Paulin Sterkaj: Kryeministrin e takojmë sa herë, nuk kemi ankesa për qeverisjen

670
Sigal

Debatit publik që shkaktoi deputeti i Qarkut të Shkodrës Tom Doshi, i cili pohoi se ministrat nuk i hapin më telefonat, gazeta “Telegraf” u mundua të hedhë më shumë dritë, duke intervistuar dje, para Parlamentit, deputetin e PS-së, po në Qarkun e Shkodrës, Paulin Sterkaj. Deputeti Sterkaj, i pohoi “Telegraf” se atij vetë nuk i ka ndodhur kurrë që ndonjë ministër të mos i hapë telefonin, por njëkohësisht, Sterkaj, mohoi të pohojë se në takimin e një grupi deputetësh të PS-së, e një dite më parë me kryeministrin, u diskutua çështja “Doshi”.  Deputeti Sterkaj pohoi se nuk ka ndonjë ankesë nga elektorati i tij ndaj qeverisjes, por problemet i diskutojnë çdo javë në grupin parlamentar të PS-së.

– Zoti Sterkaj, ju a e takoni kryeministrin Rama?

– Unë çdo javë e takoj kryeministrin, kush ka hall e kërkon dhe e gjen kryeministrin.

– Po deputeti Doshi, e kërkoi kryeministrin Rama, por ende nuk e takon dot.

– Unë s’kam qejf të merrem me thashetheme. Unë jam nga ata deputetë, që gjerat i them hapur. Natyrshëm, ne e kemi takuar kryeministrin, sa herë kemi dashur.

– Kolegu juaj, Tom Doshi, a nuk tha në grupin parlamentar të PS-së, që nuk e takon dot e t’i thotë pakënaqësitë e elektoratit ndaj ministrave?

– Ne nuk e takojmë kryeministrin për t’i kërkuar privilegje.

– A nuk e pohoi kolegu juaj Doshi në grupin parlamentar, se nuk e takon dot kryeministrin?

– Nuk e kam dëgjuar, nuk e kam ndjekur këtë që më thoni ju. Nuk e kam dëgjuar Tomën që të thotë dua të takoj kryeministrin. Toma e ka takuar kryeministrin, më shumë se gjithkush nga ne.

– Tom Doshi u ankua që pse nuk i hapin telefonat ministrat. Juve ua hapin telefonin ministrat?

–  E keni seriozisht që më pyesni për këtë?

– Derisa deputeti, kolegu juaj, pohon që ministrat nuk ia hapin atij telefonat, po me juve a ndodh kjo?

– Ka ministër që nuk më hap mua telefonin? Ne jemi institucional. Ne na jep ligji forcën që të marrim çdo informacion nga ministrat.

– Juve personalisht, jua hapin telefonat ministrat, apo keni dijeni që edhe gjithë deputetëve të tjerë, veç Tomës, ministrat ua hapin telefonat?

– Unë nuk përfaqësoj asnjë deputet. Jam vetvetja. Çfarë lidhje kam me deputetë të tjerë?!

– Ju keni shfaqur ndonjë kritikë të elektoratit tuaj, për qeverisjen, jo për ndonjë ministër në veçanti?

– Unë jam deputeti më transparent, që sa herë bëj kritikë, e them haptazi. Unë jam opozitar brenda pozitës, zoti gazetar. Në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, unë kam folur atë që kam gjykuar që është më e drejta. Ne, në vazhdimësi mblidhemi çdo javë në mbledhjen e grupit e diskutojmë çdo problem, i themi aty. Nuk është çështja se kemi ndonjë ankesë të ndonjë individi dhe do t’ia përcjellim kryeministrit. Kjo sikur nuk funksionon, sepse nuk më pëlqen as pyetja. Sepse, sa probleme dhe sa ankesa ka ky vend nuk ia themi kryeministrit. Sepse edhe në shtëpi çdokush ka probleme, por hap pas hapi, çdo gjë do rregullohet.

– Kur thoni që jeni opozitar brenda maxhorancës, në çfarë kuptimi?

– Vjen një projektligj, që unë e gjykoj që duhet të korrigjohet, unë e them.

– Po për punën e qeverisjes, të ministrave, çfarë kritike të elektoratit tuaj keni përcjellë. A ka problem në bazë me punësimet?

– Unë jam shumë i kënaqur me punësimet, sepse unë nuk bëj reformë te specialistët. Unë nuk ndërhyj që të ndjek njerëz nga puna. Kur hapen vendet e punës, do gjejmë më të mirin. Nuk e  kam partiake këtë punësim.

– Ju vetë a keni ndonjë vërejtje konkrete, që ju ka thënë elektorati juaj, për ministrat?

– Përse të kem vërejtje. Unë jam nga të paktët deputetë, që kam dalë publikisht sa herë dhe kam thënë kërkoj konkretisht këtë, këtë, këtë. Ju nuk e dini që media është e manipuluar në Shqipëri, dhe ju nuk pasqyroni të vërtetën?

– Pse, nuk kemi edhe deputetë që kurrë nuk thonë të vërtetën, por flasin ato që u dikton kryetari i partisë?

– Asnjëherë kjo!

– Derisa janë deputetë të listës e tremben të shprehin kritikë publike, se kryetari paskëtaj, i heq nga lista, a nuk qëndron kjo?

– Jo, asnjëherë! Unë kam lidhje me popullin, nuk kam me partinë.

-Populli juaj, a ju ka shfaqur ndonjë kritikë për qeverisjen tuaj?

– Unë i kam ndjekur problemet e elektoratit tim dhe jam përpjekur maksimalisht për zgjidhjen e problemeve.

– Domethënë, elektorati juaj është tejet i kënaqur nga kjo qeverisje?

– Natyrisht që është edhe i pakënaqur..

– Përse?

– Ka njerëz që nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike 24 vjet dhe po i paguajnë tani.

– Kjo nuk është pakënaqësi ndaj qeverisë. Është detyrim ligjor për çdo qytetar. Çfarë thatë dje ju në takimin me kryeministrin?

– Përse, akoma ju mendoni se do them publikisht se çfarë thashë unë në konfidencë me kryeministrin? Grupi ynë i deputetëve e ka takuar kryeministrin të paktën mbi 30 herë, para fushatës dhe pas fushatës elektorale.

– Kë do zgjidhni në Shkodër për kryebashkiak?

– Më të mirin. Po nuk mund t’ju them këtë apo atë, se pastaj ju do të bëni thashetheme.

Ne takimet me kryeministrin i kemi të shpeshta dhe në vazhdimësi. Ka qenë takim pune, për probleme të brendshme. Takimi ynë nuk ka lidhje me kritikat e Doshit, sepse ai i ka bërë transparente në media, e di ai.

-Ju i bashkoheni atyre deputetëve që duan ndryshime në qeveri?

– Ne i kemi dhënë votëbesimin kryeministrit. Ndryshimet e duhura për qeverinë dhe kur duhen, i shikon kryeministri. Ne çdo problem që kemi, i themi në mbledhjet e grupit. Nuk kemi ndonjë ankesë të individit dhe t’ia përcjellim kryeministrit. Kjo nuk funksionon.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA