PD: Zbatoni porosinë e OBSH, numri i testeve për koronavirusin ka rënë drastikisht

403
Sigal

Mjekja Mirela Tabaku ka kërkuar sot në emër të Partisë Demokratike, sqarime nga qeveria sepse nuk zbatohet porosia e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të testuar sa më shumë të dyshuar si të prekur nga COVID-19.

Në një deklaratë për mediat, Tabaku tha se numri i testeve ka rënie drastike dhe se Qeveria duhet të shpjegojë pse, të rrisë fondet për testimin dhe të testojë masivisht.

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, DR MIRELA TABAKU

Partia Demokratike po ndjek me shqetësim zhvillimin e pandemisë së COVID 19 në Shqipëri. Ajo që kemi vënë re është ulja e numrit të personave që testohen krahasuar me fillimin e javës së kaluar.

Mënyra sesi po vepron Shqipëria shkon në kundërshtim me porositë e dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila këshillon qeveritë për protokollet që duhet të ndjekin për të minimizuar përhapjen e sëmundjes. Vetëm një ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i OBSH dha një mesazh shumë të rëndësishëm:

TESTONI! TESTONI! TESTONI!

Po e citoj të plotë mesazhin e tij për të gjithë qeveritë e botës! “Mënyra më efektive për të parandaluar infeksionet dhe për të shpëtuar jetën është thyerja e zinxhirëve të transmetimit. Për ta bërë atë, ju duhet të testoni dhe izoloni. Ne nuk mund ta ndalojmë këtë pandemi, nëse nuk e dimë se kush është i infektuar. Kemi një mesazh të thjeshtë për të gjitha vendet:

TESTONI, TESTONI, TESTONI.”

Cili është realiteti në Shqipëri? Dy ditë më parë Partia Demokratike, bazuar në numrin e testeve të bëra, e ngriti këtë problematikë me shumë forcë, pasi të dhënat zyrtare të testimeve tregojnë se numri i tyre është ulur në mënyrë drastike dhe të pashpjegueshme. Në 10 mars, një ditë pas konfirmimit të rastit të parë, janë kryer 114 teste. Më 11 mars – 127 teste.

Me këtë ritëm është vazhduar deri të premten, kur në 15 mars janë bërë 27 teste, dje vetëm 31 dhe sot u raportua për 42 teste në 24 orët e fundit. Ajo që po ndodh në Shqipëri është se numri i personave që paraqesin ankesa dhe simptoma rritet, ndërsa numri i të testuarve pakësohet. Pyetja e të gjithëve është: çfarë po ndodh? Mungojnë tamponët, mungojnë kitet për t’i analizuar më pas mostrat që merren?

Shqiptarët kanë të drejtë ta dinë pse veprojmë kundër këshillave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Bazuar nga praktikat më të mira të vendeve të përfshirë nga kjo epidemi, bazuar në atë çfarë OBSH këshillon, duhet që të gjitha marrat e marra, të kombinohen me testime të shtuara.

Duhen shtuar fondet për tampone, fondet për kite të bërjes së testeve! Duhet nxituar, pasi jemi vonë! Mosveprimi do të ishte një gabim me pasoja të rënda! Duhet bërë gjithçka, duhet mobilizuar çdo fond dhe, sëbashku, të bëjmë çdo gjë për të qenë një hap para krizës, për të qenë sa më efikasë. Nuk ka fjalë më të vlefshme për këtë kohë sesa fjalët e Drejtorit të OBSH-së: Testoni, testoni, testoni!

Deklarata e PD vjen pas përditësimit të përditshëm të të dhënave nga ISHP. Silva Bino sqaroi se janë kryer 42 teste në 24 orët e fundit, dhe janë zbuluar 4 raste të reja.
Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 55 të prekur dhe një viktimë. 9 prej të infektuarve janë mjekë dhe infermierë, një nga Spitali i Durrësit dhe të tjerët nga spitali “Shefqet Ndroqi”.

Vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier. Jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, është ndaluar lëvizja me makinë apo me këmbë, si dhe shumë vende punë janë mbyllur. Në shërbim të shtetit do të jenë edhe spitalet private gjatë periudhës së emergjencës dhe kush nuk bindet do ketë gjobë deri në 5 milionë Lekë.

E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët.