PD i përgjigjet Ramës/ Ftesës do i përgjigjemi çdo të enjte para Kuvendit dhe, më 13 prill, në mbrëmjen e madhe para Kryeministrisë

441
Sigal

Opozita shqiptare ka vendosur që ftesës së kryeministrit Rama për zgjedhje të parakohshme (nëse PD-LSI do të fitonin më shumë se një bashki në zgjedhjet lokale), t’i përgjigjet me protestën e radhës. Në datë 13 prill opozita do të zhvillojë protestën e shtatë kundër qeverisë Rama. Vendimi është marrë mbrëmjen e sotme gjatë takimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me Kolegjin e Kryetarëve (drejtuesit e degëve të PD-së në rrethe). Por ndryshe nga herët e tjera, protesta është caktuar të mbahet në orën 18:00 përpara selisë së qeverisë, ndërkohë që do të vijohet me strategjinë, që për çdo të enjte do të ketë tubim përpara Parlamentit teksa zhvillohet seanca plenare. Nga data 16 shkurt e këtij viti, opozita ka zhvilluar gjashtë protesta deri tani, dy përpara Kryeministrisë dhe katër përpara godinës së Parlamentit gjatë seancave plenare.