PD-ja: Drejtoria e Doganave të Tiranës është bërë drejtoria e kunatave

532
Sigal

Emërimet nepotike në Administratën Publike, vazhdojnë në emër të  revanshit politik

Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Rama për emërimin e personave të afërt me ministrat e qeverisë së tij, në poste të rëndësishme të administratës së shtetit. Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesja e PD-së, Silvi Bardhi deklaroi se: “Drejtoria e Doganave të Tiranës është bërë drejtoria e kunatave të Tiranës”. Rrjeti nepotik i qeveritarëve po shtrihet çdo ditë e më shumë.

Po ju japim sot disa fakte për fatin e lumtur të kunatave dhe familjareve të ministrave të Edi Ramës. Në doganën e Tiranës, është emëruar së fundmi Eranda Cuci, kunata e Ilir Beqës, Ministër i Shëndetësisë. Në doganën e Tiranës është emëruar Safo Dauti, kunata e Ilirian Celibashit, Ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin. Në doganën e Tiranës është emëruar së fundmi Adriana Hila, motra e Dritan Hilës, zëvendësministër i Mbrojtjes. Pra drejtoria e doganave të Tiranës është bërë drejtoria e kunatave të Tiranës.  Nuk presim që Rama e të tijtë  të skuqen nga turpi, meqë kanë deklaruar publikisht se nuk ka nepotizëm në administratë, por po informojmë opinionin publik, për mënyrën e menaxhimit, për emërimet dhe për meritokracinë e kësaj qeveria. Njoftohen kunatat e tjera të qeverisë, të mos rrinë duarkryq, por të lëvizin se vendet po zihen”, – përfundoi Bardhi.

Shqipëria integrohet plotësisht në NATO-, lajmin e fsheh qeveria

Partia Demokratike uroi dje  Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për përfundimin me sukses të integrimit të plotë të Shqipërisë në NATO, me certifikimin që u bë në Konferencën e Fundit të Integrimit, të drejtuar nga Komanda e NATO-s për Transformimin, 6 ditë më parë. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, tha se, PD-ja vlerëson se “përmbushja me sukses e objektivave të Fazës së Integrimit, hapi final i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, u bë brenda katër viteve, kur parashikimi ishte 5 deri në 6 vite”. Sipas saj, kjo tregon përkushtimin dhe seriozitetin me të cilin qeveria shqiptare, Ministria e Mbrojtjes dhe të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura, kanë punuar në 4 vitet e fundit për të arritur këtë qëllim madhor. Në vijim të deklaratës, Partia Demokratike akuzon qeverinë për mospublikim të këtij lajmi në kohë reale. “Ky është lajmi i dytë i madh që Shqipëria merr pas rekomandimit të KE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, por qeveria e fshehu në mënyrë të turpshme për gati një javë”, tha zëdhënësja e PD-së.