Përgjimet/ Reporterët pa Kufij: Rama ka një kuptim të çuditshëm mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut

524
Sigal

Organizatat më të mëdha në botë për mbrojtjen e lirisë së medias kanë reaguar pas deklaratës së kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se ka ndërmend të padisë gazetën gjermane, “BILD” dhe gazetarin e saj Peter Tiede, autori i publikimit të përgjimeve nga dosjet e famshme “184” dhe “339”.

Sipas drejtorit të “Reporterëve pa Kufij”, Christian Mihr, kryeministri Rama ka një kuptim të çuditshëm mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Sipas tij, detyra e medias është që të kontrollojë të pushtetshmit.

“Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka një kuptim të çuditshëm për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Detyra e medias është që të kontrollojë të pushtetshmit. Pikërisht këtë gjë ka bërë gazeta BILD, e cila e ka mbështetur në burime investigimin e saj. Këto janë themelet e medias së lirë, të cilat i kemi ankoruar si një bashkësi vlerash në Bashkimin Europian. Një vend, që dëshiron të bëhet pjesë e këtij komuniteti, duhet të respektojë këto vlera”, tha drejtori i “Reporterëve pa kufij”, Christian Mihr.

Vetëm kohët e fundit, qeveria ka propozuar ligje të reja për rregullimin e mediave, që lejojnë dënime drakoniane për mediat shqiptare dhe të huaja online. Shqipëria renditet në vendin e 82-të nga 180 vende në renditjen e lirisë së medias.