PD-ja e cilëson këtë projektbuxhet si draft i krizës

510
Sigal

Kuvendi miraton më 28 dhjetor për diskutimin dhe votimin e për projekt-buxhetit 2014

Kuvendi u mblodh pasditen e djeshme në një seancë plenare jashtë radhe për miratimin e kalendarit të shqyrtimit të projektbuxhetit të vitit 2014 si dhe paketës fiskale që shoqëron atë. Pas debateve, Kuvendi miraton, datën 28 dhjetor për diskutimin dhe votimin e për projektbuxhetit 2014.  Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta pasi njoftoi rendin e ditës së seancës, bëri të ditur se, nisur nga fakti që ky projektkalendar nuk u miratua me konsensus nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, i takon seancës plenare që ta diskutojë dhe ta miratojë atë.  “Kemi një propozim të fundit nga kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erjon Braçe sipas të cilit shqyrtimi i projektbuxhetit dhe i projektligjeve financiare që kanë lidhje të shtyhet me një ditë, pra në datë 28 dhjetor, 2013”,- tha Kryetari i Kuvendit. Seanca nisi me debate, ku deputetët e opozitës kanë akuzuar qeverinë se ka shkelur ligjin, duke sjellë me vonesë draftin në Parlament, draft qe sipas tyre është i pa konsultuar me grupet e interesit si dhe është tërësisht jo transparent. Me 74 vota pro, 48 kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e djeshme parlamentare kalendarin e shqyrtimit në komisionet e përhershme dhe në seancë plenare të projektbuxhetit të vitit 2014 dhe të projektligjeve financiare të lidhura me të.

Kuvendi caktoi datën 28 dhjetor për votimin e buxhetit, duke e shtyrë me një ditë, pas propozimit të kryetarit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erjon Braçe. Shumica hodhi poshtë 5 amendamente të Partisë Demokratike, që kërkonin shtyrjen e afateve, diskutimin në komisionet e përhershme parlamentare apo edhe me grupet e interesit. Opozita kërkoi që buxheti të votohet më 13 janar 2014.

Debatet në Kuvend
Paloka: Me taksën progresive të Rama-Meta, shqiptarët do paguajnë më shumë

Më shumë kohë për diskutimet e projektligjeve, me grupet e interesit dhe me qytetarët ka kërkuar edhe Edi Paloka në emër të grupit parlamentar të PD. Sipas kreu i grupit parlamentar të demokratëve ardhja me vonese e buxhetit në Kuvend, bëhet me qëllim që shqiptarët të mos marrin vesh se çdo të bëhet me paratë e tyre. “Çdo gjë që ndodh është në shkelje të plotë të ligjit, të procedurave parlamentare dhe në mungesë të transparencës, siç është tashmë tipar i kësaj maxhorance. Duke vonuar dërgimin e projekt-buxhetit në parlament, ka shkelur ligjin për menaxhimin e fondeve e publike. Brenda datës 1 nëntor duhet ta kishte dërguar në parlament. 1 muaj e gjysmë në shkelje të ligjit. Qeveria kishte takim meFMN-së, prandaj është shkelur ligji. Nuk ka shqiptar naiv që të besojë se takimit me këtë apo atë, janë argumente për të shkelur ligjin. Qëllimi është që shqiptarët të mos e marrin vesh çdo bëhet me paratë e tyre, të mos arrijnë të kuptojnë se çfarë gjëmë dhe bombe u ka përgatitur Rama”,- tha Paloka. Paloka tha se me taksën progresive të qeverisë Rama-Meta të gjithë shqiptarët pa përjashtim do të paguajnë më shumë dhe do të bëhen më të varfër. “Të gjithë do na duhet të paguajmë të paktën dyfishin për shtëpitë ku jetojmë. Edhe kur kemi tonat edhe kur jemi me qira. Të gjithë do të paguajnë pa përjashtim me shumë naftën dhe një serë mallrash të tjerë konsumi, që kjo qeveri me këtë paketë fiskale rrit taksat. Shqiptarët të mos marrin vesh që vendet e tyre janë të rrezikuara, sepse do jenë bizneset që do të paguajnë më shumë taksa, dhe do mbyllen vende pune”,- theksoi ai.

Ruçi: Pse bëni sikur nuk e dini si e latë ekonominë

Kryetari i grupit të socialistëve, Gramoz Ruçi, ndërsa justifikoi para kolegëve të tij vonesën e buxhetit, shprehu gatishmërinë për të shtyrë dhe me 48 orë miratimin e buxhetit me kushtin që të miratohet brenda kalendarit, duke përcaktuar si kufi maksimal 31 dhjetorin. “Është i drejtë pretendimi i opozitës që sivjet buxheti është i vonuar, por opozita e sotme nuk ka të drejtë në anën tjetër për arsyet objektive të vonesës dhe paraqitjes së buxhetit të 2014. Mos bëni sikur nuk e dini situatën ekonomike, nuk e sollëm ne, por e gjetëm midis jush. Krizës, situatën ekonomike, borxhet, rrogat e padhëna të paraplegjikëve etj.. Ka qenë kjo situatë dhe përgjegjësia politike e qeverisë së re, që të gjejë rrugët e zgjidhjes. Më e rëndësishme është kjo sesa disa data, më shpejt apo më vonë. E përzutë FMN në 1996 dhe dihet se ca ndodhi në Shqipëri. E përzutë në vitin 2007 dhe ja fundi. Ne e thirrëm pasi këto që themi nuk janë tona, nuk i themi ne, por një organizëm ndërkombëtar. Ja ku jemi, në një buxhet. Të diskutojmë natë e ditë që të votojmë buxhetin tonë. Jemi të hapur të dëgjojmë çdo lloj propozimi tuaj. Por jo të kundërshtoni me amendimet tuaja, që të hamë gjelin e Vitit të Ri, e më pas të diskutojmë. Jemi gati të shtojmë edhe 48 orë, por buxheti të miratohet brenda kalendarit, që kufiri maksimal është dala 31 dhjetor”,- tha kreu i grupit parlamentar të PS-së.

Sherefedin Shehu: Koha për ta shqyrtuar është e pamjaftueshme

“Kemi një paketë fiskale që përbëhet nga tetë ligje, e shoqëruar me pr/buxhetin e vitit 2014. Ne gjykojmë që koha e parashikuar në kalendar është krejtësisht e pamjaftueshme, ndaj kemi bërë një sërë propozimesh që e shtrijnë në një afat më të gjatë kohor shqyrtimin e ligjeve fiskale dhe buxhetin e ri”, tha deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu. 

Replika Berisha-Meta

Deputeti Berisha replikoi edhe me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, për votën e tij që dha kundër amendamentit të PD-së. Berisha deklaroi se, përse e votoi kundër amendamentin e fundit të PD-së. “Votova kundër se konstatoj se ky është buxheti i frikës së kësaj qeverie. Në padije të plotë, qeveria Rama-Meta përpiqet vetëtimthi të fshehë dhe kalojë dhe të bëjë gjithçka përkundër interesin e shqiptarëve. Ky buxhet është i vdekur, pa lindur fare. Ky do jetë buxheti i rrokullisjes së madhe dhe nuk i dalin dot zot asnjë. Ndaj ata kanë përjashtuar komisionet, grupet e interesit dhe bien këtu buxhetin e dështimit të plotë. Ja pse unë e tërhoqa votën time, nuk ia vlen fare”.
META: Amendamenti i fundit kërkonte më shumë kohë për diskutimin e buxhetit dhe ju votuat kundër, këtë nuk arrij ta kuptoj, gjithsesi vendimi është  juaji.

 Topalli- Metës: Të gjitha procedurat e Kuvendit, janë jashtë rregullores

Ish -Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e cilësoi të turpshme Konferencën e Kryetarëve dhe debatin mes maxhorancës e opozitës. “Një turp sot në konferencën e kryetarëve! Ilir Meta shkel brutalisht ligjin e Parlamentit! Ai mendon se opozita duhet të jetë aksesor i tij dhe i maxhorancës. Ai gabon rëndë! Ai nuk pyet më as për konferencën e kryetarëve! Ilir Meta vendos vetë dhe pastaj i kërkon mendim! Pasi ka vendos për kalendarë e programe i mbledh, tallet me to, duke bërë sikur po i pyet! Tani e mbrapa madje, nuk ka nevojë të mblidhet as konferenca e kryetarëve, madje as seanca se Meta i zgjidh me telefon punët! Turp! Ajo që po ndodh në  Parlament këto 3 muaj është përpjekja për të poshtëruar opozitën dhe ato që ato përfaqësojnë! Meta -Rama janë rrezik për demokracinë! Opozita duhet të ngrihet!”, shkruan Topalli në rrjetin social. Që në nisje të seancës  së djeshme, deputetja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka akuzuar kreun e Kuvendit, Ilir Meta se, të gjitha procedurat e kuvendit janë kundër rregullores. Sipas saj, është duke u vepruar në mënyrë për të fshehur draftin e buxhetit. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Ky i fundit tha se, është zbatuar vetëm rregullorja dhe veprimet në lidhje me diskutimin e buxhetit të vitit 2014, janë bërë konform të gjitha rregullave të rregullores së Kuvendit. “Nuk kemi asnjë shkelje të Rregullores së Kuvendit, po të kemi parasysh që diskutohet për projektligjet financiare të vendit”.