PD: Parada e qeverisë, ja 10 dështimet e mëdha të financave

470
Sigal

 Deklaratë e deputetit, Florion Mima mbi 300 ditët e financave shqiptare

Sot shqiptarët dëgjuan paradën e sukseseve imagjinare të qeverisë në fushën e financave publike. Partia Demokratike e ndjen për detyrim moral dhe ligjor të shtrojë pyetjet e mëposhtme, përgjigjet e të cilave do të ndihmojnë shqiptarët të kuptojnë të vërtetën absolute të gjoja-sukseseve të këtyre 300 ditëve:

 Ndonëse norma e tatim fitimit u rrit me 50%, përse të hyrat nga tatim-fitimi janë 20% me të ulëta sesa pritshmëria e qeverisë për 6-mujorin e parë të vitit korrent?

 Ndonëse u rritën akcizat për mallra të ndryshëm të luksit, përse gjatë 6-mujorit të parë janë arkëtuar 16% më pak sesa plani dhe asnjë qindarkë më shumë sesa viti i kaluar?

 Përse qeveria vazhdon të rimbursojë TVSH-në ndaj bizneseve më pak se gjysma e nivelit të rimbursimeve që kryheshin vitin e kaluar, ku rimbursohej mesatarishit mbi 800 milionë lekë në muaj? Vetëm në muajin qershor është rimbursuar 4 herë më pak sesa mesatarja mujore e qeverisjes se demokratëve.

 Ndërkohë që qeveria trumbeton rritje të punësimit, përse vazhdojnë të bien të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale?

  Përse qeveria po arkëton gjithmonë e më pak taksa për biznesin e vogël, duke dëmtuar kështu buxhetet e çdo Bashkie dhe Komune? Vetëm në 6-muajt e parë të 2014-ës, qeveria ka arkëtuar 37% më pak të ardhura nga ky zë.

 Përse qeveria ka paguar 19 herë më pak dëmshpërblim për të përndjekurit politikë? Janë paguar vetëm 1.3 milionë dollarë, ndërkohë që vitin e kaluar janë paguar 25 milionë dollarë.

  Përse qeveria nuk ka paguar asnjë qindarkë nga fondi prej 11 milionë dollarë për kompensimin e shtresave në nevojë?

 Përse qeveria ka paguar 230 milionë dollarë më pak fatura të projekteve të investimeve publike?

  Përse qeveria ka zhdoganuar 1.169 tonë cigare më pak? Përse qeveria ka zhdoganuar 370 tonë kafe më pak? Përse qeveria ka zhdoganuar 1.100 ton birrë më pak?

 Përse kryellogaritari i vendit nuk tha asnjë fjalë për krimin e vjedhjes së të dhënave tatimore dhe përse qeveria e tij refuzon të bëjë transparencën përpara shqiptarëve?