PD: Ja pse kryeministri Rama dhe ministri Bushati nuk flasin për Bajrat

661
Sigal

Mediat belge: Safet Bajri ka mbrojte politike, të ekstradohet në Belgjikë

Safet Bajri, i dënuar me 22 vjet burg në Belgjikë për trafikim të qenieve njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni. Ai është dënuar dy herë, fillimisht, në vitin 2015 me 9 vjet burg, dhe pastaj në vitin 2017 me 13 vjet burg. Në total ai duhet të vuajë 22 vite burg. Sipas policisë belge, Safet Bajri ka qenë njeriu që kontrollonte tregun e prostitucionit në Bruksel. Mediat belge shprehen se, pas arrestimit në Tiranë, autoritetet belge duhet të vendosin mënyrën si do të kryejë dënimin Safet Bajri, i njohur në Belgjikë me emrin Safet Rustemi – do të ekstradohet ta kryejë dënimin në Belgjikë apo do të lejohet ta kryejë atë në Shqipëri. Mediat belge citojnë shefin e policisë së Brukselit, Martin Van Steenbrugge, i cili mësohet të jetë shprehur se: “Rustemi është një nga kriminelët më të rrezikshëm. Ai është ende aktiv në botën e krimit. Policia ka investuar shumë në hetimin e krimeve të tij. Ai duhet të kryejë dënimin prej 22 vitesh në burg.” Ndërsa anëtarët e bandës zhvillonin aktivitetin e tyre kriminal në Shqipëri, Belgjika nuk ndaloi përpjekjet për gjetjen dhe arrestimin e tyre. Në korrik të 2018, gazeta e rëndësishme belge “La Derniere Heure”, botoi shkrimin “Portreti i një djali vërtet të keq, Safet Rustemi”, në të cilin denonconte faktin se një nga kriminelët më të rrezikshëm e më të kërkuar të Belgjikës kishte gjetur strehim në Shqipëri, ku mbrohej politikisht nga deputeti i PS-së Luan Harusha. “Derniere Heure” akuzoi deputetin Harusha se kishte shpëtuar Safet Bajrin nga arrestimi pas një grindje me armë të ndodhur në një nga lokalet më të famshme të Shkodrës.

Deputeti Salianji: Ja pse Rama dhe Bushati nuk flasin për Bajrajt

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, i ka kërkuar sërish Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, t’i përgjigjet pyetjes, se çfarë e lidh atë me grupin kriminal të Bajrave në Shkodër. Përmes një deklarate për mediat, Salianji, shkruan se sot Rama, dhe Bushati janë mekur dhe nuk mund t’u përgjigjen pyetjeve të bëra nga Partia Demokratike, pasi ata dhe Bajrat kanë bashkëpunuar në zgjedhjet e kaluara. Ja deklarata e plotë e Salianjit:

Bushati nuk iu përgjigj 5 pyetjeve që i adresoi Partia Demokratike dje. Bushati dhe Rama janë mekur sepse: Bushati me porosi të Ramës i ka takuar me dhjetëra herë para fushatës, gjatë fushatës dhe pas saj për t’i kthyer shërbimet grupit të Bajrajve, me emërime, tenderë dhe vendosjen e shtetit në shërbim të tyre.

– Gjatë zgjedhjeve grupi Bajraj është përdorur për të kërcënuar dhe intimiduar votuesit e opozitës.

– Rama i ka kërkuar grupit Bajraj, nëpërmjet Ditmir Bushatit, që të shtojnë numrin e deputetëve të PS në Qarkun Shkodër sipas “mënyrës së tyre” dhe në këmbim u ka ofruar garanci për të drejtuar ata gjithë interesat në Shkodër.

– Bushati u ka dërguar falënderimet në emër të Ramës pas zgjedhjeve elektorale.

– Komunikimi me Bajrat është i shpeshtë dhe komunikimi i fundit me ta është gjatë muajve të fundit. Shumë prej qeveritarëve dhe deputetëve të Ramës kanë rënë në rrjetën e përgjimeve të partnerëve. Prandaj Edi Rama nuk e pranon vettingun në politikë.

Ministri Bushati: Arrestimet konfiromojnë suksesin

Pas aksionit të policisë, së solli në shkatërrimin e një bande kriminale në Shkodër, vjen reagimi nga ministri Ditmir Bushati, njëherësh dhe deputet në këtë qark. Ministri Bushati iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës, për pretendimet se ai ka lidhje me bandën ‘Bajrit’. “Sot është një ditë e mirë për #Shkodrën falë vendosmërisë sonë në luftën me krimin. Gjuhët e përdala të atyre që krimin e duan për politikë dhe politikën e bëjnë për të kriminalizuar kundërshtarin, konfirmojnë suksesin e sotëm. #eGjithëVëmendjaShkodranëve”, – shkruan Bushati.