PD, Vokshi: Spitali ushtarak në krizë, Rama të kthejë milionat që ka ndarë me miqtë

248

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Albana Vokshi, bashkë me deputetë të PD-së, dhe drejtues të Departamentit të Shëndetësisë së Partisë Demokratike, Arbiola Halimi, Roland Keta dhe Gazmend Koduzi, vëzhguan nga afër situatën e rënduar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Mungesa e ilaçit bazë, antibiotikut, madje edhe barnave të tjera të urgjencës, ishin denoncimet e bëra nga deputetja Vokshi.
Në bazë të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore çdo qytetar shqiptar gëzon të drejtën e kurimit në spitalet publike falas por ata detyrohen të paguajnë vetë për ilaçet bazë të cilat nuk sigurohen nga spitali. Madje pacientët paguajnë vetë protezat të cilat kushtojnë nga 1 mijë e 500 deri në 3 mijë e 500 euro.
Miliona euro në muaj ndahen për koncesione dhe check-up, të cilat mund të furnizonin me barna bazë spitalet, ose të shërbenin për ndërtimin e spitaleve dhe qëndrave të reja shëndetësore, tha Vokshi.
Nisur nga rëndësia e shërbimit të këtij spitali, deputetet e Partisë Demokratike kërkuan që Spitali i Traumës të marrë status të veçantë.

Më poshtë deklarata e deputetes së PD-së, Albana Vokshi:

“Pas shqetësimeve të panumërta që na kanë ardhur ne, deputetëve të Partisë Demokratike, departamentit të Shëndetësisë së PD, nga qytetarë dhe pacientë, dhe nga denoncimet e shumta që janë bërë në media, jo vetëm dje, por në pjesën më të madhe të këtij viti dhe vitit që shkoi, ne vendosëm të vinim ta shihnim në terren gjendjen, vizituam disa pavione të spitalit të traumës. Vihen re mungesa të shumta. Takuam familjarë dhe pacientë, në njërin prej pavioneve ku ka mungesa të shumta, tek ortopedia. Mungojnë protezat, mungojnë vidat, mungojnë pllakat dhe vetëm njëra prej protezave shkon nga 1 mijë e 500 deri në 3 mijë e 500 euro. Familjarët detyrohen që ti blejnë të gjitha vetë. Ne takuam edhe familjarë të pacientëve të cilët jo më larg se dje, pavarësisht deklaratave të Ministrit të Shëndetësisë, i kanë blerë vetë antibiotikët dhe barnat dhe medikamente të tjera. Jemi këtu ne të gjithë deputetët e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale të Partisë Demokratike dhe Departamentit të Shëndetësisë së PD, për ti bërë thirrje ministrit, për t’i bërë thirrje kryeministrit që të furnizojë në mënyrë urgjente Spitalin e Traumës që të ketë furnizim të vazhdueshëm e jo sa herë që del ai në televizor për të bërë propagandë. Duke pasur parasysh se janë 340 milionë euro që kanë shkuar në tre koncesione të panevojshme, do të ishte shumë mirë që të gjitha këto euro të shkonin për furnizim spitalesh, të shkonin për ndërtime të reja të spitaleve, apo për qendra shëndetësore të reja. Po të llogarisim se 340 milionë euro, që janë dhënë nga Rama për koncensione të kota, apo miliona euro që shkojnë në vit për check-up të panevojshëm, ne do ti kërkojmë ministrit dhe kryeministrit që këto para ti orientojë për furnizim të spitaleve që njerëzit të mos dergjen me ditë e javë për të marrë shërbimin që u takon me ligjin e sigurimeve shëndetësore. Gjithashtu, unë do ti bëja një kërkesë kolegëve të mi deputetë të PS-së, që të mos vënë statuse melodramatike, hipokrite në Facebook ku solidarizohen me ndërhyrje në spitale private, por gjëja e –parë që duhet të bëjnë është që ti kërkojnë llogari ministrit Beqaj, ti kërkojnë llogari kryeministrit, pse është kjo gjendje e rrënuar e spitaleve. Spitalet janë si në një gjendje lufte. Ndaj në vend që të bëjnë hipokritin, në vend që t’u japin lëmoshë dhe mëshirë, ata jo vetëm thjesht duhet të zbatojnë ligjin e sigurimeve shëndetësore dhe ti japin qytetarit shqiptar atë çka ata meritojnë”, tha Vokshi.