Përmbytjet në Shqipëri/ Kryemadhi: Janë zhdukur meteorologët, janë zëvendësuar me Facebook-istë

256
Sigal

TAKIMI I KRYETARES SË LSI, MONIKA KRYEMADHI NË LEZHË (PJESA 2)
Monika Kryemadhi:
Në vizitën që zhvillova në Laç te një nga fermerët e prekur nga përmbytjet atje, një nga problemet që kishte, ishte çështja e menaxhimit të digës së Hidrocentralit të Shkopetit. Pra, privati nuk e hap digën kur duhet hapur, sepse thotë unë të shes energjinë elektrike kur kam pikun e çmimit të energjisë dhe kur vjen pastaj që kalon nivelet, në këtë rast pastaj duhet shteti, për të menaxhuar etjen e privatit për të fituar para dhe kjo etje e madhe e privatit për të fituar para, duhet të jetë e kufizuar, sepse dëmet që i janë shkaktuar një fermeri, një familjeje janë shumë të mëdha. Të njëjtën gjë ka edhe Drini edhe për Shkodrën dhe për Lezhën, megjithatë një nga problemet e tjera është fakti se ne i kemi zhdukur meteorologët, i kemi zëvendësuar me Facebook-istë dhe ky është një nga problemet më të mëdha, që ne kemi shkatërruar specialistët, inxhinierët hidroteknikë, inxhinierët e tokave, inxhinierët e ujërave, që janë shumë të rëndësishëm përsa i përket menaxhimit të situatave të tilla.
Banori i Lezhës:
Ka edhe diçka tjetër që është shumë e rëndësishme. Ligji për Financat Vendore parashikon një fond emergjence për çdo njësi, i cili duhet miratuar në buxhetet lokale çdo vit dhe në Lezhë është një mjegullnajë, s’ka asnjë lloj transparence. Këtu flas edhe për të gjitha bashkitë e tjera të vendit, pasi të gjitha janë njëlloj: Bashkia e rilindjes, këshilli i rilindjes. Këtu nuk merret vesh kush e miraton, kush e konfirmon, kush e kthen në qoftë se nuk është zbatuar ligji dhe ne s’kemi transparencë mbi këtë fond që është përcaktuar në ligj për emergjencat. Me emergjencat duhet punuar jashtëzakonisht shumë. Përsa kohë e parashikon ligji, përsa kohë pushtetet lokale kanë buxhetin e tyre, menaxhojmë një sistem taksash dhe gjenerojnë taksa, atëherë përse edhe ky fond të mos jetë i planifikuar dhe të mos jetë i destinuar për tu realizuar në këtë drejtim.
Viktor Tushaj:
Janë edhe disa gjëra që duhet të merren parasysh, Problemi i parë është përgjegjshmëria dhe përgjegjësitë për një fatkeqësi që ndodh, duhet vënë emri kësaj fatkeqësie, kush e ka fajin. Sot në Qarkun e Lezhës janë 4300 hektarë nën ujë. Tani që të përmbyten çdo vit me mijëra hektarë dikujt i duhet vënë përgjegjësia e kësaj pune. Sepse nuk mund të ndodhë që një lagje vazhdon e përmbytet çdo vit. Adresoi investimet në atë lagje për të rritur kanalet, për tubacionet. Nëse përmbyten fushat, për çfarë duhet që të rriten kapacitetet e hidroforëve. Në qoftë se një hidrofor nuk punon me një kapacitet që nuk përballon dot të thithë gjithë ujin, po rrit kapacitetin, adreso financa në buxhetin e shtetit. Së dyti, njerëzit duhen dëmshpërblyer. Nëse nuk ua dëmshpërblen dëmin atyre, ata nuk e marrin më mundimin që ta mbjellin tokën dhe dëmtohet ekonomia në mënyrë të jashtëzakonshme. Këtu askush nuk e merr një përgjegjësi. Askush nuk ka një transparencë në ndarjen e fondeve për ti bërë ballë atyre dëmeve të shkaktuara. Dhe pastaj vritet shpresa, mbesin tokat të papunuara, sepse pastrohen kanalet aty ku janë rrugët kryesore. Përse? Sepse aty shkon televizioni, aty shkon Kryeministri dhe ministri. Ndërkohë që në thellësi, atje ku jeton dhe ku merret uji i parë dhe dërgohet më pas në kanale dhe magjistrale nuk funksionon asgjë. Nëse nuk arrin dot të përballosh fluksin e vaditjes së ujit, zgjero kanalin, sepse nuk mund të vazhdojë vit pas vitit që të përmbyten me mijëra hektarë, që të përmbyten qytete e fshatra.