PDIU –Bashës: Bëhu një herë lider i PD pastaj i opozitës

343
Duket se beteja mes forcave opozitare do të jetë e fortë. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak pro rritjes së çmimit të ujit të pijshëm votuan edhe tre këshilltarë të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet. Përmendja e këtij fakti nga kreu i demokratëve Lulzim Basha, ka bërë që të reagoj edhe kjo parti. Përmes një statusi në facebook, Mesila Doda, përfaqësuese e kësaj partie, pas largimit nga radhët e PD-së, i është përgjigjur ashpër Lulzim Bashës. Mesila Doda e quan Bashën bashkëkryetar në qeverisje dhe i kujton me ironi të bëhet njëherë lider i PD e pastaj të kërkojë të bëhet lider i opozitës. Gjithashtu Doda thotë se nga marrëveshja e 18 majit mes Ramës dhe Bashës, PDIU i janë vjedhur në zgjedhje 3 mandate. “Kryetari i PD, ende në bashkëqeverisjen e lugës së 18 qershorit, sot akuzoi PDIU për votën e saj në Këshillin Bashkiak. Më së pari duhet ti kujtoj bashkëkryetarit të qeverisë që duhet të kalojë në opozitë, të behet lider i PD, e më pas të kërkojë të behet lider i opozitës. Më duhet ti kujtojë se sot falë pazareve të tij me bashkëkryetarin tjetër të qeverisë, një mandat i PDIU vlen 25.000 vota, duke e bërë krejt të pabarabartë dhe diskriminuese garën mes nesh dhe partive të tjera. Duhet ti kujtoj që falë pazarit të tij të natës së 18 qershorit dhe abuzimit me ligjin e kodin zgjedhor sot PDIU i janë vjedhur 3 mandate dhe kanë shkuar në kosh 40.000 vota, duhet ti kujtoj se nuk e tha një fjalë e heshti si fija e barit kur PDIU kërkoi hapjen e kutive të Tiranes duke parë vjedhjen flagrante të mandatit të saj në Tiranë, por votoi pro mos hapjes se kutive duke u bërë e vetmja opozitë në botë që nuk kërkon e nuk do transparencë. Sot vazhdon ende teatri i radhës, ashtu si gjatë gjithë fushatës nuk godet ata që janë në qeveri, por ato që nuk janë në qeveri dhe në fund fare si gjithmonë… fajin e kanë të tjerët…”, shkruan Doda.
Sigal