Përmbytjet, Panariti: Duhet të shpallet gjendja e emergjencës

442
Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti i ftuar në emisionin ‘Repolitix’- Report TV kërkoi që qeveria të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, pasi Shqipëria ndodhet nën ujë. Deputeti i LSI, tha se qeveria nuk po e merr një vendim të tillë, pasi bën llogarinë e faturave, por sipas tij edhe Brukselit mund ti dërgohet një kërkesë për ndihmë.
“E gjithë Shqipëria është nën ujë. Nëse shpallet gjendja e emergjencës të derivojnë edhe angazhimet që ka qeveria. Kjo ka të bëjë edhe me fondet. Mund të mbyllësh edhe sytë dhe të mos e shpallësh. Nuk shpallet, pasi bëhen llogari faturash, pasi mendohet se po e shpalla ka edhe faturë, ka edhe përgjegjësi për t’u përgjigjur. Por nëse e shpall mund t’i dërgosh një faturë edhe Brukselit, mund të ndihmojnë edhe donatorët” tha Panariti.
Deputeti i PS, Besnik Bare ka replikuar duke argumentuar se nuk plotësohen kushtet që të shpallet gjendja e emergjencës. “Duhet të ketë kritere kur shpallet. Unë mendoj se qeveria do të marrë informacionet dhe kur të plotësohen kriteret edhe ligjore edhe shkencore qeveria do të bëjë vlerësimin financiar. Unë mendoj që nuk janë kushtet për gjendje të jashtëzakonshme. Situata është dramatike, por jo për gjendje të jashtëzakonshme” tha ai.
Më pas Edmond Panariti, Besnik Bare deputet i PS, Aleksandër Cipa dhe Lavdosh Feruni kanë analizuar shkaqet e përmbytjeve. Edmond Panariti u shpreh se në mandatin e parë të qeverisë Rama është bërë një punë e mirë me investimet, por tani drejtorët e hidrovoreve po shkarkohen.
“Në 4 vite janë kryer investime në hidrovore. Peleshi lavdëroi drejtorin e hidrovorit në Fier, ndërkohë që atij ka dy javë që iu dërgua urdhri i shkarkimit”. Një tjetër problem sipas ish-ministrit është edhe shfrytëzimi i inerteve.
“Unë kam firmosur urdhër për ndalimin e shfrytëzimit të lumenjve, por nuk u zbatuan. Edhe në Vjosë ka firma që shfrytëzojnë”. Më pas deputeti i LSI, u ndal edhe te kanalet kulluese. “Iu luta Ramës, i thash mos e decentralizoni sistemin, pasi një kanal kullues kalon në dy apo tre bashkie, ato janë artere kombëtare dhe ato ia lënë përgjegjësinë njëri tjetrit”.
Ambientalisti Lavdosh Feruni e shikon problemin te shfrytëzimi pa kriter i pyjeve, ndërsa kërkon që të ketë fushë pyllëzimesh për të korrigjuar atë që ka ndodhur në dekadën e fundit. Edhe gazetari Aleksandër Cipa këmbënguli te pyllëzimi duke kërkuar që kjo cështje duhet të futet nga pozita dhe opozita në Kuvend.
Panariti hodhi idenë e zhvendosjes së të gjitha familjeve që ndodhen buzë lumenjve për të zgjidhur problemin njëherë e mirë. “A jemi të gatshëm të paguajmë faturën e zhvendosjes së këtyre familje buzë kodrës. Lumi del se janë faktorë natyrorë. A jemi gati për ta kapur problemin te rrënja. Se ne do futemi në një cikël vicioz, përmbytje, vlerësim, dëmshpërblim”. Por deputeti i PS, Bare reagoi duke thënë se fatura do të ishte shumë e lartë.
Sigal