PD, Alibeaj: Qytetarët të pasigurt për jetën dhe pronën, Rama-Tahiri i kanë dhënë krahë krimit

467
Një valë e paprecedentë krimi ka mbërthyer vendin, duke goditur qytetarët në gjënë më të shtrenjtë, sigurinë për jetën dhe për pronën.
Ekzekutim në mes të Tiranës, grabitje me armë në Shkodër, grabitje dhe plagosje të pronarit të shtëpisë në Kuçovë, të gjitha në harkun e disa orëve, janë dëshmitë tronditëse të fuqizimit të krimit dhe rënies së shtetit. Më shqetësuese është lehtësia me të cilën kryhen këto akte të rënda çka tregon se krimi nuk parandalohet më, dhe më keq akoma, reagimi i policisë pas ngjarjes nuk është eficent, kështu që kemi çdo ditë një vrasje më shumë pa autor, çdo ditë një grabitje më shumë pa autorë.
Kjo situatë po i nxjerr qytetarët gjithnjë e më të pambrojtur, gjithnjë e me më pak besim tek policia. Por sigurisht nuk është faji i trupës së oficerëve, i burrave dhe grave në uniformë. Kur Saimir Tahiri prej tre vitesh sillet si ortak i Habilajve dhe Shullazëve, dhe këtë e di gjithë Shqipëria, atëherë krimit dhe kriminelëve në gjithë vendin ju ke thënë ngrihuni, merrni armët dhe bëni çtë doni se keni imunitet. Kur me Edi Ramën kryeministër, Shullazët dhe Hakmarrja me kompani bëhen pronarë trojesh e pasurish, vendosin gjoba e plaçkisin, atëherë i ke thënë krimit marshalla, dhe krimi sjell krim, sjell vrasje, grabitje, rrënim. Kur paligjshmëria ka mbuluar vendin, dhe gjithë territori është mbjellë me drogë si kurrë më parë në 25 vjet, i ke dhënë krimit dritë jeshile, i ke dhënë krimit legjitimitet. Situata e rendit dhe e krimit është dramatike dhe ne jemi çdo ditë në kontakt me qytetarët që vuajnë pasigurinë për jetën e pronën. Por ka një zgjidhje për krimin. Ai duhet shkulur me rrënjë, dhe rrënjët e tij janë në qeveri. Qytetarët vetë e kanë në dorë, koha po vjen, zgjedhjet nuk janë larg. Partia Demokratike do ta shtypë krimin me fuqinë e ligjit. Ne do t’i shpartallojmë bandat dhe do ti japim shqiptarëve siguri në qytete dhe fshatra, rrugë dhe sheshe, siguri të pronës, të jetës dhe të shtëpive të tyre.
Sigal