate kritike. Asnjë strategji nuk ka për të zgjidhur këtë deformim shumë të rëndë të sistemit të drejtësisë. Kjo situate tepër e rëndë nuk prodhon drejtësi për qytetarët, por prodhon cilësi tepër të ulët në dhënien e drejtësisë, vonesa skandaloze e tepër të dënueshme si dhe “garanton” pandëshkueshmëri për pushtetarët. Çdo gjë po bie mbi qytetarët e thjeshtë, të cilëve të drejtat e çdo lloji po iu cenohen e dhunohen çdo ditë dhe kjo drejtësi e sakatuar nuk ju garanton as mbrojtjen minimale të tyre. Pronat e mijra qytetareve po grabiten, përvetësohen e rrëmbehen arbitrarisht nga shteti dhe të fortët, ndërsa drejtësia e kapur është në krah të tyre dhe kundër qytetarëve. Këto fakte kokëforta nuk i anashkalon dot asnjë propagandë as në shqip as në anglisht. Është vërtet fatkeqësi e madhe, që reforma në drejtësi për qytetarët u kthye nga iluzion në deluzion.