PD: Tenderët e oligarkëve, Rama i jep Sadriut 200 milionë lekë më shumë se kostoja e punës

459
Partia Demokratike denoncon favoret, sipas saj, “të Ramës për oligarkun e tij Sadri”.
“Paniku prej votës së 11 shtatorit e ka bërë Edi Ramën të hapë qesen e të dorovisë paratë e shqiptarëve sipas interesit klientelist. Oligarku i Ramës ka marrë një tender pak ditë më pare, 870 milionë lekë për rikonstruksionin e bulevardit “Elez Isufi” në Dibër, ku ishte paracaktuar si fitues ai dhe nipi i tij me firmën ALKI Impex. Të gjashtë operatorët e tjerë në garë u skualifikuan, ndonëse dy prej tyre kishin bërë ofertë me 200 milionë lekë më pak se firma e Sadriut. Ankesat e tyre ligjore tek KPP e Edi Ramës u hodhën poshtë me urdhër, sepse dihet që njeriu që vendos për çdo tender në vend është vetë Edi Rama, i cili i ka kërkuar Sadriut të hidhet në sulm e të blejë sa më shumë vota në zgjedhjet në Dibër, ndaj dhe nuk ndalen tenderat për këtë oligark të rilindjes”, u shpreh zëdhënësja Ina Zhupa.
“200 milionë lek më shumë sesa kushton puna i jep Rama Sadriut, me të cilat mund të paguheshin në Dibër 1333 pensione në qytet, 2424 pensione në fshat, 2900 familje mund të merrnin pagesë mujore për papunësinë dhe 909 persona mund të përfitonin të punësuar me pagë minimale. Por Edi Rama ia jep këto dhe qindra milionë lekë të tjerë të taksave të shqiptarëve, Sadriut, në shkelje të ligjit, që Sadriu t’i përdorë më pas për të blerë votat në Dibër për kandidatin e qeverisë. Sepse Ramës nuk i interesojnë qytetarët, por blerja e votës, kapja e pushtetit me çdo kusht. Me këto akte korrupsioni dhe me këto krime ndaj votës së lirë, Edi Rama në fakt po blen vetëm fundin e tij të shpejtë”, shtoi Zhupa.
Sigal