Përgjegjësia e grabitjes në Rinas është e Autoritetit të Aviacionit Civil, e Policisë së Shtetit, dhe e koncesionarit

686
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Flet Petrit Sulaj, ish-drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil

 

Petrit Sulaj, ish-drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil, me përvojë pune 20-vjeçare, në intervistën për gazetën “Telegraf” zbardh përgjegjësitë e Policisë së Shtetit, të koncesionarit të aeroportit të Rinasit si edhe të Autoritetit të Aviacionit Civil për rastet e përsëritura të grabitjes brenda territorit të aeroportit tonë kombëtar.

-Zoti Sula, keni qenë 27 vjet në punë si drejtues në Aviacionin Civil, drejtues i sigurisë në aeroport, drejtor i ANTA-s dhe, së fundi, kryetar i bordit të Autoritetit të Aviacionit. Sipas jush, kush janë përgjegjës të grabitjes në Rinas?

– Siguria Kombëtare e Shqipërisë u cenua me vjedhjen në aeroportin e Rinasit. Përgjegjës të vjedhjes së turpshme jo vetëm brenda në territorin e aeroportit të Rinasit, por edhe brenda në bagazhet e avionit janë të 3 aktorët që veprojnë dhe mbikëqyrin sigurinë në aeroportin e Rinasit. Policia e Shtetit, koncesionari që administron aeroportin dhe Autoriteti Aviacionit Civil si organi përgjegjës për mbikqyrjen e masave të sigurisë në aviacionin Civil. Përgjegjësia është e njëllojtë për të tre këta aktorë. rast i përsëritur, prandaj duhet të ishin marrë ato masa që të mos përsëriteshin më. Tani asnjë nga operatorët nuk do që të mbajë përgjegjësi, por bëjnë njëri tjetrin fajtor. Nëse duan të përcaktojnë se cilët janë fajtorët, le të thërrasin ECAC Organizata Evropiane e Sigurisë të Aviacionit Civil me qendër në Paris që ajo të ndajë përgjegjësitë.

– Cila është përgjegjësia e Policisë së Shtetit?

– Po përse është policia e Shtetit në Aeroport? A nuk është që të garantojë sigurinë? Përse vë viza Policia e Shtetit në aeroport? Policia e Shtetit ka logjistikën e duhur që të garantojë sigurinë në aeroport, për çdo rrethanë dhe ngjarje të mundshme që mund të ndodhë dhe është përgjegjësia e saj që të monitorojë çdo lëvizje dhe të paraprijë çdo ngjarje që mund të kërcënojë sigurinë në aeroport. Imagjinoni. Nëse grabitësit do të merrnin peng avionin me gjithë pasagjerë! A nuk është përgjegjësia e Policisë së Shtetit, që lejoi grabitësit të futeshin brenda avionit? Po sikur grabitësit të ishin terroristë dhe të hidhnin në erë avionin? E imagjinoni kërcënimin e Sigurisë Kombëtare? Makina e grabitësve erdhi nga ferrat dhe mbërriti deri tek avioni. Çfarë bëri Policia e Shtetit? A ka një plan bashkëpunimi që t’i përgjigjet çdo situate që mund të ndodhë? Si ka mundësi që Policia e Shtetit nuk reagoi brenda 2 minutave, që të bllokonte aeroportin? Si ka mundësi që Policia e Shtetit nuk bllokoi aeroportin, por grabitësit u larguan të qetë nga aeroporti? Pastaj në 2016 ministri i Brendshëm Xhafaj ka lëshuar një urdhër që makinat që mbartin vlera monetare në aeroport të shoqërohen nga Policia e Shtetit. Përse në rastin e grabitjes nuk u shoqërua me policë? Si ka mundësi që grabitësit u zhdukën për pak minuta? UFO u bënë për Policinë e Shtetit?

– Cila është përgjegjësia e Autoritetit të Aviacionit Civil?

– Ligjin në çdo aeroport të çdo vendi e bën Konventa e Çikagos, e cila është e detyrueshme për çdo shtet. Autoriteti i Aviacionit Civil përse nuk ka kontrolluar më parë parametrat e Sigurisë në Aeroportin e Rinasit siç kërkohet në Planin Kombëtar të Sigurisë? Përse nuk e ka gjobitur ashtu siç ja njeh të drejtën kodi ajror i Republikës të Shqipërisë për mospërmbushje të vazhdueshme të këtyre masave? Nëse ka kontrolluar, përse nuk e ka mbyllur aeroportin e Rinasit? Ku është Komiteti i Sigurisë Kombëtare të Aviacionit? Kush dhe si e monitoron kontratën koncesionare me TIA? Përse u zgjat afati koncesionit kur nuk plotësoheshin këto kritere? Çfarë është bërë, në rastet kur grabitjet në aeroportin e Rinasit janë të përsëritshme? Këto të gjitha pyetje, që kërkojnë tashmë përgjigje nga Prokuroria, ngarkojnë me përgjegjësi të madhe Autoritetin e Aviacionit Civil, por edhe vetë ministren e Infrastrukturës zonjën Balluku, Belinda ish drejtoreshe e ALBKONTROLLIT dhe anëtare e KOMITETIT të AVIACIONIT CIVIL KOMBETAR

Përse ka neglizhuar Autoriteti i Aviacionit Civil në marrjen e masave për parametrat e Sigurisë në Aeroportin e Rinasit?

– E dini që drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil Krislen Keri, sa u emërua ka zbuar nga puna të gjithë specialistët, që kishin 20 e më shumë vite pune, i zboi, sepse nuk i donte dhe i zëvendësoi me njerëz që nuk dinë, që nuk kanë aftësi, që nuk kanë trajnime të duhura, që nuk mund të bëjnë dot detyrën. Kjo është përgjegjësia kryesore që duhet të kërkohet. Një punonjës që duhet të punojë në aeroport, qoftë edhe sikur të punësohet nga operatorë të tjerë që janë në aeroport, duhet të certifikohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil. Mirëpo, drejtori i AAC-së, Krislen Keri zboi të gjithë specialistët, sepse nuk i duronte dot, dhe punësoi njerëz që nuk dinë të bëjnë detyrën. Prandaj edhe askush aty që punon, nuk di se çfarë të bëjë, nuk di si të veprojnë, nuk di se cilat janë masat e sigurisë, nuk di përgjegjësitë, nuk di si të veprojë, nuk mund të parandalojë ngjarjet që cenojnë sigurinë kombëtare në aeroport. A e dini se Drejtori Sigurisë në Autoritet është emëruar në atë detyrë me 0 vite eksperiencë në sigurinë e aviacionit Civil. Mjaftojnë këto fakte për të kuptuar se ngjarja e djeshme është vetëm pasojë.

– Cilat mund të jenë pasojat për Shqipërinë?

– Tashmë është vënë në pikëpyetje të madhe Siguria e aeroportit kryesor të Shqipërisë. Cilat kompani serioze të Aviacionit Civil, do të duan të vijnë në aeroportin e Rinasit, kur kanë ndodhur akte të tilla, që janë akte terrorizmi dhe jo thjesht vjedhje ordinere. Kuptojeni, vjedhësit ishin të armatosur, mund të merrnin edhe avionin me udhëtarë peng, derisa mundën të futeshin brenda në bord dhe kërcënuan edhe udhëtarët, mund ta hedhin avionin në erë, etj, siç veprojnë terroristët. Kaq mjafton, që kompanitë ajrore ndërkombëtare, të mos duan më të vijnë në Rinas.

– Po urdhrin e Ministres së Mbrojtjes Xhaçka, që tashmë Ushtria do të mbrojë aeroportin, e bën më të sigurt Sigurinë e tij?

– Kjo është marrëzia tjetër politike. Po çfarë pune ka ushtria në një aeroport civil? Ka ndodhur gjë grusht shteti në Shqipëri? Ushtria e pushton aeroportin civil vetëm në situata lufte, grushte shteti, luftë civile. Ministrja duke na thënë se Ushtria tashmë do të mbrojë aeroportin, pranon që shteti nuk ka fuqi që të garantojë sigurinë në aeroportin civil të Rinasit, që Policia e Shtetit nuk është e aftë që të kryejë misionin e saj për garantimin e sigurisë publike. Me deklaratat e ministrave, kryeministrit, të cilët përgjegjësitë e tyre për cenimin e Sigurisë Kombëtare në aeroportin e Rinasin ia hedhin vetëm koncesionarit, pa pranuar përgjegjësitë e Policisë së Shtetit, të Autoritetit të Aviacionit Civil tregon që vetëm shoë po shohim nga kjo qeveri, së cilës nuk po i mbarojnë gjynahet.