Përçahet e majta për Fullanin, Braçe kundër Ermelinda Meksit

422
Sigal

Kreu i Komisionit të Ekonomisë: Fullani, përgjegjësi kryesor për grabitjen, të shkarkohet!

TIRANË- Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, nëpërmjet një apeli publik, i ka kërkuar dje Kuvendit dhe Qeverisë që të rishikojë ligjin për Bankën e Shqipërisë me qëllim që të largojë prej saj, Guvernatorin, Këshillin dhe Inspektorin e Përgjithshëm, pasi Këshilli nuk ka ndërmend ta bëjë detyrën e vet, sipas tij. Po ashtu, Braçe, në një mesazh në FB, propozon thirrjen urgjent të një auditi ndërkombëtar për Bankën, “prej vitesh të abuzuar dhe të keqpërdorur.” “Dua të ndaj me ju, – iu drejtohet ai mbështetësve në FB, – detyrën për të bindur autoritetet më të larta të Kuvendit e Qeverisë për nevojën ulëritëse të një auditi ndërkombëtar në Bankën e Shqipërisë, prej vitesh e abuzuar dhe keqpërdorur dhe natyrisht, kryerjen sa më parë të këtij auditi.”Braçe ka shprehur gjithashtu, mbështetjen e tij për kërkesën e bërë nga deputeti i LSI-së, Spartak Braho, që tre nga anëtarët e Këshillit të japin të parët dorëheqjen për ta zhbërë këtë Këshill dhe ka kundërshtuar gjykimin e ish-deputetes socialiste, Ermelinda Meksi, se kjo do shkaktonte një ngërç institucional, bërë një ditë më parë.“A e lexuat se ç’ thonë: Do bjerë në ngërç Banka!!! – shkruan Braçe, duke iu referuar Meksit. – Asfare! Banka është kapur nga e keqja dhe largimi i Guvernatorit, Këshillit, Inspektorit vetëm e çlirojnë Bankën. Këta nuk e çlirojnë dot! Duhet ta bëjmë ne. Me ligj!”Braçe ka ngulmuar në kërkesën dhe domosdoshmërinë e dorëheqjes, pa asnjë përjashtim, të të gjithë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë me argumentin se ata nuk e kanë bërë dhe as nuk pritet ta bëjnë detyrën e tyre, pasi ata rrinë thjesht për shkak të mandatit së bashku me Guvernatorin dhe Inspektorin e Përgjithshëm. “Tre javë nga vjedhja në Bankën e Shqipërisë po ndodh që Guvernatori absolut rri në krye të Bankës, edhe pse ka humbur gjithçka: Moralin, besimin, autoritetin, fuqinë.

Rri thjesht për shkak të mandatit. Këshilli Mbikëqyrës, me fuqi të qarta ligjore, rri nën Guvernatorin për ta mbrojtur atë edhe pse secili prej tyre ka humbur, moralin, besimin, autoritetin, fuqinë. Rrinë thjesht për shkak të mandatit. Ligji për Bankën e Shqipërisë ngarkon Guvernatorin dhe Këshillin me përgjegjësi të plota. Ligji për Bankën e Shqipërisë ka zhveshur Këshillin nga çdo kufizim në shkarkimin e anëtarëve të Këshillit dhe Guvernatorit. Ligji e thotë qartë se Këshilli mund të shkarkojë, në kushtet kur Guvernatori dhe anëtari i Këshillit cenojnë rëndë interesat e Bankës. Përse Këshilli nuk e shkarkon Guvernatorin? Është provuar qartësisht se Guvernatori, njëherësh anëtar e kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, ka cenuar rëndë interesat e Bankës… Një marrëdhënie e turpshme që lindi nga politika nën varësinë e së cilës Banka është, vijoi e u zhvillua me konfliktin e rëndë të interesave mes Këshillit dhe Guvernatorit, një degradim i plotë ku të gjithë mbrohen dhe mbrojnë Guvernatorin.

Mjafton kaq që këta njerëz të mos marrin e të mos lejohen më kurrë të ushtrojnë funksione publike, duhet të largohen.

 Unë nuk shpresoj fare se ata do të shkarkojnë Guvernatorin apo të dorëhiqen…”, -u shpreh Braçe.