Petrit Vasili: Jap dorëheqjen si kryetar, Monika Kryemadhi në krye të LSI-së

515
“Vendi ka nevojë për një opozitë të fortë dhe këtë do e bëjë LSI. Nuk do të presim shtatorin për të mbrojtur qytetarët, puna do nisë tani” 
Katër ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, nga ku Lëvizja Socialiste për Integrim, doli me një fitore të merituar, Kryesia e kësaj force ka bërë ndryshimet e para, të cilat pritet t’i vijnë në ndihmë bërjes së një opozite të fortë. Këto ndryshime u njoftuan nga kryetari Petrit Vasili, i cili e nisi nga vetja. Para gazetarëve në një deklaratë për shtyp, Vasili njoftoi dorëheqjen nga posti i kryetarit, që e mori dy ditë pas zgjedhjes së ish-kryetarit Ilir Meta në postin e Presidentit. Bashkë me njoftimin për këtë ndryshim, Vasili dha edhe shpjegimet përkatëse, se perse u vendos kështu në mbledhjen e Kryesisë së Partisë. Sipas Vasilit, kryesia vendosi të bëjë ristrukturimin dhe riorganizimin e partisë. LSI, tha ai do të jetë një forcë e madhe në opozitë dhe nuk do të lejojë që oligarkët të vazhdojnë rrugën e tyre të mashtrimit dhe manipulimit të popullit. “Ndaj në këtë funksion, personalisht kam vendosur që të paraqes dorëheqjen si kryetar i LSI dhe ia kam paraqitur këtë propozim kryesisë së LSI-së dhe i kam kërkuar asaj dhe kam marrë besimin e saj që të drejtoj Grupin Parlamentar të LSI-së, që është një grup me detyra krejtësisht të reja, shumë herë më të mëdha, sesa grupi që ajo ka pasur në kohën kur ishte pjesë e qeverisjes, pasi fronti parlamentar do të jetë nga frontet prioritare të luftës sonë të re në opozitë”, tha Petrit Vasili. 

Ndryshimet e reja në parti
Duket se mbledhja e kryesisë së LSI, kishte vendosur gjithçka, ndërsa Vasili doli në konferencë për të dhënë lajmin e riorganizimit të kësaj partie, me qëllim forcimin e mëtejshëm dhe rritjen e saj. Pasi foli për pozicionin e kryetarit që e la pas një kohe të shkurtër, Vasili dha edhe emrat konkret se kush do të jetë në krye të saj. “Pikërisht në funksion të këtij dinamizimi të ri të partisë dëshiroj t’i propozoj LSI-së nga ana ime Monika Kryemadhin si kandidate për Kryetare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, bazuar jo thjesht në pozicionin e Zv. Kryetares që ajo mbulon aktualisht, por në radhë të parë, për kualitetin politik të jashtëzakonshëm, tashmë të njohur nga i gjithë publiku shqiptar. Një kualitet politik që është lidhur gjithmonë me qytetarin dhe asnjëherë me asnjë interes tjetër. Së dyti, bazuar edhe në kualitetin e jashtëzakonshëm organizativ dhe dinamizmin e këtij dimensioni që ajo e reflekton si askush tjetër në politikën shqiptare. Dhe së treti, besoj si një shkak më madhor, znj. Kryemadhi ka qenë një politikane aktive, e cila nuk është bërë pjesë në asnjë rast e ekzekutiveve shqiptare në këto 8 vite por ka mbajtur një distancë të duhur që ruan fokusin e qartësisë dhe urën lidhëse midis qytetarit dhe pushtetit. Dhe ku kjo orë funksionon apo jo ajo e njeh më mirë se të gjithë të tjerët. Gjithashtu, i kam propozuar Kryesisë që në pozicionin e Zv. Kryetarit të jetë z. Luan Rama, një personalitet shumë i njohur, komentet për të cilin do të ishin të tepërta. Një vlerë e spikatur e politikës shqiptare dhe e LSI-së në veçanti. Gjithashtu deputet i zgjedhur për herë të dytë në Kuvend nga LSI. Besoj se i ka të gjitha ingredientët që së bashku me znj. Kryemadhi të ruajnë një dinamikë të jashtëzakonshme të veprimit politik të LSI-së si kurrë më parë. Njëherazi edhe propozimin e znj. Erisa Xhixho në postin e nënkryetares së LSI-së, që mendohet të jetë vakant nga Luan Rama. Edhe znj. Xhixho tashmë një personalitet i njohur i politikës dhe jetës shoqërore shqiptare”, tha Vasili në konferencën për shtyp. 

Mbledhja Konventës së LSI-së
Pas analizimit të situatës, dorëheqjes së kryetarit Vasili dhe propozimit për zëvendësimin e postit që ai e mbajti shumë shkurt, u vendos edhe data e mbledhjes së Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ajo do të mbahet të mërkurën e ardhshme në datë 5 korrik. “Kjo konventë do të marrë këto vendime dhe njëkohësisht do të rishprehë vlerësimin dhe konsideratën më të lartë për të gjithë punën e jashtëzakonshme të bërë nga LSI në këto zgjedhje dhe rezultatin shumë të rëndësishëm si fituesin e vetëm të këtyre zgjedhjeve. LSI është dukshëm fituesi i vetëm i këtyre zgjedhjeve, edhe numerikisht por edhe në pikëpamje morale. Kishte nga ata që fituan me vota të vjedhura dhe ata që humbën sepse i munguan misionit për të bërë opozitë, qoftë edhe një ditë të vetme. Pra të gjithë ata që e ngjizën këtë fitore meritojnë një vlerësim të veçantë dhe konventa do të jetë rasti më i mirë”, tha Petrit Vasili. më tej Vasili shtoi se LSi nuk do të presë shtatorin për të nisur nga puna dhe për të bërë opozitën që kërkon vendi. Kjo sipas tij do të fillojë që tani dhe pikërisht për këtë qëllim u deshën edhe ndryshimet e miratuara nga kryesia. Për Vasilin ringritja e një fryme të re është një mision i LSI-së dhe kjo sipas tij do të kryhet me atë përkushtim siç është bërë në këto 13 vite duke qenë shembulli më i mirë, më i qartë, më i freskët dhe më transparent i një politike krejtësisht të re për të cilën shqiptarët kanë nevojë dhe jo për riciklimin e politikave të vjetra. Kryetari i LSI-së Vasili u tha gazetarëve se dorëheqja e tij nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë presioni, por si domosdoshmëri për të riorganizuar LSI-në, si njënga forcat më të mëdha opozitare në vend. Për t’u arritur kjo gjë, deklaroi ai, duhet energji e re dhe Monika Kryemadhi i ka të gjitha kualitetet për ta arritur. E ndërsa foli për organizimin dhe bërjen e një opozite të fortë, Vasili shtoi se e njëjta gjë do të bëhet edhe përmes anëtarëve të kësaj force në këshillat Bashkiak. Lëvizja Socialiste për Integrim, është grupim i madh parlamentar dhe për këtë qëllim do të duhet të ketë një ridimensionim. Ndërkohë gara për Kryetarin e Partisë së LSI-së mbetet e hapur. Petrit Vasili deklaroi ditën e djeshme se të gjithë anëtarët e LSI-së kanë të drejtë të futen në garën për kryetar. Kërkesat e tyre do të priten deri të hënën në mesditë. 

Modeli i opozitës së re
“Për sa i takon opozitës, do të jetë një opozitë e qartë, e drejtpërdrejtë, pa asnjë kompromis dhe opozitë që më në fund flet qartë flet ballas. Jo pak herë kemi folur edhe kur kemi qenë pjesë e mazhorancës. Madje, më shumë opozitë ka bërë LSI-ja se sa vetë opozita zyrtare që ishte në Parlament. Këtë herë dimensioni do të jetë shumë herë më ndryshe, sepse edhe disa detyrime që vinin nga marrëveshja e koalicionit bien dhe na projekton për një opozitë që e shëndosh vendin, e shëndosh të ardhmen e tij dhe u jep shpresë në radhë të parë mijëra e mijëra të rinjve të zhgënjyer të cilët kërkojnë, duan shpresë. Njëkohësisht u jep një mesazh 80% të shqiptarëve që nuk votuan as për Rilindjen dhe atyre 56% të shqiptarëve të cilët duan të lënë vendin. Ata kanë nevojë për një mesazh të qartë shprese dhe serioziteti, të një opozite që nuk shitet e blihet dhe që nuk kapet. Këtë detyrë do ta kryejmë më së miri”, tha Vasili në fjalën e tij. ndërkohë lidhur me pozicionin e Monika Kryemadhit në krye të Partisë në një kohë që bashkëshorti i saj është President, Vasili tha se nuk sheh papajtueshmëri. 
Sigal