Peticionet kundër Dvoranit, në DASH dhe ambasadën në Tiranë

964
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Intelektualët e Diasporës në SHBA dhe Kanada, i kanë dërguar peticion Sekretarit të DASH, z.Anthony J. Blinken, duke shprehur indinjatën dhe tërheqjen e Certifikatës që ju dha Ardian Dvoranit si “Kampion i Antikorrupsionit”. Ndërkohë që Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politik i ka dërguar një Letër të Hapur ambasadores së SHBA në Tiranë znj.Yuri Kim. Ne pro-amerikanët, viktima të prokurorit të diktaturës ndihemi të fyer ndaj mbështetjes së ambasadës për “Kampionin e Terrozmit”. Flasin Nebil Çika dhe Filip Guraziu djali i të pushkatuarit në terrorin e bombës së Ambasadës Ruse

Peticion nga Komuniteti Shqiptar në Diasporën e SHBA-ve dhe Kanadasë Sekretarit të  Shtetit të SHBA

  1. Dvorani, një ish gjyqtar komunist, nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë një Kampion Antikorrupsion

I nderuar z.Anthony J. Blinken,

Ne u tmerruam kur pamë vendimin tuaj më të fundit të Z. Dvorani si një kampion antikorrupsion.  Asgjë tjetër nuk mund të ishte më larg të vërtetës, sesa ky emërtim i tillë. Edhe pse është Deklarata Juaj, ne e kuptojmë,që është një informacion jo i vërtetë  që Ju mund të keni marrë nga stafi shqiptar i Ambasadës Amerikane në Tiranë, Shqipëri, i cili përbëhet kryesisht nga ish anëtarët e tmerrshëm të forcës së fshehtë komuniste dhe elita komuniste.  Ata luajnë me SHBA-në, dhe për fat të keq Departamenti i Shtetit nuk ka qenë në lartësinë e detyrës për të kuptuar lojërat e tyre të poshtëra.

  1. Dvorani nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë një Kampion Antikorrupsion. Një ish-gjyqtar komunist, që dënoi njerëzit me burg të gjatë vetëm për arsye politike dhe një gjykatës i korruptuar në periudhën Post-Komuniste të Demokracisë, pasuria e të cilit nuk mund të justifikohet nga paga e tij prej më shumë se njëqind milion  lek. Ju lutemi të shikoni bashkangjitur Raportin e Agjencisë Shqiptare, që vlerëson pasurinë e zyrtarëve publikë.  Për më tepër, jo vetëm që ai kurrë nuk ka qenë një Kampion antikorrupsion, por ai është arsyeja kryesore që Reforma në Drejtësi, e cila u miratua me 100% të votave të parlamentit shqiptar “doli nga shinat” , duke shkaktuar shkatërrimin e plotë të Sistemit Gjyqësor.  Shqipëria nuk ka një Gjykatë të Lartë funksionuese dhe për katër vjet nuk ka një Gjykatë Kushtetuese dhe e gjitha kjo fal Z. Dvorani. Komisioni i Venecias ka lëshuar një akuzë të ashpër kundër Z. Dvorani, ju lutem gjejeni atë, dhe ju do të shihni se sa joreal dhe sa mashtrues është informacioni, që Ambasada Amerikane në Tiranë i dërgon Departamentit të Shtetit.

Populli shqiptar është një popull, si pjesa tjetër e botës.  Ai e ka treguar veten me nder në shekuj.  Populli shqiptar mbrojti 100% të popullsisë hebreje gjatë okupimit gjerman, dhe këtë e vërteton fare mirë numri i larte i  hebrenjve që gjendeshin në Shqipëri pas Luftës  së Dytë Botërore, në krahasim me vendet fqinje, si Italia, Greqia dhe Jugosllavia, ku ata u persekutuan dhe gjetën siguri në Shqipëri.  Populli shqiptar e ka treguar që është më pro-amerikani në Evropë, duke treguar mirënjohjen më të madhe ndaj Presidentëve të SHBA-se si Wilson, Clinton, Bush Sr. dhe Bush Jr për ato që ata bënë gjatë 100 viteve të fundit për Kombin shqiptar. Ne nuk e meritojmë të trajtohemi si një tufë delesh dhe të tallemi kaq skandalozisht nga diplomatët e SH.B.A-së, teksa ata i ngrene në piedestal përndjekësit tanë.

 Ne me respekt ju paraqesim këtë kërkesë për të rishikuar këtë zgjedhje të gabuar dhe faleminderit për shqyrtimin tuaj. Me respekt dhe mirënjohje Nikolas Mirakaj Alempijevic dhe Hajro Çini

Nebil Çika, Kryetar i Shoqota Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë

Ne, viktimat e prokurorëve të diktaturës, jemi gati për protesta para ambasadës amerikane në Tiranë

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

Në Shqipëri, vlerësimi i DASH për Ardian Dvoranin si “Kampion i antikorrupsionit në Shqipëri” ka ngjallur revoltë të madhe në shoqërinë civile, në shtresat e ish të dënuarve, të persekutuarve politikë, të familjarëve të viktimave politikë të diktaturës komuniste, por edhe më gjerë, edhe në Diasporën Shqiptare. Madje, sipas informacioneve, të gazetës “Telegraf” intelektualë dhe personalitete shqiptare të Diasporës në SHBA dhe Kanada kanë përgatitur dhe po nënshkruajnë një peticion për të përcjellë në DASH, për t’i kërkuar që të marrë mbrapsht vlerësimin për Ardian Dvoranin. Dje, Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë i ka dërguar një Letër të Hapur ambasadores së SHBA në Tiranë Yuri Kim, duke i kujtuar, se po bashkëpunon me njerëz, që dje, si prokurorë, hetuesë, gjyqtarë dhe ministra të regjimit komunist kanë dënuar shqiptarë, vetëm e vetëm pse kanë shprehur dashuri për demokracinë në SHBA dhe që kanë qenë armiq të betuar të Lirisë dhe Demokracisë të SHBA-së.

 Nebil Çika, Kryetar i Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet, se ambasada amerikane në Tiranë ka patur dijeni të plotë për veprimtarinë e Ardian Dvoranit, si hetues i diktaturës deri në vitet 1990, çka e bën edhe më të rëndë vlerësimin që DASH i bëri Dvoranit, sepse shumica e të dënuarve politikë, janë viktima pikërisht të vendimeve gjyqësore të këtyre prokurorëve, që sot i vlerëson DASH, ndaj zoti Çika thotë se ata janë kampionë të terrorizmit. Zoti Çika, pohon për gazetën “Telegraf” se Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë është gati të fillojë protesta para ambasadës amerikane në Tiranë, nëse DASH nuk merr mbrapsht, atë vlerësim të turpshëm.

Fakti që Ambasada USA në Tiranë dhe DASH kishte informacionin  të plotë për veprimtarinë kriminale te ish prokurorit komunist Dvorani, viktima të të cilit ishin antikomunistët shqiptare pro-amerikanë, e bën edhe më të rëndë për ne këtë veprim të pashpjegueshëm

– Zoti Çika, këto ditë, Departamenti Amerikan i Shtetit në SHBA vlerësoi Ardian Dvoranin, si kampion të Antikorrupsionit, për kontributin që ka dhënë në Drejtësi deri tani, e në veçanti në Reformën në Drejtësi. Dvorani ka qenë prokurori që ka dënuar shkodranët në 1990, pse rrëzuan bustin e Stalinit. Ju si familje e persekutuar, si ndiheni që DASH vlerëson pas 30 vitesh, prokurorin e Diktaturës?

– E përcollëm me habi dhe zhgënjim këtë zhvillim, që nuk e prisnim, sidomos nga përafruesja e një vendi  si SHBA te konsideruar nga ne si kampion i demokracisë dhe i antikomunizmit . Fakti që Ambasada USA në Tiranë dhe DASH kishin informacionin  të plotë për veprimtarinë kriminale te ish prokurorit komunist Dvorani, viktima të të cilit ishin antikomunistët shqiptare pro-amerikanë, e bën edhe më të rëndë për ne këtë veprim të pashpjegueshëm dhe aspekt korrekt  të shtetit tek i cili ne kemi pasur besim e adhurim të madh, ndërkohë, që shumica prej nesh janë pushkatuar dënuar e internuar nga diktatura komuniste dhe xhelatët e saj si Dvorani pikërisht se donim Amerikën, që në atë kohe konsiderohej një krim politik shumë i rëndë. Personalisht në emër të të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërisë, viktima te Dvoranit & Co  kam informuar Ambasadën USA , DASH dhe  Presidentin e SHBA  për krimet e tyre, duke i kërkuar zyrtarisht dhe publikisht te mos i përkrahin persekutorët komunist të Shqipërisë. Kam informuar  edhe KE  dhe ish monitoruesen e tij për reformën në drejtësi në Shqipëri  zonjën Calavera,  duke ia specifikuar veprimtarinë kriminale te Dvoranit si prokuror i diktaturës komuniste. Pra ata nuk janë të pa informuar e dinë shumë mirë çfarë bëjnë. Dhe ata e dinë se çfarë bëjnë, nuk i fal as Zoti.

   Nuk mund ta besojmë e as ta pranojmë dot  që përfaqësuesit  e SHBA të nderojnë pikërisht xhelatët satlinistë që na vrisnin, dënonin e intrernonin  ne, duke na akuzuar si agjentë e filo-amerikanë

-Me këtë vlerësim DASH, që i bëri prokurorit të Diktaturës, çfarë mesazhi përcjell tek Ju, ish viktimat politike të këtyre prokurorëve?

– Dhimbje dhe zhgënjim! Tragjedi, po të llogaritës faktin se sa nga ne u sakrifikuan për besimin dhe dashurinë ndaj Amerikës vlerave dhe standardeve të demokracisë së saj.  Në datën 26 shkurt 2021  ditën e përkujtimit të 70 vjetorit të pushkatimit të martirëve të bombës në Ambasadën Sovjetike  nga varreza 22 martirëve tek Dëshmorët e Kombit,  i kam kërkuar publikisht Shkëlqësisë së Saj Zonjës Yuri Kim  të kapërcejë gardhin e varrezave, ngjitur me rezidencën e saj, e të shikoje se çfarë kanë bërë hanxharët e diktatuarës para se t’i dekorojë e vlerësojë ata,  Diktatura është niveli më i lartë i korrupsionit  politik në një vend dhe t’i japësh çmimin  Kampion i antikorupsioni njërit prej xhelatëve të saj, nuk është normale e as humane dhe kur këtë e bën SHBA efektet negative janë shumë më të mëdha.  Kemi mbështetur dhe admiruar thirrjet e zonjës Kim drejtuar partive politike shqiptare për të mos kandiduar  në zgjedhje persona të papastër. Por  refuzojmë me keqardhje qëndrimin me dy standarde që ajo vet po promovon si model të anti-korrupsionit llumin e përgjakur të diktaturës komuniste.  Dvorani dhe të tjerët, prokurorët, hetuesit, gjyqtarët  sigurimsat, drejtuesit politik dhe hanxharët e diktaturës komuniste meritojnë vetëm një çmim: Kampionë të terrorizmit!

Shumica prej nesh janë pushkatuar dënuar e internuar nga diktatura komuniste dhe xhelatët e saj, si Dvorani, pikërisht se donim Amerikën, që në atë kohe konsiderohej një krim politik shumë i rëndë

– A mendoni se përfaqësuesit e ish të dënuarve politikë, të ish të përndjekurit politikë duhet t’i dërgojnë DASH një peticion që ky vlerësim ndaj prokurorit të Diktaturës të anullohet?

– Sigurisht. Personalisht kam mare mesazhe të shumta prej të përndjekurve politikë antikomunistë për reagime, peticione e protesta tek Ambasada, etj. Por  kemi pritur këto ditë prej reagimit tonë dhe shumë qytetarëve të tjerë që nuk janë pjesa jonë t’i lemë kohë  Ambasadës dhe DASH të reagojnë vetë e të korrigjojnë gabimin e madh që kanë bërë. Nuk është e lehte për ne të reagojmë ndaj një shteti, tek i cili  kemi shpresuar shumë e për të cilin  kemi sakrifikuar aq shumë. Nuk mund ta besojmë e as ta pranojmë dot  që përfaqësuesit  e SHBA të nderojnë pikërisht xhelatët satlinistë që na vrisnin, dënonin e intrernonin  ne, duke na akuzuar si agjentë e filo-amerikanë. Besoj që martirëve tanë u lëvizin kockat në varr nga këto veprime që ata as do t’i kishin menduar kurrë.  Por sigurisht që do të reagojmë shumë fort madje. Askush nga ne nuk e ka menduar që vetë Ambasada  e SHBA dhe DASH do të merrte vendime të tilla, të cilat çojnë në zhgënjimin  pikërisht të atyre që mbajtën me shpirt në dhëmbë, respektin dhe dashurinë për Amerikën në 45 vjet terror të ushtuar nga dovoranët stalinistë, antiamerikanë, kampionë të terrorizmit.

Letër e hapur ambasadores së SHBA në Tiranë Zonjës Yuri Kim, Ambasadore e SHBA në Shqipëri!

Po bashkëpunoni me njërëz, që  kanë qenë për vite të tëra armiq të lirisë, demokracisë dhe veçanërisht SHBA-ve

 

E nderuar Shkëlqesi!

Duke vlerësuar shqetësimin tuaj publik për Reformën në Drejtësi dhe duke besuar në korrektësinë e ndershmërinë e shqetësimit tuaj për bllokimin dhe degradimin e saj mendojmë se ndajmë të njëjtin dyshim me Ju: Ka një komplot kundër saj! Ne të përndjekurit politikë antikomunistë të Shqipërisë ndjehemi shumë të shqetësuar nga zhvillimet dhe sidomos produkti i deritanishëm i reformës në drejtësi të cilën Ju si SHBA keni marrë përsipër ta monitoroni bashkë me BE gjë e sanksionuar kjo nga kushtetuta e Shqipërisë e cila ja ka ngarkuar OMN këtë detyrë. Ne si shtresa e interesuar e vendosjes në vendit tonë të shtetit ligjor, pasi për 45 vjet diktaturë komuniste, por jo vetëm, kemi qenë viktimat e padrejtësisë, kemi pritur që reforma në drejtësi të hedhë bazat e shtetit të së drejtës në këtë vend dhe kemi mbështetur çdo përpjekje për ta arritur këtë. Mirëpo, me keqardhje dhe shqetësim të madh konstatojmë se deri tani produkti i reformës nuk është ai që prisnim. Kemi konstatuar me keqardhje dhe shqetësim se procesi i Vetingut ka injoruar në vendimet e marra pjesëmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në proceset politike gjyqësore të diktaturës komuniste duke konsumuar hapur e në mënyrë të përsëritur një shkelje të ligjit. Kjo ka bërë që në institucionet e reja të drejtësisë madje edhe në krye të tyre të emërohen ish pjesëtarë të Sigurimit të Shtetit, policisë politike të diktaturës, hetues, prokurorë e gjyqtarë që kanë qenë pjesë e proceseve politike ndëshkimore ndaj kundërshtarëve të rrëgjimit komunist, që karakterizoheshin dhe në të cilat përfshihen; tortura, montime, falsifikime dhe dënime të ashpra jo vetëm për ata që dënoheshin ekzekutoheshin ose burgoseshin por edhe për familjarët e tyre përfshi, gra pleq e fëmijë, që internoheshin e u mohoheshin të drejtat themelore të njeriut. Nuk bëhet fjalë për pak individë por, sipas vetë statistikave të Sigurimit të Shtetit rreth 35% e popullsisë shqiptare u përndoq politikisht gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri dhe e gjithë kjo u realizua nëpërmjet proceseve dhe vendimeve të hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të diktaturës komuniste. Ne kemi denoncuar rast pas rasti kalimin e Vetingut dhe emërimin në krye të drejtësisë të persekutorëve tanë politikë por nuk kemi parë asnjë reagim, as nga Ju për këtë fenomen tejet negativ. Për ta bërë më konkret këtë shqetësimin tonë po ju tregojmë disa nga emërimet e fundit të xhelatëve tanë në institucionet e Drejtësisë, si produkt Reformës:

1-Emërimi në krye të SPAK-ut të Arben Kraja, një ish hetues i Sigurimit të Shtetit në Shkodër 1987-1992.

2-Emërimi Zëvendësprokuror i Përgjithshëm i Thoma Jano, hetues dhe shef i hetuesisë së Sigurimit të Shtetit në Krujë 1980-1991 autor i dhjetëra proceseve hetimore politike komuniste.

3-Emërimi në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) të Ardian Dvoranit nga një prokuror komunist që ka dhënë dënime të rënda politike për kundërshtarët e regjimit komunist si prokuror i diktaturës në Shkodër përfshi edhe ata që rrezuan bustin e Stalinit në 1990.

4- Emërimi në Këshillin i Lartë Gjyqësor (KLGJ) si anëtare e Fatmira Luli, gjyqtare në kohën e diktaturës; ka dënuar qytetarët pse morën pjesë në rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991 apo për hyrjen në ambasada.

5-Emërimi në Këshilli i Emërimeve në Prokurori (KLP) të Bujar Sheshit ish hetues i Sigurimit të Shtetit autor i shumë arrestimeve torturimeve dhe dënimeve politike si hetues në Rrethin e Fierit, sipas AIDSSH edhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

6- Emërimi në Këshilli i Emërimeve në Prokurori (KLP) e Nurihan Seiti, gjyqtare e diktaturës komuniste, ka dënuar disa persona me akuzat për agjitacion propagandë dhe tentim arratisje nga kufiri.

Për të gjitha këto ne i jemi drejtuar zyrtarisht dhe publikisht edhe znj. Gjinovefa Calavera drejtueses së OMN dhe përgjigja e saj ka qenë fyese dhe jo korrekte për ne. Besoj se këto raste që ju përmenda më lart tregojnë qartë se produkti i vetëm Reformës në Drejtësi deri tani është: rikthimin në krye të institucioneve kryesore të drejtësisë të ish persekutorëve. Dua t’iu theksoj që bëhet fjalë për krime të rënda, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid të cilat si nga ligi shqiptar edhe ai ndërkombëtare nuk parashkruhen.

E nderuar Shkëlqesi!

Ne besojmë në standardet dhe vlerat e SHBA dhe Presidentit Donald Trump që Ju përfaqësoni në Shqipëri dhe ndajmë me Ju shqetësimin tonë edhe për bllokimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës se Lartë, mungesa e të cilave ka dëmtuar seriozisht interesat e njerëzve tanë. Me vakumin e Gjykatës Kushtetuese ne kemi humbur çdo mundësi për të kundërshtuar ligje të qeverisë që kanë prekur drejtpërdrejtë interesat e të përndjekurve politike antikomunist edhe me mosfunksionim e gjykatës së lartë shumë nga njerëzit tanë janë prej vitesh në pritje të përfundimit të proceseve gjyqësore shumë jetike, si për pronat e sekuestruara nga komunistet, dëmshpërblimet për persekutimin, pushimet politike nga puna etj. Prandaj ne mbështesim çdo përpjekje tuajën për të normalizuar drejtësinë shqiptare! Nuk e di si e shikoni ju por për ne është e qartë që reforma në drejtësi, jo tani, por, qe kur nisi, është deformuar e bllokuar nga një komplot komunist që nuk synon, pastrimin dhe normalizimin e saj por kapjen e drejtësisë nga politika ish komuniste shqiptare. Ne besojmë se palët apo personat politikë e zyrtarë të Shqipërisë apo edhe ndërkombëtarë me të cilët ju bisedoni e bashkëpunoni për këtë çështje nuk e kanë integritetin moral dhe vullnetin politik për të bërë një reformë reale e të ndershme në drejtësi. Sot shteti shqiptar drejtohet në shumicën e tij nga autorët e krimeve komuniste. Parlamenti,për shembull, institucioni kyç në kryerjen e reformës drejtohet nga ish-ministri i fundit i Brendshëm i diktaturës komuniste Gramoz Ruçi, autor i drejtpërdrejt i krimeve kundër njerizimit dhe gjenocid. Fotoja e tij ndodhet sot në muzeun e krimeve të komunizmit, si autor i tyre (gjë që mund ta vërtetoni lehtësisht),  ndërkohë që ai është edhe nr. 2 i shtetit shqiptar. Vërtet besoni se ai dhe te tjerë si ai janë partnerë normal Tuajt, sidomos për Reformën në Drejtësi?!

E nderuar zonja Kim!

Këto njerëz me të cilët ju po përpiqeni të bashkëpunoni kanë qenë për vite të tëra armiq të lirisë demokracisë dhe veçanërisht SHBA-ve. Besoj e dini sa njerëz janë pushkatuar, burgosur e internuar nga komunistet se ishin por-amerikanë apo dyshoheshin si të tillë?!Ne besojmë se ju keni zgjedhur partnerin e gabuar për të bërë reformën në drejtësi e shtetin ligjor si garant të demokracisë në Shqipëri. Nisur nga deklarata Juaj publike për një ‘komplot’ ndaj Reformës në Drejtësi dëshiroj të besoj se e keni kuptuar me në fund ku qëndron problemi, që për ne kanë qenë janë dhe mbeten komunistët antiamerikanë, me maskë demokratesh filo-amerikanë! Sa të vazhdoni të konsumoni kohë nerva e para me ta vetëm komplote do të keni! Së fundi, ne mendojmë se me forcën e shtetit më të fortë e më demokratik në botë, mik i shqiptarëve do të mundni të imponoheni për të ndryshuar gjendjen e rëndë të lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri, por besojmë dhe këmbëngulim se kjo nuk mund të arrihet me partnerë të gabuar të cilët e kanë cilësuar Presidentin Tuja të nderuar shkëlqesinë e tij, Z. Donald Trump ‘turpin e njerëzimit’!

Nga Nebil Çika, Kryetar i Shoqota Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë

 

Filip Guraziu, djali i të pushkatuarit Pjerin Guraziu në terrorin e bombës së Ambasadës Ruse në Tiranë

T’i dërgojmë peticion DASH, që të marrë mbrapsht vlerësimin ndaj Dvoranit

-Zoti Guraziu, ju si familje e persekutuar, si ndiheni që DASH vlerëson sot prokurorin e Diktaturës, Dvoranin? Me këtë vlerësim DASH, që i bëri prokurorit të Diktaturës, çfarë mesazhi përcjell tek Ju, ish viktimat politike të këtyre prokurorëve?

Unë e gjykoj më gjerë rastin e Dvoranit, diskutim mbi të cilin u hap “Kutia e Pandorës”. Për mendimin tim, një ndër  elementët e dekomunistizimit të shoqëëisë shqiptare, ishte dhe  mbetet, mbajtja e një qëndrimi të drejtë moral (ashtu si kanë vepruar  në vendet komuniste Lindore)  ndaj personave që i kanë shërbyer diktaturës  në postet e Sigurimit të shtetit, hetuesisë dhe prokuororisë, domethënë ndalimin me ligj  të punësimit të tyre në sektorin shtetëror të drejtësisë.

A mendoni se përfaqësuesit e ish të dënuarve politikë, të ish të përndjekurit politikë duhet t’i dërgojnë DASH një peticion që ky vlerësim ndaj prokurorit të Diktaturës të anullohet?

–  Në lidhje me këtë pikëpamje,  jam i gatshëm që  të bëj pjesë në çdo lloj peticioni që do t’u bëjmë Departamentit të Shtetit Amerikan, që të marrë mbrapsh vlerësimin që i bëri Dvoranit, prokurorit të diktaturës.