PD-ja reagon: PS-ja i vuri minat Reformës Zgjedhore

431
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Opozita rikthehet në parlament, për të mos djegur mandatet, mazhoranca nuk do ta votojë vettingun në politikë

Nesër dhe pasnesër Parlamenti do të zhvillojë 2 seanca plenare, për të arritur, nëse është e mundur, të votojë disa nga dekretet, projektligjet, të cilat flenë në sirtarë, ose u shkon afati, duke qenë se është edhe fundi i vitit 2018. Mazhoranca ngutet të miratojë buxhetin 2018, i cili nuk u dekretua nga Presidenti i Shqipërisë, do rrëzojë propozimin e Presidentit për kandidaturën e Vitore Tushës për kryetare të KLSH-së, kërkon të miratojë reformën e re zgjedhore, ndërkohë që të premten, në seancën e dytë plenare, do të diskutohet projektligji që ka paraqitur opozita për vettingun në politikë, ku sipas deklaratave të bëra dje, mazhoranca nuk do ta votojë këtë.

Opozita: Rikthkim në parlament për të mbështetur… studentët

Dje, kryetari i PD-së Basha thirri në selinë e PD-së kryetarët e partive aleate, për të diskutuar bashkërisht, nëse opozita e bashkuar duhet të shkojë nesër dhe pasnesër në parlament, për t’i dhënë fund, bojkotit të pashpallur, derisa opozita mungon nga parlamenti që nga korriku i 2018-s. Brenda opozitës kishte zëra që mandatet duhet të digjen, mirëpo ish-kryeministri Berisha ka kërkuar që deputetët e PD-së të mbështesin me të gjitha format protestën e studentëve duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen me ata të rinj, por ka kërkuar që PD-ja të rikthehet në parlament, për të mbështetur studentët, në diskutimin e dekretit të Presidentit Meta për buxhetin 2019, duke kërkuar ndryshimin e tij, në mënyrë që të reflektohen kërkesat ekonomike të studentëve. . Më radikal në qëndrimin e tij ishte sekretari i Grupit Parlamentar të PD-së, Ervin Salianji, i cili kërkoi që deputetët demokratë të djegin mandatet dhe të bashkohen me studentët në protestë. Sipas Salianjit, paqartësia është armiku më i madh i opozitës në këtë moment. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u shpreh se opozita nuk ka dalë ndonjëherë nga Kuvendi. Ajo u shpreh gjithashtu se, “do të jemi në parlament për studentët. Do të marrim pjesë për bukën dhe kafshatën e fundit të studentëve shqiptarë”. Kujtojmë se për disa nga deputetet mandati i tyre mund të skadonte me 18 janar, ndërkohë që seanca e të enjtes është e fundit për këtë vit.

Bylykbashi: Amendamentet e dorëzuara nga PS-ja janë të pa vlera, pasi nuk janë miratuar nga Komisioni i Reformës

PS-ja ka zvarritur punimet e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, ndërkohë, që tani ngutet që ta miratojë. Qëllimi i zvarritjes ka qenë, që PS-ja të mos pranojë propozimet e Opozitës, kur, ndërkohë, ka përgatitur amendamentet e saj, të cilat nuk i ka diskutuar fare, nuk ka marrë as konsensusin e opozitës. PS-ja do ta bëjë fakt të kryer reformën zgjedhore me amendamentet e saj, duke përfituar se tashmë nuk ka më afat kushtetues, për arsye se reforma e re zgjedhore duhet të miratohet 6 muaj para datës së zgjedhjeve lokale që është më 30 qershor 2018. Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar ad-hoc për Reformën Zgjedhore Oerd Bylykbashi pohoi dje se amendamentet e dorëzuara nga PS-ja janë të pa vlera pasi nuk janë miratuar nga Komisioni i Reformës. Oerd Bylykbashi: Me amendamentet e njëanshme, PS në mënyrë të përsëritur po minon reformën zgjedhore e paraqitjen e draftit të njëanshëm të amendamenteve të Kodit Zgjedhor. Ky akt tregon qartë se i vetmi qëllim i PS është të sabotojë reformën zgjedhore. Parlamenti mund të votojë vetëm amendamente që miratohen nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Veprimi i PS ka si qëllim vetëm prishjen e urave të konsensusit për rregulla loje që pamundësojnë ripërsëritjen e shkeljeve dhe manipulimeve të zgjedhjeve që konstatoi raporti i OSBE/ODIHR në 2017. Reforma zgjedhore ka konstatuar se problemet kryesore të zgjedhjeve janë pasojë dhe përgjegjësi e qeverisë. Asnjë përpjekje nuk është bërë nga qeveria për të zgjidhur problemin e 1,4 milionë letërnjoftimeve që u skadon vlefshmëria deri në ‎datën e zgjedhjeve 30 qershor 2019, që përbën shumicën dërmuese të zgjedhësve aktivë. Asnjë përpjekje reale nuk është bërë nga qeveria për të vënë në jetë projektin pilot të votimit elektronik, si një mjet kundër mashtrimeve zgjedhore. Asnjë përpjekje nuk ka në plan qeveria kundër presionit mbi administratën dhe abuzimit me burimet shtetërore, siç rekomandon ODIHR. Asnjë përpjekje nuk është bërë për të sistemin e plotë dhe të saktë të adresave, mungesa e të cilit vazhdon të lejojë manipulimin e listave të zgjedhësve duke importuar zgjedhësit nga një qytet në tjetrin. Asnjë masë nuk është marrë që Policia e Shtetit të garantojë që kriminelët të mos prishin procesin, në të njëjtën kohë të mos bëhet vetë ajo palë e manipulimit dhe presionit. Ndërsa për problemin numër një, atë të shitblerjes së votës, nga njëra anë edhe vetë përfaqësuesit e qeverisë kanë pranuar se këto probleme thelbësore nuk zgjidhen me Kodin Zgjedhor, por janë detyrë e qeverisë dhe çështje e vullnetit politik. Minat që PS po i vë sot reformës zgjedhore, synojnë të fshehin mosveprimin e qëllimshëm të saj për këto problem. Synimi është i qartë, pa një reformë konsensuale, qeveria fsheh përgjegjësitë e saj dhe mbron vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve.