PD akuza ndaj policisë, pas deklaratës së oficerit të lartë se ndihmuan trafikantët e drogës

413
Partia Demokratike ka hedhur sot akuza të forta ndaj policisë për përfshirje në trafik drogë dhe grupe kriminale. Nga selia blu, ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka tha se një oficer i lartë policie shpjegon mekanizmin kriminal, si ishin të organizuara bandat e trafikut të drogës në Vlorë pas vitit 2013, lidhjet e tyre me krerët më të lartë të policisë dhe qeverisë në Tiranë.
Deklarata e Flamur Nokes
Sot, krerët e lartë të Policisë dhe qeveria janë nën akuzë për favorizim të trafikut të drogës, për lejimin e rrugëve të transportit të saj, për dhënie imuniteti ndaj grupeve të strukturuara kriminale.
Akuza vjen nga një oficer i lartë policie, i cili shpjegon mekanizmin kriminal, si ishin të organizuara bandat e trafikut të drogës në Vlorë pas vitit 2013, lidhjet e tyre me krerët më të lartë të policisë dhe qeverisë në Tiranë.
Oficeri që ka hetuar për shumë kohë këto grupe kriminale, deklaron se informacionet që dërgonte tek eprorët, shiteshin tek trafikantët dhe aksionet dekonspiroheshin.
Lidhjet e krimit kanë shkuar deri aty, sa oficeri dhe burimi i tij i informacionit, janë kërcënuar nga trafikantët. Tradhëtia e policisë në misionin e saj shkon deri aty sa dhe bandat e drogës kishin siguruar edhe të dhënat personale të oficerit dhe bashkëpunëtorit të tij në terren.
Akuzat e oficerit që ka hetuar rrjetin kriminal të drogës në Vlorë, janë tronditëse dhe kanë shokuar mbarë opinionin publik.
Deri në këtë moment që flasim, nuk ka asnjë reagim nga krerët e policisë dhe nga Ministri i Brendshëm.
Pushteti i bandave, mbrojtja e tyre, imuniteti dhe pakrekshmëria, tradhëtia që i është bërë policisë dhe oficerëve që kanë hetuar trafikun e drogës, është sot çështja më e mprehtë publike, është kauza e gjithë vendit.
Ndaj qeveria, Ministri i Brendshëm, janë të detyruar të shpjegohen, të përgjigjen:
Cilat janë bandat e trafikut të drogës në Vlorë?
Pse lejohet aktiviteti i tyre?
Cilat janë lidhjet e këtyre bandave me policinë e me qeverinë?
A ka lidhje vet ministri me kete histori tradhetie dhe trafiku?
Përse kanë dështuar aksionet për ndalimin e tyre?
Kush e trafikon informacionin e oficerëve që luftojnë krimin, duke vënë jetën e tyre dhe të familjeve të tyre në rrezik?
Përse lejohet ky biznes kriminal dhe si ndahen paratë e drogës?
Krerët e Policisë janë nën akuzë, qeveria dhe Ministri i Brendshëm janë nën akuzë. Heshtja e tyre vërteton implikimin e drejtpërdrejtë.
Sigal