PE fshikullon qeverinë për amnistinë fiskale, pasaporta të arta, lirinë e medias dhe koncesionet

130
Sigal

Në raportin e hartuar nga raportuesja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos, theksohet se 2 nismat e qeverisë për amnistinë fiskale dhe pasaportat “e arta” janë të papajtueshme me normat e BE dhe politikën e saj të vizave. Po ashtu, raporti ngre shqetësimin për mungesën e transparencës në prokurimet publike, konfrontimet politike, financimin e partive, lirinë e shtypit dhe numrin e lartë të azilkërkuesve

Amnistia fiskale dhe “pasaportat e arta” mbeten shqetësimet kryesore të PE, të cilat rrezikojnë të pengojnë integrimin e Shqipërisë në BE. Shqetësimi për 2 nismat e qeverisë, u reflektua në draft-raportin e publikuar së fundmi në PE për ecurinë e Shqipërisë përgjatë vitit 2022, hartuar nga europarlamentarja Isabel Santos.

Në raport theksohet se këto nisma janë kundër politikave të unionit për vizat dhe në shkelje të normave të BE. Po ashtu, PE u kërkon autoriteteve shqiptare të forcojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Shpreh shqetësimin e tij për aspektet e projektligjit për amnistinë fiskale dhe propozimin e shtetësisë sipas skemës së investimeve që janë të papajtueshme me normat e BE-së dhe politikën e saj të vizave; vë në dukje progresin e vazhdueshëm dhe pret përmirësime sistematike në parandalimin, hetimin proaktiv dhe ndjekjen penale të dënimeve përfundimtare jo selektive për rastet që përfshijnë korrupsionin dhe krimin e organizuar; bën thirrje për progres të mëtejshëm në krijimin e një administrate publike gjithëpërfshirëse, efikase, të koordinuar mirë dhe të përgjegjshme”

Shqetësuese për PE, është edhe mungesa e transparencës sa i takon prokurimeve publike, PPP-të e qeverisë dhe procedurat e koncensionit, ndaj i kërkon qeverisë shqiptarë të përmbushë detyrimet për konkurrencë të ndershme, për të shmangur abuzimet dhe evazionin fiskal.

“Thekson detyrimin e autoriteteve për të garantuar transparencë dhe konkurrencë në prokurimet publike, kontratat qeveritare, privatizimin, ndihmën shtetërore dhe procedurat e koncesionit; thekson nevojën për të forcuar masat mbrojtëse, transparencën dhe kushtëzimin në kuadër të një procesi të shqyrtimit strategjik të investimeve të huaja dhe për të ndjekur penalisht incidentet e mashtrimit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave, duke luftuar njëkohësisht evazionin fiskal dhe anashkalimin e sanksioneve”.

Draft-raporti i hartuar nga raportuesja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos, paraqet me kritika edhe zhvillimet e fundit politie në vend, ku dënon përçarjet dhe konfrontimet si dhe bën thirrje për bashkëpunim e dialog për integrimin e vendit. Po ashtu kërkohët edhe transparencë, lidhur me financimin e partive politke.

“Dënon konfrontimin politik dhe veprimet përçarëse dhe nënvizon një përgjegjësi të përbashkët politike dhe sociale për reformat; fton aktorët politikë të rrisin angazhimin e tyre për dialog dhe të forcojnë institucionet dhe procedurat demokratike përmes angazhimit konstruktiv, konsultimeve gjithëpërfshirëse dhe vendimmarrjes transparente; rikujton nevojën për të forcuar mbikëqyrjen parlamentare; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të adresojnë rekomandimet e jashtëzakonshme për financimin e zgjedhjeve dhe partive, shumë përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.”

Liria e shtypit vijon të mbetet një nga shqetësimet e hershme të Parlamentit Evropian. Edhe në këtë draft-raport theksohet se vendi ynë nuk ka bërë asnjë progres në lirinë e medias. PE i kërkon qeverisë të tërhiqet nga projektligji anti-shpifje.

“Shpreh shqetësimin e tij për mungesën e progresit në arritjen e transparencës institucionale, lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias dhe thekson rolin e liderëve politikë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për arritjen e këtyre lirive; dënon përpjekjet për të diskredituar gazetarët dhe fshehjen arbitrare të informacionit publik, si dhe dështimin për të garantuar sigurinë e gazetarëve; u kërkon autoriteteve të ndërmarrin veprime të menjëhershme kundër ndërhyrjeve politike dhe ekonomike në media dhe frikësimit ndaj gazetarëve; mirëpret tërheqjen e projektligjit kundër shpifjes; i kërkon qeverisë të sigurojë pavarësinë e transmetuesit publik dhe rregullatorit të medias dhe transparencën e pronësisë, financimit dhe reklamimit publik të medias.”

Me shqetësim në raport shihen edhe kërkesat e larta për azil të shqiptarëve në vendet e BE. Draft-raporti thekson dhe bën thirrje për veprime të vazhdueshme për të reduktuar kërkesat e pabazuara për azil nga duke trajtuar rrjetet kriminale të trafikimit dhe duke rritur bashkëpunimin me agjencitë e drejtësisë të BE-së. Kjo rezolutë do t’i përcillet Presidentit të Këshillit Evropian, Këshillit, Komisionit, Përfaqësuesit të Lartë të Unionit, qeverive dhe parlamenteve të vendeve anëtare, si dhe Presidentit, Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.