Përgojimi i Ramës ndaj BE, Xhixho: Sot mori një përgjigje fshikulluese nga zyrtari i lartë

228
Sigal

Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho, ka shpërndarë reagimin e përgjegjësit për Politikën e Jashtme të Zgjerimit në Parlamentin Europian, Michael Gahler, ku ky i fundit i ka rikujtuar qeverisë ”Rama 2” kushtet që duhet të plotësojë vendi për Integrimin në BE. ”Duke i rikujtuar kryeministrit të Rilindjes kushtet që duhet të plotësojë për integrim në familjen evropiane, shkurt dhe troç, ai i numëron problemet kyçe, pasojat e të cilave i vuan sot çdo shqiptar. Zbatimi i marrëveshjes së 5 qershorit, ndëshkimi i zyrtarëve të përfshirë në vjedhjen e votave dhe në korrupsion, lufta ndaj pastrimit të parave dhe kushtetutshmëria e zgjedhjeve lokale të 2019-s janë njëherësh apeli i fortë i LSI”,-shkruan Xhixho.

Postimi i plotë nga Erisa Xhixho

Përgojimi i radhës dhe etiketimi aspak dinjitoz, me nota të qarta fyerjeje, që kryeministri Edi Rama adresoi ndaj Bashkimit Europian ka marrë sot një përgjigje fshikulluese nga titullari përgjegjës për Politikën e Jashtme të Zgjerimit në Parlamentin Europian, Michael Gahler. Duke i rikujtuar kryeministrit të Rilindjes kushtet që duhet të plotësojë për integrim në familjen evropiane, shkurt dhe troç, ai i numëron problemet kyçe, pasojat e të cilave i vuan sot çdo shqiptar. Zbatimi i marrëveshjes së 5 qershorit, ndëshkimi i zyrtarëve të përfshirë në vjedhjen e votave dhe në korrupsion, lufta ndaj pastrimit të parave dhe kushtetutshmëria e zgjedhjeve lokale të 2019-s janë njëherësh apeli i fortë i LSI.

Reagimi i Michael Gahler

Kur bëhet fjalë për kushtet që Shqipëria duhet të përmbushi përpara fillimit të negociatave të pranimit, miqtë e një Shqipërie europiane, nuk lipset të irritohen shumë dhe për kohë të gjatë nga ata që kanë për detyrë t’i përmbushin! D.m.th nga qeveria! Konkluzionet e Këshillit Europian janë të ditura, rekomandimet e Komisionit të Venecias janë të ditura, teksti dhe fryma e marrëveshjes së 5 qershorit është e ditur! Kjo e fundit është shkelur, ndërkohë që nuk ka progres në shumë kushte.

-Ligji për median nuk është përmirësuar;
-zyrtarë të përfshirë në manipulimin e votave i kanë shpëtuar ndjekjes penale;
-gjithashtu zyrtarë të lartë të qeverisë e ish magjistratë të gjyqësorit të përfshirë në korrupsion i kanë shpëtuar ndjekjes penale;
-pastrimi i parave mbetet një shqetësim i paadresuar, nisur edhe nga skandali i fundit;
-kushtetueshmëria e zgjedhjeve lokale të 2019 ende nuk është sqaruar;
-ngritja e institucioneve të reja të gjyqësorit është e ngadaltë;

Qeveria në Tiranë nuk duhet të provokojë miqtë e Shqipërisë europiane, qoftë duke mohuar këto kushte apo duke përgojuar BE për ndihmën e saj ose duke bërë marrëveshje me palë të treta në shkelje të ligjit europian.
Këto janë çështjet që kam ngritur në forume europiane e do te vazhdoj të ngre për hir të besueshmërisë së vendit dhe të ecurisë së shpejtë drejt anëtarësimit.