PD dhe PS me dhimbje koke, përzgjedhja e kandidatit për kryetar bashkie e vështirë

509
Sigal

KORÇË – Partia Demokratike dhe Partia Socialiste në Korçë janë bërë me dhimbje koke. Duket se asnjë “ilaç” nuk po u vjen në ndihmë për t’u lehtësuar dhimbjet. Zgjedhjet vendore po afrojnë dhe dy partitë e mëdha ende nuk e kanë kandidatin për kryetar bashkie. Përzgjedhja e tij do të përcaktojë nëse këto parti “do të lindin” apo “do të dështojnë”. “Lufta” për Korçën do të jetë e vështirë për Partinë Demokratike, por aspak më e lehtë edhe për Partinë Socialiste. Partitë e vogla po bëhen gati të zhvatin pjesë nga elektoratit që deri më sot u kanë përkitur PD-së ose PS-së, gjë që do ta komplikojë edhe më tepër fitoren e dy partive të mëdha. Zhgënjimi ndaj Partisë Socialiste ka filluar të rritet, ndërsa Partia Demokratike në Korçë vijon të mbetet e vakët dhe e lodhur. Lidershipi i saj nuk ka aftësinë të sjellë gjallërim dhe motivim të strukturave. Po kështu edhe drejtuesit e pushtetit vendor në Korçë, pas tre mandateve të fituara nga PS-ja,- po u duken njerëzve sikur “u kanë mbirë në sy”.

Militantët të shqetësuar

Shqetësimi ka nisur të ndihet edhe në radhët e militantëve të dy partive të mëdha dhe te figurat e njohura që kanë udhëhequr nëpër fushata elektorale. Një pjesë e tyre kërkon ruajtjen e statuskuosë, që do të thotë, Partia Socialiste të hyjë në zgjedhje me përkrahësit e ish-kryetarit të Bashkisë Niko Peleshi dhe Partia Demokratike me përkrahësit e Andrea Manos, ndërsa pjesa tjetër mendon se këto figura tashmë kanë dalë “demode”. Vijimi i mëtejshëm me të njëjtat fytyra,(sipas burimeve brenda partive), do të ishte një stërmundim i panevojshëm për partitë përkatëse, pasi gara nuk do të jetë e lehtë. Situata në Korçë u vështirësua edhe më tej nga ndarja e re territoriale, ku tashmë bashkisë së Korçës i shtohen më shumë se 30 mijë banorë, numri i të cilëve është gati sa gjysma e banorëve të Korçës, që aktualisht banojnë në këtë qytet. Pra, bashkisë Korçë i shtohet Voskopoja me rreth 2.800 banorë Voskopi me rreth 6.200, Lekasi me 1.200, Drenova me 12.000, Mollaj me 7.200 dhe Vithkuqi me rreth 3.000 banorë. Deri më tani, qyteti i Korçës, në rastin më të mirë për njërën parti dhe në rastin më te keq për partinë tjetër,  kishte mundur t’i jepte kandidatit fitues edhe 2.500 vota më shumë, por nga sot e në vijim nuk do të jetë më vetëm qyteti i Korçës që do ta bëjë këtë diferencë. Veç kësaj, për 30.000 banorët e fshatrave që i shtohen bashkisë Korçë nuk thonë asgjë figurat e Niko Peleshit dhe Andrea Manos.

Figura përfaqësuese

Për këtë arsye, shumë nga personalitet e dy partive të mëdha në Korçë, PD dhe PS, po këmbëngulin në përzgjedhjen e kandidatëve të tillë, të cilët të jenë në të njëjtën kohë përfaqësues të denjë edhe për banorët e zonave rurale, ku këta të fundit pas shkrirjes së komunave të tyre po ndihen në një farë mënyre si të braktisur. Tashmë, në këto zgjedhje, këshilli bashkiak i Korçës do të ketë në përbërjen e vet edhe anëtarë nga zonat që përmendëm më sipër: Voskopojë, Voskop, Lekas, Drenovë, Mollaj dhe Vithkuq, të cilët, pa asnjë dyshim, do të luajnë një rol të veçantë në fitoren e njërës apo tjetrës parti. Megjithatë, në këto zgjedhje më shumë se partia kanë rëndësi përfaqësimi dhe besueshmëria e kandidatit ndaj kësaj pjese të popullsisë, e cila e ka të lidhur fatin e vet me interesa të tjera, më pragmatiste dhe të ndryshme nga ato të qytetit. Nëse Andra Mano dhe Sotiraq Filo, si kandidatë të mundshëm për kryetar bashkie, mund të thonë diçka për qytetin e Korçës, nuk mund të thonë asgjë për Drenovën Vithkuqin apo Voskopojën.

Zgjedhje të ndershme dhe të vërteta

Të gjendur në këtë situatë, nga ana e banorëve të Korçës, po shpresohet shumë që për herë të parë pas 25 vitesh demokraci të realizohen zgjedhje të ndershme të drejta e të vërteta, pasi një gjë e tillë deri më sot në qytetin e Korçës nuk ka ndodhur. Nuk ka ndodhur madje as në zgjedhjet e përgjithshme dhe as në zgjedhjet vendore. Gjithçka ka qenë një farsë dhe asgjë më shumë. Le të marrim si shembull zgjedhjet parlamentare. Qyteti i Korçës nxjerr dy deputetë, një nga Partia Socialiste dhe tjetri nga Partia Demokratike. E  kundërta, që një parti t’i marrë të dy deputetët nuk mund të ndodhë kurrsesi, sepse është e pamundur. Ndaj, për këtë arsye, nuk do të ndryshonte asgjë edhe sikur kandidatët të mos vinin fare në fushatë, qoftë edhe një ditë të vetme, edhe sikur të mos mbanin qoftë edhe një fjalim, edhe sikur të mos premtonin asgjë. Ata përsëri do të ishin të dy fitues. Ndodhte kështu, sepse kandidatit të PD-së i vihej përballë një konkurrues që vinte nga partitë e vogla të të majtës, ndërsa kandidatit të PS-së i vendosnin përballë një garues që vinte nga partitë e vogla të së djathtës. Nuk ndodhi kurrë, fjala vjen, që Ridvan Bode të kishte përballë Ben Blushin. Vetëm kjo do të ishte gara e vërtetë dhe e ndershme, ku pas përfundimit “të betejës” njëri do të humbiste e më i miri do të fitonte. Por edhe pse ishte kështu, gjatë gjithë fushatës elektorale, situata agravohej, griseshin postera, thyheshin xhamat e zyrave elektorale, përplaseshin grupe militantësh, fyheshin dhe ofendoheshin. E përse duhej e gjitha kjo? Kush i organizonte?  Kuptohet, ishin përpjekje të mundimshme të dy partive të mëdha për ta shndërruar farsën në një ngjarje të vërtetë dhe solemne. Më qesharake se kaq zgjedhjet nuk mund të bëheshin.

Klane gjoja të forta

Ndaj kësaj radhe shumëkush mendon se dy partitë e mëdha politike do të jenë të detyruara të hyjnë në zgjedhjet vendore me kandidatë realisht të përzgjedhur si më të mirët, pasi në të kundërt do të bëhen “pre” e partive të vogla, ku humbësi ka për të përjetuar një humbje të thellë dhe fituesi një fitore të vështirë, ndërsa nuk është çudi që të braktisen edhe nga një pjesë e elektoratit. Deri më tani është folur shumë për të ashtuquajturat “klane të Peleshit” dhe “klane të Manos”, por edhe kjo nuk është gjë tjetër veçse një farsë e sajuar në mënyrën më të shëmtuar nga vetë politika e dy partive më të mëdha, PS dhe PD që nga koha e Berishës dhe Nanos. Mano dhe Peleshi vinin nga i njëjti grup shoqërie, madje pa ndonjë spikatje kushedi se çfarë, përveç faktit që me çantë në dorë bridhnin nga njëra parti te tjera për t’u bërë pjesë e tyre. Sot, rastësisht, njëri ndodhet në Partinë Socialiste e tjetri në Partinë Demokratikë, pasi nuk do të ishte ndonjë çudi edhe nëse do të gjendeshin si pjesë edhe e ndonjë partie të djathtë. Gjithsesi, pavarësisht nga të gjitha këto, nga informacioni që kemi siguruar brenda dy partive të mëdha në Korçë, si nga militantët ashtu edhe nga personalitete të spikatura po kërkohet që të hiqet dorë nga figurat e konsumuara e të dilet në garë me njerëz që garantojnë një përfaqësim më të madh. Por cilët do të jenë kandidatët, këtë nuk e dimë saktësisht. Dy partitë e mëdha nuk po vendosin dot, ende janë me dhimbje koke… sepse kësaj radhe do të bëhet fjalë për zgjidhje të vërteta, ndryshe risku do të jetë i madh.

Vepror HASANI