Petrit Vasili në mbledhjen e KDK: Gjakftohtësia dhe pjekuria janë ato që ndajnë forcat e përgjegjshme politike

497
I nderuar z. Meta,
Të nderuar anëtarë të KDK, 
Jemi në këtë takim të sotëm, i cili mblidhet në një moment të veçantë nga ana politike, pasi delikate është situata në të cilën ndodhemi dhe sigurisht, në momente të tilla, gjakftohtësia dhe pjekuria janë ato që ndajnë forcat e përgjegjshme politike. Ato që janë të orientuara fort për fatet e vendit nga ato që janë të orientuara ndryshe.
Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Meta në radhë të parë kanë bërë gjithçka për të evituar këtë krizë në të cilën ndodhet vendi, pasi vendi ndodhet në një krizë politike. Gjithashtu, ka bërë të pamundurën, por ka dhënë edhe kontribute të jashtëzakonshme të cilat kanë zgjidhur edhe kriza të mëparshme që kanë qenë jo më pak të lehta dhe jo më pak të vështira.
Investimi në këtë drejtim ka qenë një investim i sinqertë, i drejtpërdrejtë dhe madhor, pasi ka krijuar më shumë qetësi dhe më shumë stabilitet vendit, dy elemente këto pa të cilat e ardhmja e këtij vendi do ishte vazhdimisht e rrezikuar.
Në funksion të kësaj situate, të këtij momenti, të këtyre rrethanave të krijuara në këtë mënyrë, Lëvizja Socialiste për Integrim bëri edhe një investim tjetër të dimensioneve jashtëzakonisht të mëdha, duke vënë në dispozicion të zgjidhjes edhe zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit, duke investuar në këtë drejtim kryetarin e saj në funksion të atij investimi politik 27-vjeçar që Ilir Meta kishte bërë në politikën shqiptare, në radhë të parë dhe mbi të gjitha për ta mësuar politikën shqiptare të dialogojë, së dyti për ta mësuar politikën shqiptare që të shikojë gjithmonë interesin e vendit përpara çdo interesi tjetër, së treti për dimensionin gjithëpërfshirës që Ilir Meta ka investuar dhe investon e sot e kësaj dite, e sigurisht do të vazhdojë ta investojë edhe në pozicionin e Kryetarit të Shtetit, pra dimensionin shumë të madh të gjithëpërfshirjes, ku secili ka mundësi të thotë dhe secili ka mundësi të bëhet pjesë e një zgjidhje të mirë dhe konstruktive për vendin. 
Gjithashtu, po në funksion të kësaj zgjidhjeje, të kësaj situate politike, në pararendjen e zgjidhjeve të mundshme, Lëvizja Socialiste për Integrim vuri në dispozicion edhe të gjithë atë investim të madh politik që ajo ka bërë, i cili është formalizuar në përfaqësimin e saj në qeverisjen e vendit, por edhe në pozicione më të larta, duke vënë në dispozicion të saj që nga mandati i Kryetarit të Parlamentit e deri te mandati i të gjithë ministrave, por edhe të gjithë mandatet e tjera të ekzekutivit, kudo ku kishte përfaqësim politik, vetëm e vetëm për të dhënë qartë të kuptohej kudo, në politikë dhe jo vetëm, te qytetari i thjeshtë apo politikan i lartë, që kemi një Shqipëri e cila është shumë më e rëndësishme se sa fati politik i secilit prej nesh. 
Kjo Shqipëri e cila është kaq e dhimbsur për ne është një Shqipëri ndryshe në qoftë se është një Shqipëri më konstruktive, ku flitet pa komplekse me njëri-tjetrin, ku gjenden zgjidhje që u shërbejnë të gjithëve, pasi në këtë mënyrë krijohen edhe shanse për të gjithë, krijohen mundësi të vërteta reale për një mirëqenie të prekshme për çdo qytetar, pasi çdo veprim politik që nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët është një vendim artificial për të ricikluar ose interesat politike të radhës, ose për të ricikluar krizën politike të radhës. 
Sigurisht, në funksion të kësaj zgjidhjeje, ne u investuam fort dhe sigurisht në të gjithë këtë sallë ku jemi, pa përjashtim duke filluar nga unë i pari, nuk jemi dhe nuk ishim të lumtur që t’ia dhuronim kryetarin e LSI-së zgjidhjes politike, por këtë sakrificë e kemi bërë sepse LSI është mësuar të sakrifikojë për vendin, të tjerët nuk janë mësuar të sakrifikojnë për vendin.
Në të njëjtën kohë kemi një ndjenjë e cila është një ndjenjë e dyzuar, të cilën edhe unë kam të njëjtin përjetim, sikurse thashë, me palumturinë e mëparshme kam edhe një përjetim tjetër shumë më pozitiv se sa ky, që më së fundmi pozicioni i Kryetarit të Shtetit do të jetë një pozicion i vërtetë Kryetari Shteti. Pasi, më në fund Shqipëria do të ketë kryetarin e shtetit që është i të gjithë shqiptarëve, që nuk ka pasur asnjë kompleks që të bisedojë e të gjejë zgjidhje edhe me mazhorancën, edhe me opozitën, që ka pasur vizionin e qartë që në krye të herës që në funksion të zgjidhjeve të vendin t’i shikojë mandatet e tij politike si relative dhe të parëndësishme, vetëm e vetëm që Shqipëria, vendi ynë i përbashkët të ishte më i qetë dhe një vend më i begatë për të gjithë. 
Gjithashtu, më në fund, të jemi të qetë që kemi një Kryetar Shteti i cili ka gjithmonë qetësinë e duhur dhe njëkohësisht është një derë e hapur për çdo shqiptar, të cilit nuk i shikohet dhe nuk do t’i shikohet më tesera politike e partisë, por do t’i shikohet halli apo problemi që ka.
Ky ka qenë dimensioni i LSI-së, ky ka qenë edhe dimensioni i Ilir Metës dhe filozofia në krijimin e LSI-së sot dhe në jetë të jetëve, kur kjo forcë politike do të vazhdojë të rritet dhe të forcohet. 
Por cila është detyra kryesore që ne kemi përpara?
Ne kemi një detyrë të rëndësishme, të fortë, që këtë frymë të këtij pozitiveti të dukshëm e të perceptueshëm nga çdo shqiptar, por edhe të këtij investimi kaq të mirë për shqiptarët, i cili shikohet nën dritën dhe nën flamurin, pse jo, të LSI-së, ta çojmë shumë fort përpara që nëpërmjet LSI-së ndërtohet ajo Shqipëri që duam, në radhë të parë pa konflikte, e cila punon vetëm e vetëm për mirëqenien e gjithsecilit dhe asnjëherë për armiqësimin e shqiptarëve me njeri-tjetrin, pasi, të gjithëve ne pa përjashtim në këtë sallë, gjëja kryesore që Ilir Meta na ka mësuar është të mos armiqësohemi me njëri-tjetrin. Kjo besoj është një filozofi të cilën duhet ta bëjmë tonën, pasi Shqipëria është gërryer nga armiqësitë të vogla apo të mëdha, të cilat nuk e kanë lënë të ecë përpara, por njëkohësisht e kanë bërë për fat të keq të ecë për shumë raste prapa. 
Sigurisht, që kjo zgjidhje në tërësinë e saj, i gjithë pozicionimi që ne kemi në të tërë këtë problematikë kaq të komplikuar, do të vazhdojë të jetë i orientuar fort edhe në ditët që do të vijnë në funksion të një objektivi të rëndësishëm politik: në realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri, pa të cilat nuk mund të ketë as një demokraci që funksionon, po as një shtet që besohet, as një legjitimitet i cili të jetë i pranuar dhe i besuar nga shqiptarët në radhë të parë, por edhe më gjerë e njëkohësisht dhe që nuk do të krijonte premisat apo një prosperitet, të cilin ne të gjithë e kërkojmë.
Njëkohësisht, në konkluzion të gjithë kësaj parashtrese timen, ne sot kemi solemnisht një objektiv politik të patjetërsueshëm. Objektivi është vetëm një: LSI, forcë e parë në zgjedhjet e 2017-s.
Në fund të fundit kushdo që e dëgjon objektivin ka edhe një motiv të kërkojë pse-në e objektivit. Pse-ja e objektivit është shumë e qartë dhe e thjeshtë për këdo dhe ky mesazh duhet të shkojë në familjet e çdo shqiptari. LSI ka punuar me bindje për të ardhmen e shqiptarëve. E ardhmja e shqiptarëve nuk mund të fillojë me asnjë vend tjetër përveçse tek rinia e shqiptarëve. Rinia shqiptare ka një flamur të sajin, ka një objekt krenarie, ka një model më të shëndetshmin në politikën shqiptare, një model shembull edhe për politikën me shumë intriga, të lodhshme, inproduktive dhe ky model është LRI. 
Ne, këtë bindje që e ardhmja kalon te të rinjtë, e kemi kthyer jo thjesht në bindje, e kemi kthyer në një imazh tonin, e kemi kthyer në veprim politik, pasi listat tona të deputetëve flasin qartë se cila është LRI-ja dhe cili është besimi që ne kemi te LRI-ja. Këto lista flasin vetë që nga Tirana deri në komunën e qarkun më të largët. Ka një LRI që ekziston, ecën dhe na prin në të gjithë territorin në shenjën e të gjithë pozitivitetit, por edhe të asaj që ne besojmë dhe do të besojmë: Një Shqipëri me të ardhme është një Shqipëri me rini, një Shqipëri pa të ardhme është një Shqipëri pa rini.
Skuadrat tona të cilat tashmë janë të njohura, por që janë skuadra elektorale, nuk janë skuadra kryetarësh, nuk janë skuadra komandantësh, nuk janë skuadra njerëzisht të privilegjuar, por janë skuadra njerëzish që kanë detyrë të çojnë gjithmonë përpara dhe të gjithë së bashku të realizojnë objektivin e LSI-së për të qenë forcë e parë dhe ky objektiv do të realizohet duke ecur vetëm e vetëm në një rrugë. Rruga cila është? Është një rrugë e qartë dhe e thjeshtë, një sfidë e përditshme me të cilën ne përballemi jo vetëm në përditshmërinë tonë, jo vetëm në tryezat e larta të politikës, por edhe në dialogun e çdo qytetari. Sfida është: ne do të fitojmë me modesti, me këmbëngulje dhe me thjeshtësi. 
Në asnjë rast asnjë njeri i LSI-së, asnjë përfaqësues i saj, qoftë ky në listën e kandidatëve për deputetë, pak rendësi ka: një militant, drejtues, simpatizanti ynë, nuk do të ketë kurrë mundësi dhe nuk do të pranohet kurrë të jetë pjesë e LSI-së në qoftë se i flet me arrogancë. Arroganca nuk është dimensioni ynë në asnjë rast dhe nuk do të jetë dimensioni ynë në asnjë rast. Jua them këtë gjë me bindjen e plotë se Shqipëria duke votuar me LSI-në do të ndahet nga mospërfillja, nga arroganca, nga veshi i shurdhët. Janë ato të cilat e kanë zemëruar, nervozuar, e kanë bërë më të demotivuar dhe pesimist qytetarin shqiptar. Ne, nëpërmjet të rinjve të cilët e kanë këtë modesti, të gjithë njerëzit e LSI-së pavarësisht nga mosha duhet ta kenë këtë modesti, duhet të shkojnë atje me përulësinë për të thënë që kemi shumë për të bërë, por jemi shumë të gatshëm për të bërë shumë e më shumë se më përpara, e të jeni të bindur që modestia është ajo që jua jep fitoren.
Pse ua them këtë? Gjëja e vetme që ne kemi mësuar në politikë është që ai që dëgjon, ai që është i thjeshtë, ai që e çmon dhe e vlerëson qytetarin është Kryetari i Shtetit që është Ilir Meta, të gjithë të tjerët të cilat do të duan të stabilizojnë një model ndryshe, një model i cili na prin drejt vetëkënaqësisë së madhe, apo drejt asaj që unë kam gjithçka e s’ka rendësi pse të tjerët s’kanë asgjë, kjo nuk ka për të qenë e nuk ka për të mbetur asnjëherë motivi ynë.
Në të gjitha rastet dhe në çdo moment, mund t’ju them se në këtë klimë kemi të gjithë të drejtën politike ta prijmë, ta fitojmë procesin zgjedhor dhe të themi me bindje të plotë që jemi më të mirët. Urime edhe suksese!
Sigal