Përjashtimi i Ditmir Bushatit/ Rama: Ylli është skuadra

226
Sigal

Partia Socialiste e Shqipërisë do të shkojë në garën zgjedhore të 25 prillit me sloganin “Shqipëria e ardhmja jonë”. Kryeministri i vendit, Edi Rama duke folur para mediave tha se objektivi minimal i PS-së është të ruajë numrin e mandateve të zgjedhjeve të 2017, kurse maksimali shtoi ai është të sigurojë 88 mandate.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kryeministri Rama konfirmoi faktin se kryebashkiaku Dritan Leli nuk e ka pranuar kërkesën e tij që të bëhet pjesë e listave për deputet në qarkun e Vlorës.

“Në formimin e një skuadre ka dinamika të brendshme dhe këtu nuk ka rëndësi se çfarë ka menduar njëri ose tjetri. Është e vërtetë që unë i kam propozuar të bëhet pjesë e skuadrës. Nuk e ka parë të arsyeshme është zgjedhja e tij, me të ose pa të, skuadra jonë do të realizojë objektivin bazë dhe do të shkojë pranë objektivit maksimal që është i mundur sipas meje”, tha Rama.

Ndërsa lidhur me mos-përfshirjen e ish-ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në listat për deputet në qarkun Shkodër, lideri i Partisë Socialiste dha këtë shpjegim:

“Në këtë betejë ylli është skuadra dhe unë flas vëtëm për skuadrën dhe nuk flas për individin. Skuadra e PS është shumë më tepër sesa skuadra e deputetëve, kështu që besoj, që të gjithë kanë shumë për të dhënë dhe ata që kanë marrë më shumë kanë për të dhënë më shumë, me siguri dhe jam i bindur se pjesa më e madhe kështu do bëjë, sepse besoj se ka një kohë për të marrë dhe një kohë për të dhënë”, shtoi ai.